Ishulli Hainan në Detin e Kinës Jugore ka një sipërfaqe mbi 30 mijë kilometra katrorë dhe është ishulli i dytë për nga madhësia në Kinë. Gjatësia e vijës bregdetare të ishullit arrin në 1944 kilometra. Hainan-i quhet nga biologët “muze natyror”, pasi në të rriten shumë pemë të çmuara dhe 102 lloje kafshësh të egra të mbrojtura nga shteti. Hainan-i është gjithashtu e vetmja zonë e banimit të kombësisë li në Kinë.

Ishulli Hainan ka pyje të dendura të virgjëra dhe det të pastër e blu, që së bashku me klimën e këndshme, e bëjnë një destinacion të famshëm turistik në Kinë që tërheq çdo vit turistë të panumërt vendas dhe të huaj. Në vitin 2010, qeveria kineze vendosi të ndërtojë Ishullin Ndërkombëtar Turistik të Hainan-it, me qëllim që Hainan-i të bëhet destinacion pushimesh i klasit botëror, ndërsa vjet qeveria publikoi politikën e ndërtimit të portit të tregtisë së lirë në ishullin Hainan. Në të ardhmen, Hainan-i do të jetë një ishull më i hapur dhe më tërheqës.

Ishulli Hainan është i përshtatshëm për ta vizituar gjatë gjithë vitit. Këtu nuk ka “dimër” dhe temperatura mesatare vjetore është 22-27 gradë celsius, ndërsa në muajin më të ftohtë, janar, temperatura arrin në 17-24 gradë. Temperatura e ujit të detit është 18-30 gradë, dhe me diellin e ndritshëm dhe plazhet e bardha, Hainan-i është shumë i përshtatshëm për banja dielli e larje në det nga turistët.

Nëse kanë shumë kohë, turistë mund të zgjedhin një turne rreth ishullit, kurse nëse pushimet nuk janë shumë të gjata, mund të vizitojnë qytetin Sanya, që ka peizazhin më të bukur bregdetar. Gjiri Yalong gjendet 10 kilometra larg qytetit. Këtu plazhi shtrihet për 7 kilometra dhe rëra është mjaft e imët. Deti është i pastër e i tejdukshëm, dukshmëria është 7-9 metra. Nën ujë jetojnë shumë lloje koralesh, të cilat mund të shikohen qartë nga bregu, prandaj Yalong-u është shumë i përshtatshëm për zhvillimin e sporteve ujore, si zhytja. Gjiri Yalong quhet gjithashtu “Havai oriental”. Përgjatë bregdetit të tij ka shumë hotele pushimi luksoze dhe ai është një vendpushim shumë i mirë.

Ishulli Hainan është gjithashtu “parajsa e ushqimeve të shijshme”. Ushqimet e freskëta të detit dhe ushqime të tjera të shumëllojshme me karakteristika vendore tërheqin çdo turist. Ndër to, mishi i pulës “Wenchang” është më i famshmi. Emri "Wenchang" vjen nga vendlindja e pulës, qyteti Wenchang. Pulat "Wenchang" jetojnë nën pemë dhe hanë fara peme dhe insekte. Mish i pulës “Wenchang” ka famë për butësinë dhe erën e mirë. Krahas kësaj, orizi me kokos, rosa “Jiaji”, gaforrja “Hele” etj. janë ushqime të Hainan-it që duhet të shijohen patjetër. (Foto nga VCG)