Romani “Mbyllur për pushime” theu heshtjen zgjedhore në Tiranë dhe Shkodër.

Një ditë përpara votimit parlamentar, kureshtja e qytetarëve u tërhoq nga dy takime për librin! Ashtu si historia e romanit më të ri, të autorit Stefan Çapaliku, “Mbyllur për pushime”, zhillohet mes qytetesh, edhe promovimi i librit u bë brenda një dite, në qytete, Tiranë e Shkodër.

Autori Stefan Çapaliku dhe moderatorja Beti Njuma,

zgjodhën Renë në Tiranë gjatë paradites, për promovimin e librit, ndërsa me moderatoren Erjona Rusi, menjëherë pasdite, u zhvendosën tek Kulla Inglizit në Shkodër për të zhvilluar në vendlindje, një tjetër promovim të librit.

Në romanin “Mbyllur për pushime” autori Stefan Çapaliku sjell në vëmendje një periudhë shumë dinamike të Shqipërisë, e cila përkon me shtatorin e vitit 1943 dhe nëntorin e vitit 1944, me periudhën e çlirimit.

“Origjina e këtij libri ka qenë një pyetje, Ernest Koliqi si iku në Romë? Me kolonën e fundit gjermane. Po Mustafa Kruja, Bib Miraka etj? Përherë kam pyet veten çfarë ka qenë kolona e fundit gjermane? S’kam ditë asnjëherë t’i jap përgjigjen derisa një ditë më ra në duar romani i Karl Gurakuqit për “Kolonën e fundit gjermane”. Unë kam dashur të dal në një breg tjetër të lumit, për ta parë historinë në një tjetër këndvështrim Kështu mendova që të bëj një roman që të shikoj historinë me sytë e humbësve, jo të fitimtarëve”, shprehet shkrimtari Stefan Çapaliku.

Ngjarjet e këtij romani zhvillohen në 3 qytete kryesore, në Beograd, në Tiranë dhe në Shkodër. Ndërkohë, autori pohon se personazhet janë të gjithë të vërtetë.

Romani ka një strukturë të “copëzuar” në formën e një mozaiku, të cilat rrinë më vete, zhvillohen më vete dhe të tubuara së toku na japin gjithë rilievin sociokulturor e politik të Shqipërisë. Pena e shkrimtarit ecejaket nga situatat e ndrojtura e delikate të artit, tek krimi, lufta, përgjakja, përçarja, ankthi i vëllavrasjes, te kurthet e situatave ndërkombëtare, te përpëlitja për të gjetur shtigje daljeje nga tragjedia, gjer te idiotësitë dhe budallallëku.

Në një vështrim të përgjithshëm libri është ndërthurje me fatet e tri çifteve të dashuruar, në një hallakatje psikike, kombëtare e mbarëbotërore, në zgripin e ditës me natën dhe jetës me vdekjen.

...Një djalosh seminarist, Shiroka, teksa përgatitej të dorëzohej prift, u pushtua nga dashuria, e cila ia trazon shpirtin, dëgjon zemrën e tij dhe martohet, krijon familje; një oficer i lartë gjerman, Herman Janas, i dërguari i Ribentropit dhe i plotfuqishmi i Ballkanit për të krijuar qeverinë e Regjencës në Shqipëri, duke i garantuar shqiptarët të qeverisnin vetë dhe se gjermanët nuk do ta pushtonin dheun e tyre, por do kërkonin veçse sigurinë e rrugëve të kthimit të divizioneve që vinin nga Greqia; pranë jetës së tij një vajzë serbe, Milica, mes dy mëtimesh mashkullore, që ndjehej e përdorur, rrjedhimisht e shkatërruar shpirtërisht; një djalosh i dashuruar me një italiane të bukur gjatë studimeve, por falë një rrengu rikthehet në Shqipëri, zemërthyer, mbetur me nënën e vet, në atmosferën e një dashurie të kthyer në makth; një familje tiranase ardhur nga puntoria (usta Mihali) me djalin e vetëm të pushkatuar, që gjen mirëkuptim e solidaritet te një tjetër familje prej intelektualës, gjer edhe fati i një lidhjeje martesore nga “halli dhe e keqja” mes dy personazheve anekdotikë, Osmanit dhe italianes Sonia, me diferencë 30 vjet, që gjejnë në fund një shtrat martesor….

Dhe të gjitha këto linja kanë si sfond Shqipërinë e Luftës II Botërore.

“Ky është një roman ku historinë tonë ta shikojmë me sytë e humbësve dhe jo me sytë e fitimtarëve. Kemi 75 vjet që historinë na e tregojnë fitimtarët. Shumë mirë! Ata kanë versionin e vet të historisë, por ndërkohë ky vend ka pasë edhe një palë tjetër e cila ka humbur prej kësaj pune. Këta kanë qenë njerëz mjaft simpatikë. Dhe unë kam dashur me dalë në anën tjetër të bregut të lumit me e pa historinë tonë në një prespektivë të re”, thotë Çapaliku.

Këtë radhë autori ka vendosur të vijë me një rrëfim jo shumë të ngjeshur, në mënyrë që të përtypet lehtë nga lexuesi. Kjo, sipas Çapalikut, vjen nga eksperienca që ai ka patur nga Teatri, që ta mbajë lexuesin të gozhduar, pa përsiatje.

“Në romanin tim historia është velari para së cilës fotografohen njerëzit, fotografohen personazhet. Eshtë background-i, është konteksti. Unë nuk merrem fare me historinë si historian, unë mund të kem bërë gabime pafund në roman nga pikëpamja historike, sespe nuk më ka interesuar kjo. Më kanë interesuar fatet njerëzore, fatet e njerëzve të mi, e njerëzve tanë. Secili prej nesh i kujton gjyshat, baballarët dhe njerëzit më të afërt, të cilët e kanë jetuar epokën në një kontekst të gabuar”, thotë shkrimtari.

Ky libër është një vëmendje goditëse për historinë 75 vjeçare të përçudnuar nga politika apo individët, është një dëshmi e qartë historike, politike dhe trashëgimie.

Çapaliku është treguar mjeshtër i detajeve të cilat pasqyrojnë plot freski atmosferën e kohës. Duket sikur fotografon të shkuarën e atyre viteve. Ndalon deri në detaje në karakteret, sjelljen, veshjen e femrave me çorape të zeza me vijë, nuk harron të përmendë as markat e biçikletave si Bianchi apo Diamant, apo të japë detaje nga stili kalorsiak i letrave të dashurisë shkruar nga Milica për Herman. Përshkruan me detaje atmosferën e shtepive me qerpiç, me oborre me hurma, grykë pusi në mes, servirjen e drekave apo darkave, të thjeshta apo të sqimta.

Bën pjesë të romanit për shkrimin e Rrugës Skadarlije (Rruga e Shkodrës) në mes të.

Po kaq interesante është performanca e personazhit anekdotik Ali Xhixhës në telin që përshkon xhaminë e Ethem Beut apo përshkrimi i Kishës Zonja e Papërlyme. Elementë që e c’tensionojnë situatën dhe pozicionojnë rolin bashkëjetues të feve edhe tek shqiptarët e atyre viteve. Ndërkohë, Çapaliku shprehet edhe për funksionin që kishte klasa intelektuale e asaj kohe.

Të dy promovimet e librit të Stefan Çepalikut, u zhvilluan në një atmosferë mjaft të ngrohtë e miqësore. Lexues, miq, dashamirës të librit, patën mundësi të marrin në duar një libër të ri, me nënshkrimin e autorit. Vëmendja për librin e ri ishte mjaft e lartë në Tiranë, por kulmoi në Shkodër, në vendlindjen e autorit, aty ku u mbrujt edhe ideja fillestare e romanit dhe ku hedhin rrënjë pjesa më e madhe e ngjarjeve dhe atmosferë së librit.

Stefan Çapaliku thotë se ky roman mund të pasohet nga një vëllim i dytë dhe ky është një lajm i mirë për lexuesit.

Stefan Çapaliku ka një personalitet letrar dhe artistik të shumëfishtë. Njihet më shumë si dramaturg me mbi 20 drama të vëna në skenë. Por ai ka lëvruar edhe vargun, me disa vëllime poetike, studime studimet letrare e artistike dhe disa romane, ku më i suksesshmi ë shtë romani “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”.

Neritana Kraja