Njerëzit që jetojnë në Tiranë, e duan qytetin për intensitetin e tij, mundësitë që të jep dhe njerëzit e vullshëm që vërshojnë rrugëve të tij në garë me kohën, e cila rrjedh shumë shpejt. Megjithatë, nuk janë të pakët ato që e duan Tiranën për lokalet, që nga të thjeshtit fare deri tek spektakolarët, për rrugët me dyqanet ku bëhet shopping i markave ndër më të njohurat apo shëtitjet tek liqeni, një oaz i bukur që ngop qytetin me gjelbërim dhe ajër të pastër.

Kemi folur në rubrikën tonë, disa herë lidhur me atraksionet kulturore, turistike dhe monumentale të Tiranës. Sot do ju tregojmë se si të kaloni një ditë të qetë në kryeqytet, pa qenë të detyruar të zbatoni një plan rigoroz, të mbushur me orare dhe destinacione, që e keni të pamundur t’i zbatoni. Sepse në një ditë pushimi, ju keni gjithë të drejtën tuaj, ta shijoni Tiranën dembele, duke bërë një guidë rehatie për veten tuaj.

Shijoni jetën gastronomike në të gjitha dimensionet

Nisni ditën me kafe dhe ëmbëlsira. Filloni turneun tuaj me një kafe dhe ëmbëlsirë. “Mon Cheri”, apo “Sofi” është mbase zgjidhja më e mire, sepse ato ofrojnë ëmbëlsira të shkëlqyera, kafe ekspres dhe çokollatë. Uluni në një nga tavolinat e vendosura jashtë lokalit dhe pini kafen tuaj, ndërsa shikoni skenat rrugore të Tiranës.

Për një drekë të shpejtë shkoni direkt te Pazari i Ri, tregu i ri i Tiranës, një zonë e freskët që të kujton “La Boqueria” të Barcelonës. Këtu nuk do të gjeni vetëm fruta të freskëta, perime, erëza, raki dhe suvenire tipike, por edhe restorante të shkëlqyera për peshqit. Më i miri prej tyre është “Markata e peshkut”. Uluni këtu dhe porosisni linguine me fruta deti dhe peshk të pjekur në zgarë, dhe shijoni atmosferën e bukur përreth.

Ditët e diela, zakonisht janë edhe më të qetat sa i takon pasdites dhe mbrëmjes. Njerëzit duan të bëjnë gjëra pa ndonjë ritëm të vecantë. Nëse nuk qëndrojnë në shtëpi, dalin për kafe në ato takime që i shkojnë për shtat një ditë pushimi. Në situatë të zakonshme, pa pandemi, lokalet arrijnë të ftojnë mjaft të rinj mbrëmjeve, por asnjëherë e diela në darkë, nuk e ka atë shkëlqim dhe energji që ka e shtuna. Njerëzit përgatiten për të nisur një javë të re pune dhe ne ju sugjerojmë fuqimisht që të drejtoheni në “Nouvelle Vague”, ndoshta pub-i më i bukur në qytet, për të pirë kokteje frutash fantastikë dhe për të dëgjuar muzikë të mirë.

Shopping nëpër rrugët më të bukura të qytetit

Tirana dikur ishte një qytet gri, por disa vite më parë gjërat ndryshuan. Shumica e pallateve në qendër të qytetit janë ngjyrosur me mbishkrime mahnitëse dhe qyteti ka shumë murale të mrekullueshme. Shumica janë të vendosura tek zona e Bllokut, zona më e freskët e Tiranës me shumë kafene, bare dhe restorante. Koha kur Blloku ishte i ndaluar për njerëzit e zakonshëm, është tejkaluar dhe të rinjtë, as që e kujtojnë një fakt të tillë. Për ta Blloku është zona e lokaleve trendy, sfilatës së modës dhe dyqaneve për shopping. Blloku sot është kthyer në zonën më të gjallë të qytetit, perfekte për të kaluar një ditë të tërë pushimi, mes kafeve, koktejleve dhe shoppingut.

Në këtë zonë gjendet dyqanet dhe firmat më influente të modës, dyqanet e tyre kanë vitrina të mrekullueshme dhe ju mund të kaloni ditën, në mos duke bërë blerje, të cilat kushtojnë vërtet shumë në këtë zonë, mund të sodisni nga jashtë fasadave të qelqit luksin e tyre.

Kinema, libra, galeri dhe kokoshka

Pas drekës, nuk ka asgjë më të mirë sesa të shëtisësh nga Pedonalja, një rrugë e bukur për këmbësorë e mbushur me pemë, kafene, teatro dhe kinema. Gjatë ditëve të ngrohta të verës së Tiranës, ajo është një nga zonat më të frekuentuara të qytetit, sepse pemët formojnë një shteg me hije dhe është një vend i shkëlqyer për të shpëtuar nga temperaturat e nxehta të kryeqytetit.

Tirana artistike, e shfaq veten sidomos gjatë fundjavave, ku ju mund të bëheni protagonist i secilës prej skenave apo eventeve që Tirana organizon për qytetarët e saj, përmes institucioneve më të rëndësishme kulturore në vend, por edhe nismave private.

Rutina e “të dielës dembele”, shkërmoqet nga leximi i një libri në një nga kafenetë të cilat ofrojnë edhe libra për klientët e saj, nga një film i ri në kinema, shoqëruar me kokoshka, apo një vizitë në Galerinë e Arteve, ku në mos ekspozim i ri, ka gjithmonë dicka për të parë.

E7E është një bar restorant dhe njëkohësisht një nga hapësirat më artistike në qytet, që pret ngjarje kulturore, nga takime letrare dhe lexime, deri në shfaqje filmash dhe muzikë live, që zakonisht bëhen në fundjavë. Këtu, ju mund të përgjidhni librin që doni dhe ta lexoni ndërsa pini një kafe. E7E është një vend i përkryer për tu ndalur dhe për të takuar vendas të të gjitha moshave.

Ndërkohë vendi më i mirë për të shkuar gjatë një dite pushimi, nëse dëshironi të ndieni atmosferën e artit, është TullaCenter. Kjo qendër e mrekullueshme kulturore është tërësisht e përkushtuar për të promovuar artin dhe kulturën në Tiranë, kështu që pothuajse çdo fundjavë ka një ngjarje kulturore që ia vlen të shikohet. Nëse ju pëlqen të pini një koktej, të bisedoni me miqtë dhe të shijoni shfaqje muzikore, Tulla është lloji i vendit për ju.

Tirana është një nga qytetet më të gjallë të Evropës, çdo ndërtesë apo rrugë ka shumë mbishkrime me ngjyra. Për disa vite me radhë ka pasur disa iniciativa në Tiranë për të promovuar artistë dhe dizajnerë vendasdhe ndërkombëtarë. Mënyra më e mirë për të admiruar të gjitha grafitet e bëra prej tyre, është të shëtisni nëpër rrugë të tilla si Myslym Shyri, Bulevardi Bajram Curri si dhe të eksploroni rrethin e Bllokut, ku do të mahniteni nga veprat e artistëve të rrugës.

Neritana Kraja