Muzetë, megjithëse i shërbejnë historisë, nuk i përkasin asaj, por të ardhmes. Nuk ka formë më të mirë për të njohur, vlerësuar apo mësuar, sidomos për brezat e rinj, sesa vizita në muze. Në Shqipëri ka shumë muzeume që fokusojnë tematika nga më të ndryshmet. Pa i mohuar asnjërit vlerën për fokusin e tij dhe pasurinë muzeale, sot në rubrikën tonë, do të ndalojmë në tre prej tyre.

Muzeu Onufri Ikonostatet

Muzeu Onufri Ikonostatet

Muzeu i Onufrit në Berat

Nëpër rrugicat e ngushta me kalldrëm të kalasë së Beratit, me dyer druri dhe vazo lulesh, ndalon pranë një dere ku zakonisht ka plot grupe turistësh që presin radhën për të hyrë. Jemi para portës së Muzeut të Onufrit, një ndër më interesantët për tu parë jo vetëm në Berat, por ndër më të mirët në Shqipëri. Në hyrje të ndihmojnë me fletëpalosje të cilat janë në shqip dhe anglisht, ndërkohë që ka dy lloje biletash, për individë, grupe apo cmim të reduktuar për fëmijë.

Ky muze është si një clirim për shpirtin. Atmosfera e paqtë e kishës së Katedralës së Shën Mërisë me të cilën bashkëjeton muzeu, është imponuese, si në cdo vend të shenjtë.

Sapo hyn në Kishë, ndodhesh para Altarit të Shenjtë me skenat biblike të gdhendura e të piktuara në ikonostasën prej druri. Kjo ikonostatë është një krijim arti madhështor. E krijuar në vitin 1807, ikonostata është një nga realizimet më të mirë të mjeshtërve të gdhendjes me dru të shekullit të 19-të.

E gjitha është e larë në ar gjë që e bën kishën edhe më madhështore. Mbi ikonostatë janë vendosur ikona të artistëve më të mëdhenj të Beratit.

Shumë interesant është fakti se kjo është një kishë ku të dielave vazhdojnë e bëhen ceremony fetare, pra e ruan ende funksionin e saj.

Pasi kalon përmes ambjentit hyjnor të Kishës, të shfaqet Muzeu Onufri, i ndërtuar në vitin 1986, i cili lë gjurmën e tij të kuqërremtë tek vizitori. Muzeu mban emrin “Onufri”, për të nderuar kryemjeshtrin e pikturës shqiptare të shekullit të 16-të, që ka krijuar një trashëgimi të pasur të krijimtarisë ikonografike.

Pikërisht këtu mund të shohim aq të permendurën “e kuqja e Onufrit”.

Muzeu ka tri salla kryesore, në të cilat janë të ekspozuara veprat më të mira të Onufrit si edhe të autorëve të tjerë, si Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku, Adam Kristo si dhe piktorët me mbiemer Çetiri ku më i rëndsësishmi është Joan Cetiri.

Për adhuruesit e artit të ikonografisë, pikturës dhe liturgjisë, nuk ka vend më të mirë se sa ky muzeum për të hyrë në rrënjët e mesjetës. Koleksioni i muzeut përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të zonës së Beratit.

Por, si me çdo artist të madh, ky udhëtim me Onufrin nuk mbaron këtu! Vizitorët dalin nga Katedralja në ndjekje të “të kuqes” së paharrueshme të mjeshtrit, me frymën e tij të shpërndarë pothuaj në çdo kishë që ndodhet në Kalanë e Beratit! Pas kësaj vizite, clodhuni në një nga lokalet tradicionale aty pranë, brenda kalasë, porosisni një ëmbëlsirë tipike dhe një kafe, ndërsa sodosni qytetin nga lart.

Muzeu Historik Kombetar

Muzeu Historik Kombetar

Muzeu Historik Kombëtar

Për një ditë të dielë, me fëmijët përdore, është një ide mjaft e mirë, të vizitosh Muzeun Historik Kombëtar. E gjithë historia e Shqipërisë e përmbledhur aty. Në objekte, dokumente, artefakte, piktura, instalacione, etj.

I ndodhur në qendër të Tiranës, në sheshin “Skënderbej”, Muzeu Historik Kombëtar është më i madhi në Shqipëri për nga pasuria e trashëgimia historike. Ka një fasadë dominante, falë mozaikut të quajtur “Shqipëria”, një vepër arti ku paraqiten heronjtë shqiptarë të etapave të ndryshme historike. Inaguruar në vitin 1981, duke u pasuruar kohë pas kohe, sot ruhen rreth 5 mijë objekte të ndarë në disa pavione.

Pavijoni i Lashtësisë konsiderohet një nga pavionet më të rëndësishme, me afro 400 objekte që vijnë nga epoka e bronzit. Kryevepër e padiskutueshme e sallave të këtij pavioni është mozaiku “Bukuroshja e Durrësit”, që daton në shek. IV para Krishtit, dhe është punuar me gurë zalli të formave të ndryshme. “Dea e Butrintit” është gjithashtu një nga objektet më të njohura të zbuluara në Shqipëri, ku arti klasik vjen përmes gjithë shkëlqimit të vet.

Pavijoni i Mesjetës ka dy salla, ku vizitorët njihen me organizimin jetës së asaj periudhe ku ndër ekspozime spikat Epitafi i Gllavenicës i shek. XIV, qëndisur me fije ari në mëndafsh nga murgu Savia me porosi të Gjergj Arianitit. Disa objekte të tjera që do të hasni këtu përfshijnë prodhimet artizanale, monedha të principatave shqiptare, stemat arbërore etj. Pavioni i Rilindjes Kombëtare është fare pranë pavionit të Pavarësisë, dhe dëshmojnë periudhën e zgjimit të ndërgjegjes kombëtare dhe atë të shpalljes së Shqipërisë shtet në vitin 1912.

Muzeu Historik

Muzeu Historik

Ne folëm pak më parë për ikonografinë shqiptare, që më mirë se askund tjetër përfaqësohet në Berat, por gjithsesi edhe këtu do të gjeni një pavion me një koleksion prej 65 ikonash të mjeshtërve ikonograf.

Një tjetër pavion i rëndësishëm është ai i Etnografisë me mbi 250 objekte, apo ai i Luftës së Dytë Botërore. Së fundmi, në muze do të mund të shihni dhe një nga pavionet më të rinj, atë të periudhës nga ’44-’91, që mban mbi 130 objekte, dhe që shërben si një dokumentim i një periudhe të zymtë në historinë tonë.

I ndodhur në qendër të Tiranës, mund ta kombinoni mjaft mirë vizitën në muze, me një shëtitje Sheshin Skënderbej.

Bunk'Art

Bunk'Art

Bunk ‘Art

Ky shndërrim fantastik - nga një bunker masiv i Luftës së Ftohtë në periferi të Tiranës në një histori dhe muze të artit bashkëkohor - është një atraksion emocionues, madje një nga atraksionet më impresionues në Shqipëri.

Eshtë forma më e mirë për tu treguar turistëve të huaj, apo edhe brezave pasaardhës, një pjesë së historisë sonë, përmes këtij muzeumi, duke parë me sy dhe prekur me dotë, i konsideruar ndër më të mirët.

Me gati 3000 metra katrorë hapësirë nëntokësore të shpërndarë në disa kate, bunkeri u ndërtua për elitën politike të Shqipërisë në vitet 1970 dhe mbeti një sekret për pjesën më të madhe të ekzistencës së tij.

Sapo të mbërrish në bunker është një përvojë mjaft emocionuese, ndërsa kalon një tunel të gjatë e të errët në kodër që të çon në hyrje në anën e një baze ushtarake aktive shqiptare. Pasi të jeni brenda vetë bunkerit, mund të endeni nëpër dhomat e mobiluara të destinuara për elitën drejtuese.

Diku tjetër do të gjeni një histori shumë të hollësishme të Shqipërisë moderne, duke filluar me pushtimin Italian në 1939 dhe duke përfunduar me lëvizjen e viteve ’90.

Bunkart

Bunkart

Ekrani trasmeton imazhe të kohës, ndërsa të shoqërojnë të ekspozuara dokumente dhe fotografi. Pika kryesore të tjera përfshijnë Sallën e madhe të Asamblesë, qendrën kryesore sociale të bunkerit, si dhe dhomat private të zyrtarëve të tjerë të lartë.

Një tjetër funksion I Bunk Art është se ai pret edhe ekspozita të ndryshme apo projekte artistike që ndërthurin historinë moderne të Shqipërisë me pjesë të artit bashkëkohor.

Për të arritur këtu nga qendra e Tiranës, shkoni tek Pallati i Kulturës nga pas, merrni një autobus për në Linzë, dhe kërkoni shoferit t'ju lërë tek Bunk'Art. Ndodhet shumë afër Dajti Express, kështu që ka kuptim të kombinohen të dyja brenda një shëtitje.

Neritana Kraja