I ndodhur vetëm 19 km në juglindje të Korçës, në një lartësi impresionuese mbi 1300 m, mbi nivelin e detit, fshati Dardhë, njihet si një fshat i ri, por të dhënat historike tregojnë se ka qenë i banuar që prej tre shekujsh. Fshati është themeluar e rritur prej të “ardhurve”. Në Dardhe janë strehuar ata persona që kanë qenë të përndjekur nga qeveria osmane, e cila i detyronte që të ndërronin fenë. Këta persona vinin e gjenin strehë tek një stan, nën një dardhë. Kur i pyesnin të afërmit “ku jeni?”, ata përgjigjeshin se jemi tek stani nën Dardhë e më pas lindi togfjalëshi “n-dardhë” deri tek emri i sotëm Dardhë.

Dëshmia e parë historike gjendet në Enciklopedinë greke Pirsos, ku thuhet: “ Në Dardhë, fshat shqiptar u hap shkolla greqisht më 1768”. Nuk gjendet ndonjë e dhënë nëpër dokumenta më të hershme osmane, si tefterët e taksave, sepse Dardha ka qenë gjithmon fshat i lirë, i përjashtuar prej tyre. Në dokumentat e hershme del se fshati Dardhë ka patur 1.454 banorë me 400 shtëpi. Kulmin e zhvillimit e arrin në vitet 1913-1936 kur numëroheshin rreth 500 shtëpi.

Që nga viti 1800 Dardha është përmendur për punimin e drurit, shajakut e kostumeve të bukura. Fshati është njohur edhe për sëpatën e tyre si “Sëpata e dardharit”. Ndërkohë në Dardhë gjendeshin tre kisha, ajo e Shën Thanasit, Shën Gjergjit dhe Shën Pjetrit. Dardha sot ka ngelur një fshat pa fëmijë. Aty mund të numërohen vetëm 50 banorë. Por kohët e fundit shumë dardharë që jetojnë në Tiranë dhe në Korçë i janë rikthyer vendlindjes dhe po ringrenë shtëpitë e tyre, të braktisura prej shumë vitesh.

Kulturë dhe Traditë

Fshati i Dardhës është i njohur edhe për traditën kulturore, kostumet e pasura tradicionale, këngët dhe serenatat. Çdo vit në ditën e Shën Marisë, më 15 gusht, gratë vishen me kostumin tradicional “Xibuni” ndërsa festojnë me valle tradicionale.Veshja kryesore e burrave është fustanella, kallat dhe opingat me xhufka të zeza në majë të tyre, në kokë mbanin fesin me ngjyrë të bardhë. Ndërsa gratë visheshin me xhamadanë dhe në kokë mbanin shami.

Në veshjen popullore të grave bie në sy përdorimi i ngjyrave të forta bazë si: e bardhë, e zezë, e kuqe dhe vishnjë. Unikal është kostumi i grave kuq e zi. Motivet janë marrë kryesisht nga natyra, lulet, nga drita e bollshme dhe nga ngrohtësia e vendit. Dardha mburret me origjinën, nga e folura e deri tek veshjet, këngët e vallet. Studimi i arkitekturës së fshatit dëshmon për një model të veçantë të stilit europian dhe haset edhe në fshatra të tjerë të Jugut të Shqipërisë.

Pamjet që shfaqin ndërtimet dhe urbanistika e fshatit, ndërtesa solide, të bukura, prej guri të gdhendur e mbuluar me plloça të hirta, rrugët me kalldrëm, krojet e shumta, punishte për zeje kryesore, njësitë tregtare deri në fillim të viteve 40-të, i jepnin fshatit pamjen e një qyteze të lulëzuar.

E folura e fshatit ka ruajtur deri vonë disa trajta të vjetra të shqipes të ngjashme me arabishten e çamërishten. Ishte traditë në të kaluarën në Shqipëri që profesionin e ushtruar nga një pjestar i familjes, më i vjetri në moshë, t’ua mesonte e t’ia linte trashëgim vëllezërve, bijve ose të afërmëve të fisit.

Tipik është rasti i një plejade të tërë piktorësh dardharë, të cilët duke ushtruar profesionin e zografit e kanë lënë atë trashëgim brez pas brezi. Ky brez piktorësh fillon me Nikolla Zengon në gjysmën e dytë të shekullit të 18-të, e përfundon me piktorë të kësaj familje në ditët tona, si Androniqi e Sofia Zengo.

Ndërkohë që disa shkrimtarë të famshëm, piktorë e politikanë, e gjurmojnë origjinën e tyre në Dardhë, e cila i ka dhënë besueshmëri reputacionit si fshat i kulturuar.

Turizëm

Si fshat turistik Dardha ka qenë i përmendur dhe i preferuar shumë kohë më parë, gjë që e vërtetojnë edhe shumë dokumente e botime të kohës. E shtrirë mes maleve e pyjeve, me një bukuri të rrallë natyrore, Dardha mbetet një ndër vendet që ia vlen të vizitohet në çdo stinë të vitit. E gjithë zona është e rrethuar nga gjelbërimi. Ajo dallohet për peisazhin natyror, atraktiv e të shumëllojshëm. Ngjitja për në fshatin Dardhë të ofron një peisazh të mrekullueshëm .

Fshati Dardhë konsiderohet si një margaritar i vërtetë për atë çka natyra i fali, por edhe për atë çka banorët kanë arritur të ruajnë, pasi nuk është tjetërsuar asgjë.

Turistët që shkojnë në Dardhë mahniten nga rregullsia e planimetrisë së shtëpive, arkitektura interesante, pastërtia shembullore nëpër rrugët me kalldrëm, që në shumicën e kohës, janë të mbushura edhe me një shtresë bari. Periudha e dimrit dhe ajo e verës ka dhe fluksin më të madh të turistëve vendas e të huaj. Në stinën e dimrit, Dardha me pjerrtësitë e saj është një vend ideal për amatorët e skive. Ndërkohë që pista e skive është në fuksion të plotë dhe është një nga stacionet më tërheqëse dimërore të Dardhës.

Gjatë verës Dardha është një largim perfekt nga ditët shumë të nxehta në Shqipëri. Ndërsa për të gjithë të apasionuarit për natyrën, Dardha nuk zhgënjen me mrekullitë e saj.

Ndërkohë në Dardhë shkohet edhe për turizëm kulturor. Dardha sot ka dhe muzeun e saj që kushdo dëshiron mund ta vizitojë. I ngritur nga vetë dardharët në shkollën që ndërtuan dikur me shpenzimet e tyre, emigrantët e këtij fshati që migruan në Amerikë, ky muze të impresionon me atë që paraqet, një shoqëri shqiptare tëpër të përparuar. Aty gjen figurat të njohura të shkencës tonë, arsimit, levizjes për pavarësi, të të gjitha fushave të kulturës etj. Një monument i rrallë i natyrës, që duhet vizituar është dhe Bredhi i Vishnjës, 120 vjeçar.

Ndërkohë Dardha eshtë një pikë turistike jo vetëm për argëtim dhe çlodhje, por edhe për kurim. Në këtë fshat gjendet burimi i quajtur “Uji i Qelbur” që shërben si ujë kurativ për stomakun dhe veshkat.

Turistët që vizitojnë Dardhën nuk duhet të humbasin dhe gatimet tradicionale të zonës. Produktet janë të gjitha bio. Lakrori me dy petë i pjekur në saç është më i njohuri por nuk mund të lënë mënjanë gatimet e tjera si oshmari, kërnackat, mishi i pjekur etj. Të vizitosh Dardhën është një bekim dhe sigurisht ajo duhet vizituar në çdo stinë të vitit.

Elida Lazi