Ndonëse çmimi i shitjes së një pikturës nuk është matës i vlerës artistike të saj, çmimi prapseprap dëshmon fuqinë dhe afeksionin që ajo mund të ketë në opinion.
Shumë piktorë shqiptar, gjatë viteve të fundit kanë arritur të depërtojnë, duke shitur veprat e tye në botë. Disa piktorë kanë fatin që lavdinë ta përjetojnë në të gjallë të tyre e disa të tjerë, pas vdekjes. Eshtë mire të ndërtojmë një listë me 10 piktorët më të mirë shqiptarë, që dallohen për talentin, ndikimin, reputacionin dhe pse jo edhe çmimin çmimin me të cilën vepra e tyre paguhet.
Më poshtë ne po përmendim vetëm dhjetë prej tyre. Në fakt ka edhe më shumë, por ne kemi zgjedhur 10 emra artistësh, që nuk lënë askënd indiferent dhe që do ishim të lumtur, nëse pikturat e tyre do të kishim mundësi t’i blinim. Dhjetë piktorë që me artin e tyre lanë gjumë në historinë e artit shqiptar e jo vetëm.
Zef Kolombi
Eshtë padyshim një prej figurave më eminente të gjeneratës së vjetër të piktorëve shqiptarë. I lindur në Sarajevë, në një familje me origjinë shkodrane, mbaroi studimet e larta në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë më 1933. Pas kthimit të tij në Shqipëri, ai punoi si mësues dhe një pjesë e gjeneratës së re të piktorëve shqiptarë mësuan prej tij teknikat e para të këtij arti. Puna e tij artistike përfshin portrete, pejsazhe, natyra të qeta dhe një numër të vogël kompozimesh. Kolombi është padyshim një nga piktorët më të famshëm të natyrave të qeta në pikturën shqiptare.
Kolë Idromeno
Kolë Indromeno ishte piktor, por edhe arkitekt, skulptor, fotograf si dhe skenograf i talentuar.
Ai lindi në Shkodër, ku dhe mësoi elementet e para të fotografisë nga Pjetër Marubi. Më 1876, ai qëndroi për disa muaj në Akademinë e Arteve të Bukura në Venecia, dhe më pas punoi në studion e një piktori italian. Pikturat e tij janë shumë të pasura në detaje dhe me një vlerë të lartë artistike. Portreti i tij “Motra Tone” nuk është vetëm kryevepra e tij, por një nga pikturat më të mira të të gjithë artit grafik në Shqipëri. Emri i tij u bë i njohur edhe jashtë vendit, me punët e tij të prezantuara në ekspozita ndërkombëtare, psh. në Budapest (1900), NewYork (1939) etj. Pikturat e tij ndodhen edhe sot në galerinë e Arteve të Bukura në Tiranë, në Shkodër etj.
Ibrahim Kodra
Ibrahim Kodra u lind në Ishëm më 1918 dhe vdiq më 2006 në Milano, ku jetonte prej 30 vitesh. Studion pikturë në Akademinë e Arteve të Bukura të Brerës, në Milano. Talenti i tij shpërthyes bëri që të ngjiste shkallët e përfaqësimoit në botën e madhe të artit dhe të pikturës. Ai ekspozoi në Romë, Milano, Venecia, Paris, Beograd dhe Nju Jork. Arriti të krijoi raporte me piktorë të mëdhenj si Pikasso, Matis, Fontana dhe Guttuso.
Lin Delija
Lin Delija është një piktor shkodran, ndër më të talentuarit, arti i të cilit ishte shumë shprehës. Problemi i tij ishte se nuk i pikturonte shqiptarët si heronj të luftës, por si njerëz real.
Lin Delija u arratis nga Shqipëria kur ishte 20 vjeç dhe shkoi në Kosovë, që atëherë ishte pjesë e ish- Jugosllavisë. Piktori punoi fillimisht duke bërë murale fetare. Pas kësaj, ai shkoi në Zagreb dhe më vonë në Itali, ku studioi në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë.
Puna e tij u shfaq në Romë dhe njerëzit shkuan në shtëpinë e tij në Itali për të parë artet e tij. Nëse pyesni për të në rrethet artistike në të gjithë botën, njerëzit do ta njohin atë.
Çatin Saraqi
Çatin Saraqi është ndër ata njerëz me personalitet të shumëfishtë dhe një personazh mjaft i diskutuar. Ishte diplomat, muzikant dhe piktor. U lind në Shkodër në vitin 1902. Një pjesë të rëndësishme të jetës e kaloi në Londër ku punoi si diplomat dhe ku u njoh me mjeshtrin e piktures Oscar Kokoshka, me të cilin lidhi miqësi të fortë.
Gjatë kësaj periudhe ata punuan së bashku dhe lanë si dëshmi të miqësisë së tyre, mjaft piktura dhe vizatime të njëri-tjetrit. Ai u bë ndër përfaqësuesit më të mirë të impresionizmit britanik Ekspozitën e parë Saraçi e hap në “Redfern Gallery” në vitin 1945. Ndërsa ekspozita e fundit dedikuar punimeve te Çatin Saraçit u hap në Londër, pranë “Pride Gallery” në vitin 1988. Gjatë karrierës së tij, Çatin Saraçi ka hapur rregullisht ekspozita personale në Londër, në Dublin dhe në Paris.
Lekë Tasi
Lekë Tasi lindi në Athinë. I ati, Koço Tasi, ishte ish-anëtar i Parlamentit shqiptar dhe i qeverisë së atyre viteve, por që kishte emigruar në Greqi në fund të vitit 1924, si opozitar i Zogut.
Lekë Tasi i përket piktorëve bashkëkohës modernë shqiptarë të pas viteve ‘90 në Shqipëri. Ai edhe pse e nisi jetën si muzikant (violinçelist), kishte pasion pikturën duke realizuar kryesisht peizazhe (vizatime dhe akuarele). Pas viteve 1990, Tasi ju kushtua plotësisht pikturës dhe realizoi kompozime të ndryshme me temë nga qyteti dhe jeta urbane e Tiranës. Punimet e tij të para ishin realiste, por pas viteve ’70 të shekullit XX, ai ndikohet nga ekspresionizmi dhe nga mjeshtrit botërorë modernë dhe postmodernë.
Sadik Kaceli
Sadik Kaceli u lind në Tiranë në 1914. Ndoqi Shkollën Teknike Amerikane, ku u specializua në vizatim. Nga dëshira për të studiuar për art në Francë, ai i shkroi një letër piktorit francez Henri Matisse, i cili iu përgjigj duke i rekomanduar se në cilën shkollë të shkonte.
I përfundon studimet në Paris në vitin 1941, kthehet në Tiranë dhe jeton aty derisa mbyll sytë përgjithmonë. Sadik Kaceli është krijuesi i të parës seri të monedhës shqiptare Lek dhe të stemës së Republikës. Ai është gjithashtu një nga themeluesit e Galerisë së Arteve. Në krijimtarinë e tij ai punoi në lapës, akuarel, peizazh dhe portret.
Sadik Kaceli me krijimtarinë e tij ngelet një nga piktorët më të rëndësishëm shqiptar.
Sali Shijaku
Lindi në Tiranë, vazhdoi liceun artistic po këtu, ndërsa shkoi në Rusi, ku vazhdoi studimet për pikturë në një institut të rëndësishëm arti.
Piktori Sali Shijaku, është një nga artistët më origjinal të artit figurativ shqiptar. Ai konsiderohet si një ndër koloristët më të mirë shqiptarë, lëvrues i motiveve popullore, të cilat e kanë udhëhequr gjithmonë si burim frymëzimi.
Ndonëse veprat e tij sot janë shpërndarë në shumë vende të botës, përveç një pasurie të madhe veprash që e gjeni në shtëpinë e tij, rreth 90 vepra ruhen në fondin e artë të Galerisë Kombëtare si pjesë e një koleksioni të çmuar.
Edi Hila
Edi Hila është një artist bashkëkohor shqiptar. Edi Hila ka lindur në Shkodër në vitin 1944. Ka studiuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë. Pas viteve 90 ka punuar edhe si Pedagog në Fakultetin e Arteve të Bukura, Dega Pikturë.
Eshtë interesant fakti, që një pjesë e madhe e veprave të Edi Hilës, janë ekspozuar së pari jashtë vendit, në galeri botërore dhe muzeume me emër. Ka qenë jehona e tyre dhe mënyra se si i ka pritur kritika e huaj këto vepra, si këmbanë kujtese për tu eskpzouar edhe në Tiranë.
U deshën këto dokumentime që të kuptohej rëndësia e veprës së tij edhe në Shqipëri. Edi Hila është një artist që i përket historisë së artit europian. Ai është një artist, vepra e të cilit përfshihet në të gjitha temat globale. Pikturat e tij janë ekspozuar në shumë galeri të rëndësishme të botës.
Alush Shima
Alush Shima, i fundit për nga renditja, por jo nga rëndësia, gjendet në krye të listës me interesimin që ka zgjuar te galeritë dhe kritikët ndërkombëtar të artit dhe me çmimin e pikturave të shitura. Gjithashtu Alush Shima, njihet mirë edhe nga publiku artdashës shqiptar. Shima, piktori që dikur krijonte i izoluar për t'u mbrojtur nga çencura, sot, jo vetëm ka dalur në sipërfaqe në Shqipëri, por ka hyrë në disa nga Galeritë e rëndësishme të Londrës, Washingtonit, Neë Jersey, Chicagos, Singaporit, Discovery, DC area etj.
Një nga natyrat e qeta të piktorit Shima me titull “Lulet e shpresës”, (1984, vaj mbi kanavacë), është shitur në vitin 1994 nga piktori me çmimin 17 000 dollarë, ndërkohë në ankandin e veprave të artit në SHBA u rishit me çmimin 1 milion dollarë. Pikturat e tij janë blerë edhe nga personalitete të njohura si Presidenti amerikan George Bush, aktori Michael Caine, shkrimtari Ismail Kadare etj.
Shima ka arritur të bëhet piktori më i kërkuar shqiptar në Perendim.
Neritana Kraja