Planifikimi i një fundjave me fëmijë nuk është aq i thjeshtë, pasi duhet të gjejmë një destinacion që është i përshtatshëm për të gjithë. Të vegjlit duhet të argëtohen dhe të rriturit gjithashtu, me një dozë argëtimi dhe relaksi për të dy. Sot mund të bëni shumë plane me fëmijë për fundjavë, pasi kemi shumë mundësi dhe informacione përmes internetit të cilat na vijnë në ndihmë për të bërë gjënë e duhur.

Fundjava me fëmijë duhet të jenë argëtuese për të gjithë familjen. Të gjithë duhet të bëjnë gjëra së bashku, në mënyrë që askush të mos mbetet jashtë loje. Kjo është arsyeja pse ju duhet të kërkoni përvoja dhe aktivitete që përshtaten me stilin e jetës së familjes suaj.

Shëtitje dhe piknik

Një nga gjërat që mund të bëjmë me të vegjlit gjatë fundjavave është të eksplorojmë një rrugë alpine me shkallë vështirësie të ulët. Në varësi të moshës së fëmijës dhe formës së tyre fizike, ne mund të shijojmë disa rrugë me disa kilometra në të cilët ata do të argëtohen, të shpenzojnë energji dhe të zbulojnë natyrën. Ecja në fundjavë me disa nga këto itinerare është një ide e shumë e mirë, pasi është një argëtim i shëndetshëm për të gjithë familjen dhe njëkohësisht shumë argëtuese. Që të sigurohemi se fëmijët mund ta përballojnë, është mirë që paraprakisht ta testojmë ne vetë, pasi rrugët e zgjedhura mund të jenë të gjata ose të vështira për fëmijët për shkak të terrenit.

Një ide tjetër që i bashkangjitet ecjes në natyrë është edhe pikniku. Pikniku është një ide mjaft e mirë për të kaluar ditën larg shtëpisë dhe për të bërë diçka ndryshe. Ne mund të bëjmë një piknik familjar argëtues në terren. Në shumë qytete ka edhe lëndina, kopshte, brigje lumenjsh, apo fusha që na lejojnë të bëjmë gjëra të tilla pa pasur nevojë të bëjmë udhëtime të gjata. Thjesht duhet të organizojmë ushqimin, të shtrojmë një mbulesë tavoline të madhe dhe të shijojmë ushqimin e shijshëm, i cili është gjithmonë më i mirë kur e konsumojmë jashtë.

Në Tiranë ka mjaft fshatra me një natyrë të mrekullueshme për të bërë piknik. Ndër më të pëlqyerit për një eskperiencë të tillë është Shëngjergji, rreth një orë larg Tiranës. Që të shkosh në Shëngjergj, duhet të marrësh rrugën e Dajtit. Para se të shkosh te trau i Parkut Kombëtar të Dajtit, merrni kthesën e vetme djathas. Rrugës për poshtë që të çon në Shëngjergj, ndodhet një liqen i vogël, që sa më poshtë të zbrisni aq më bukur duket. Rruga është me kthesa dhe mjaft spektakolare. Mund të ndaloni për piknik këtu, apo të vazhdoni për në fshat. Zakonisht vijnë nga 2-3 familje me fëmijë, të cilët kalojnë një eksperiencë të paharruar. Fëmijët eksplorojnë natyrën dhe gjallesat e lumit, ndërsa prindërit bëhen gati për zgarë. Disa vendqëndrimi prej druri qëndrojnë aty në pritje të miqve që shkojnë e vijnë cdo fundjavë, për tu krijuar atyre pak komoditet gjatë ushqimit.

Shtëpi fshati për të gjithë dhe ….bicikletë

Shijoni një fundjavë në një agroturizëm apo zoo turizëm në fshat. Destinacione të tilla janë një zgjedhje e mirë për të gjithë familjen. Eshtë mirë të zgjidhni një lokacion ku të ketë edhe ambient për të luajtur. Në këtë mënyrë fëmijët do të argëtohen shumë më tepër. Në periferitë e Tiranës janë ndërtuar mjaft të tilla.

Këtu fëmijët mund të njohin qenë të racave të ndryshme, lepuj, shpend të ndryshëm (pula e zogj, palloj, pata, rosa, mjelma e të tjera), c’ka e bën vizitën akoma dhe më interesante. Gjithashtu, jo vetem fëmijët, por edhe të rriturit mund të shohin e shijojnë pemët frutore dhe produktet e tyre, drurët dekorativ, lulet dhe trendafilat e shumëllojshëm, ciklet zhvilluese, skemat e të ushqyerit e të mirëmbajtjes, rrjetin e vaditjes e të tjerë elementë që lidhen me këtë objekt.

Një ide tjetër është të huazoni një shtëpi në fshat për një ose dy net, nga miqtë apo të afërmit tuaj që e kanë një të tillë. Por mund ta gjeni edhe me qera në faqet e internetit të specializuara për shërbime të tilla. Këtu, zakonisht ka hapësira të bukura natyrore, kështu që mund të merrni edhe bicikletë me qera për të bërë një shëtitje të tillë me fëmijët. Udhëtimi me biçikletë gjatë fundjavës është një sport i shëndetshëm për të gjithë familjen. Ka vende të sigurta për të bërë shëtitje me biçikletë, por ne gjithmonë duhet të kërkojmë rrugë që janë të arritshme dhe të lehta për të gjithë. Eshtë një aktivitet pak i komplikuar, por ia vlen.

Rrethinat e Tiranës janë ideale për të pedaluar jo vetëm për shkak të natyrës fantastike që do të zbuloni, por edhe për shkak të aksesit në infrastrukturë. Guida të njohura për pedalim janë ato në malin e Dajtit, rreth Kalasë së Petrelës apo kodrave të Prezës. Në çdo ndalesë jashtë Tirane, krahas ajrit të pastër dhe gjelbërimit, fëmijët do të mësojnë më shumë për qytetin dhe fshatrat e tij, trashëgiminë historike dhe atë kulturore.

Një aktivitet tjetër që mund të jetë interesant për fëmijët është të bëni një ditë kamping të gjithë së bashku. Kjo mund t'i ndihmojë ata të mësojnë disa gjëra, si p.sh. vendosjen e një tende apo si tia kaloni mirë në natyrë. Ka vende të caktuara për kamping. Për të shkuar me të gjithë familjen, është më mirë të kërkoni vende të tilla, në mënyrë që të keni disa shërbime të disponueshme.

Njihni qytetin tuaj

Me siguri cdo qytet ka cepat e tij që nuk i keni zbuluar ende, ose vendet dhe aktivitete të reja për të cilat ende nuk jeni regjistruar. Në një qytet ka shumë për të parë, kështu që ne gjithmonë mund të bëjmë një listë të vizitave për të zbuluar me të vegjlit, si dhe aktivitete që mund të bëhen gjatë çdo sezoni në qytet për të mos humbur asgjë. Duhet të shikoni udhëzimet për kohën e lirë në qytete për të parë se çfarë mund të jetë e përshtatshme për të gjithë familjen.Dy këshilla që japim ne e që japin kënaqësi gjithmonë, është të vizitoni muzeume apo galeri arti dhe të zbuloni shije të reja kulinarie.

Vizitat kulturore me fëmijët janë gjithmonë interesante. Meqenëse fëmijët janë të hapur për të mësuar, ato janë si sfungjer. Nëse i merrni për të vizituar një muze, ata me siguri do të kenë një vizion të ndryshëm të objekteve të ekspozuara. Ju mund t'u tregoni atyre rreth objekteve, apo veprave të artit, ose t'i nxisni që të interpretojnë artin në mënyrën e tyre. Sido që të jetë, është gjithmonë një zgjedhje e shkëlqyer për të vizituar një muze gjatë një fundjave. Në shumë prej tyre aktivitetet janë programuar për tu vizituar me fëmijët, ose ka udhëzues për t'i mësuar atyre artin nga një këndvështrim më i ngjashëm me fëmijët.

Nëse të gjithëve në familje ju pëlqen të provoni shije të reja, është një ide e shkëlqyer që fundjavën ta kaloni duke zbuluar vende të reja për të provuar ushqime të ndryshme. Të vegjlit me siguri do të duan të hanë në një restorant japonez me shkopinj, ose të zbulojnë kuzhinën arabe. Kjo i ndihmon ata të jenë më të hapur në lidhje me ushqimin dhe shijet, të provojnë dhe të përjetojnë gjëra të reja dhe të ndryshme.

Neritana Kraja