Edi Hila

Edi Hila

Gjatë muajit mars, ai ekspozoi sërish në një galeri arti në Paris, sikundër ka bërë vazhdimisht gjatë viteve të fundit, duke ekspozuar në vende të ndryshme të botës e duke rikonfirmuar vlerat e tij si piktor. Kuratorë, media ndërkombëtare, kritikë të njohur, kanë dhënë vlerësime dhe komente impresioniuese për krijimet e artistit, të cilin e kanë cilësuar edhe si “piktori i transformimit”, “një piktor aspak i zakonshëm”, apo “figurë e rëndësishme e artit ballkanik”.

Vepra e piktorit 77 vjeçar, ka kaluar përmes një kalvari aspak të lehtë.

Nën Diellin e Nxehtë nga cikli Paradokset

Nën Diellin e Nxehtë nga cikli Paradokset

Karriera e Edi Hilës si artist është e lidhur pazgjidhshmërisht me historinë specifike politike të Shqipërisë. Në fillim të viteve 1970, artistit të ri nuk iu lejua të ushtronte profesionin e tij dhe gati njëzet vjet kaluan para se ai të lejohej zyrtarisht të merrej me art dhe të ekspozonte punët e tij.

Shkak u bë tablloja “Mbjella e pemëve”, një kompozim i një grupi të rinjsh, që punonin në një program të pyllëzimit.

Asaj kohe, mbi kriteret artistike të vlerësimit, dominuan kritere aspak estetike, gjë që çoi në penalizimin dhe ndalimin e tij si piktor për disa vite.

Ajo që do të duhej të ishte një përshkrim krejtësisht jofunksional, u gjykua të ishte tepër individualiste prandaj Hilës iu hoq leja për të bërë art.

Të kësaj periudhe janë edhe shumë vizatime grafiti dhe punë të bëra me bojëra uji. Ai thotë se këto punime të vogla i mbante të palosura dhe të fshehura në fletoret e tij. Për Edi Hilën këto vizatime të vogla marrin një rëndësi të veçantë, pasi nuk mbartin vetëm ditarin e jetës, por edhe të historisë së vendit. Në këto punime shpalosen lirshëm elementët figurative: kubiste, metafizike, abstrakte e konstruktiviste. Aty ndihen rrezatimet e artit dhe artistëve më të rëndësishëm modernë të kohës, por edhe individualiteti i veçantë i artistit në pasqyrimin e temave, që trajton, pavarësisht se guximi i tij artistik do ta penalizonte.

Mbjellja e pemeve

Mbjellja e pemeve

Kritikave të kohës, iu shtuan edhe ato mbi dekorin e festivalit të 11-të, pasi Hila punonte asaj kohe si skenograf në Radio Televizionin Shqiptar dhe ishte ai që realizoi dekorin e blasfemuar të këtij festivali.

Por, nga ana tjetër, kjo periudhë “ndëshkimi”, u bë frymëzuese dhe nxitëse në lidhje me qëndrimin e tij artistik, në afirmimin e eksperiencave të komunikimit dhe transmetimin e mesazhit krijues, jo vetëm në përmbajtje, por edhe në format artistike. Eksperienca jetësore dhe ajo profesionale, thirrja e brendshme e talentit të lindur, e mëson Edi Hilën, që për të krijuar një vepër, të mbështetet tek e vërteta jetësore, duke ruajtur lirinë e shprehjes artistike.

“Karriera e tij e dytë” filloi pas viteve ’90. Punimet që Hila krijoi në etapën e dytë dëshmojnë nevojën për të rishpikuar veten si artist në rrethana krejtësisht të ndryshuara, por ato gjithashtu dokumentojnë përmbysjet që transformuan një vend të tërë dhe njerëzit e tij.

Hila është një vëzhgues i zgjuar: tabllotë e tij kanë të bëjnë me ndryshimin, me shpresën dhe zhgënjimin, me krijimtarinë e njerëzve të zakonshëm, me luftën për të mbijetuar dhe për të drejtat, për vlerat dhe aspiratat shoqërore.

Arkitektura dhe mjedisi urban i sigurojnë atij fokusin e skenave të tij. Shumë vepra pasqyrojnë ndërrimet shoqërore në mënyrë indirekte, duke kapur reflektimet e tyre në jetën e përditshme, në ndërtesa, në strukturën e qytetit.

Ekspozim në Galerie Mitterrand Paris

Ekspozim në Galerie Mitterrand Paris

Në këtë fazë, interesante janë punimet e Edi Hilës të fokusuara në urbanizmin e Tiranës, ku ai ngërthen detajet që flasin për identitetin e saj.

“Shpesh ne harrojmë se temat që duhen trajtuar janë shumë pranë nesh, e ne vetë jemi pjesë e tyre”, thotë piktori Edi Hila. Ne jemi të përfshirë dhe nuk e dallojmë shpesh atë të veçantë që e kemi brenda këtij kryeqyteti ku jetojmë.

Kështu ka ndodhur me Bulevardin e Tiranës, të cilin ai e sjell të pikturuar, si një rikthim nga një këndvështrim i ri. Marrëdhëniet e qytetarëve me të gjatë viteve kanë qenë nga më të ndryshmet, bulevardi ka qenë dëshmitar i shumë ngjarjeve historike dhe personale të secilit prej nesh, prandaj Edi Hila ka dashur ta pikturojë bulevardin pikërisht nga ky këndvështrimi.

Karakteristikë e punimeve të piktorit Edi Hila është se ai punon me seri. Një pikturë e vetme, është e mangët për të shprehur refleksionin e artistit, prandaj ai punon me rreth 7-8 tabllo për një ide.

Puna në seri i lejon atij të përsërisë dhe ndryshojë një temë në mënyrë që ta paraqesë atë në të gjitha aspektet e saj ndërsa eksperimenton me formën dhe kompozimin.

Prania e munguar

Prania e munguar

Ndër seritë më të rëndësishme të Hilës, janë “Paradox” (2000–2005), “Marrëdhëniet” (2002–2014), “Kërcënimi” (2003–2009), “Objekte buzë rrugës” (2007–2010), “Shtëpitë nën çati” (2013), “Bulevardi i Martirëve të Kombit” (2015) dhe “Tenda në çatinë e një makine” (2017).

Tonalitete prej dheu në kombinime harmonike mbizotërojnë gjithnjë e më shumë në paletën e tij të ngjyrave. Nuancat delikate shkrihen në njëra-tjetrën dhe shpërbëjnë format, ndonjëherë në buzë të abstraksionit, duke u dhënë tabllove të tij një paqartësi ëndërruese dhe misterioze.

Eshtë interesant fakti, që një pjesë e madhe e veprave të Edi Hilës, janë ekspozuar së pari jashtë vendit, në galeri botërore dhe muzeume me emër. Ka qenë jehona e tyre dhe mënyra se si i ka pritur kritika e huaj këto vepra, si këmbanë kujtese për tu eskpzouar edhe në Tiranë.

U deshën këto dokumentime që të kuptohej rëndësia e veprës së tij edhe në Shqipëri. Viti 2018 shënon edhe ekspozitën e tij të parë retrospektive në Galerinë e Arteve në Tiranë, pas ekspzimeve në Muzeun e Artit Modern në Varshavë dhe në Athinë.

Edi Hila është një artist që i përket historisë së artit europian. Ai është një artist, vepra e të cilit përfshihet në të gjitha temat globale.

Skene Rruge nga cikli Paradokse

Skene Rruge nga cikli Paradokse

Edi Hila ka lindur në Shkodër në vitin 1944. Ka studiuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë. Pas viteve 90 ka punuar edhe si Pedagog në Fakultetin e Arteve të Bukura, Dega Pikturë.

Si një figurë e rëndësishme e skenës së artit ballkanik, vepra e Edi Hilës ka dhënë dëshminë e ndryshimeve të thella të 20 viteve të fundit. Duke refuzuar të emigrojë në një vend më të prosperuar ekonomikisht, Hila vazhdon të jetojë në Tiranë.

Ai ka marrë pjesë në ekspozita të shumta ndërkombëtare përfshirë Bienalen e Venecias, në Moderna Museet në Stokholm, në Hamburger Bahnhof në Berlin, në Muzeun Ludvig në Budapest, në Muzeun Essl në Vjenë, Bienalen e Liverpool-it, në New Gallery në Kassel të Gjermanisë, në Athinë, në Galerinë Miterrand në Paris, Në Qendrën e Artit Pampidou në Paris, në Muzeun e Artit në Varshavë, etj.

Neritana Kraja