Sa herë flasim për turizëm vetvetiu atë e identifikojmë me disa pika popullore siç është bregdeti i Jugut, Valbona, Apolonia apo Kruja por jo vetëm kaq. Në fakt në strategjinë e përgatitur së fundi nga qeveria për turizmin identifikohen disa zona që kanë pikërisht këtë pikë të fortë, potencialin e zhvillimit të turizmit.

Referuar dokumentit, lista e zonave të identifikuara me përparësi turizmin, përfshin: Brezin bregdetar, Parkun e Alpeve, Parkun e Bunës, Parkun e Vjosës, të gjitha njësitë administrative (në kufijtë e ish-komunave dhe ish-bashkive) me dalje në det, rrjedhat lumore dhe zona buferike rreth tyre, itineraret turistike dhe zona buferike përreth tyre dhe ishujt.

E njëjta strategji identifikon edhe disa itinerare që mund të ndahen në turistike, kulinare liqenore. “Turistiket identifikohen me Via Egnatia, Via Skënderbeg, Itinerari alpino – liqenor që lidhet përtej kufirit me itinerarin turistik të maleve Dinarike, Itinerari vozitës përgjatë liqeneve artificiale Koman – Fierzë, Itinerari kulinar – agroturistik” thuhet në dokument.

Po kështu janë marrë në analizë edhe akset rrugore panoramike dhe zonat e tyre buferike ku përfshihet aksi Përmet – Ersekë, Aksi Gjirokastër – Sarandë, Aksi e Qafë-Kërrabës, aksin Elbasan – Librazhd.

Në grupin e zonave me përparësi turizmin janë identifikuar disa vende në brendësi të territorit si Tërbufi, Mali i Dajtit, Liqenet e Lurës, Liqenet e Belshit, Liqeni i Shkodrës, Liqeni i Ohrit dhe i Prespës, Dardha, Voskopoja, Gjinari dhe Mali i Lënies, në afërsi të Rehovës.

Të fundit ndër kategoritë e përmendura në strategji janë sitet e UNESCO ekzistuese dhe të propozuara që nisin nga Gjirokastra dhe vijojnë me Beratin, Butrintin, Apoloninë, Varrezat e Selcës së Poshtme, zona natyrore dhe kulturore të Ohrit dhe Amfiteatri i Durrësit.

Zhvillimi i një pjese të këtyre zonave të identifikuara parashikohet që të mbështetet edhe me programe të tjera. Zona e Alpeve vetë si dhe Bregdeti kanë secila nga një plan të integruar për zhvillimin, kurse në mënyrë më periferike pritet që një ndikim të ketë edhe ndërhyrja përmes projektit “100 fshatrat”.

Ekspertët shprehen megjithëse me një terren malor që shtrihet nga jugu në veri, ende shfrytëzimi për qëllime turistike mbetet modest. Të interesuar më shumë për turizmin malor në Shqipëri janë britanikët, polakët, gjermanët dhe skandinavët.

Ndërsa turizmi malor, që së fundi po identifikohet edhe si turizmi rural, ka një kurbë rritjeje në Shqipëri, por që shifrat janë larg kapaciteteve dhe resurseve natyrore.

Disa nga zona tipike, të turizimit malor në Shqipëri, që kanë një bukuri të rrallë dhe janë të njohura si destinacione të afirmuara të këtij sektori përmendim :

Vermoshin, një vend interesant në Alpet Perëndimore . I vendosur në malet më veriore të Shqipërisë në një lartësi prej rreth 1000 m, 95 km nga Shkodra në rajonin e Kelmendit.

Fshati ka një klimë shumë të ftohtë në dimër, bora mund të arrijë edhe 1.5 m në lartësi. Ndërsa në verë, falë klimës së freskët, bëhet një vend pushimi i shkëlqyer për qytetarët që vijnë nga zonat e mbytyra urbane.

Gjëja e parë që tërheq vëmendjen gjatë udhëtimit është Qafa e Rrapshit, ku mund të shihni ujërat e kristalta të lumit Cem që krijojnë një kontrast të bukur me peizazhin përreth. Vermosh ndodhet në një fushë alpine në 1,100m mbi nivelin e detit e rrethuar nga shpate të larta.

Një udhëtim në këtë zonë të jep jo vetëm mundësinë e të provuarit të një botë midis jetës tradicionale të fshatit dhe bashkëkohores, përmes turizmit të aventurës

Maja e Jezercës gjithashtu , ofron shumë aktivitete në natyrë që mund të praktikohen në këtë park kombëtar, të tilla si ski, alpinizëm, peshkim, shëtitje dhe hiking në të gjithë luginën. Ndërsa në rrugët ujore të lumit mund të bëni sport ujor me kanoe. Nëse niseni për në Valbonë, mund ta përdorni si një pikënisje nëse doni të ngjiteni në kurorën e liqenit të Majës se Jezercës. Jezerca është edhe lartësia më e lartë në të gjithë Alpet Dinarike, duke arritur një lartësi prej 2,694 m dhe gjithashtu maja e dytë më e lartë në Shqipëri pas Korabit.

Ndërsa turizmi malor në Bogë, është vendi ideal për shëtitje në mal, ski dhe vizita të shpellave të lashta. Ndër shpella të saj mund të përmendim, Shpella e Gjek Markut, Shpella e Silikokave, Shpella e Zanave e cila ka një pjerrësi në zhytje dhe Shpella e Madhe, në veri të Shqipërisë..

Ndër mundësitë e zhvillimit të sporteve natyrore është alpinizmi i cili mund të aplikohet me ngjitje në majat e maleve që janë përreth kësaj zone. Ndër sportet e tjera që mund të zhvillohen janë: Gara me kuaj (hipizëm), shëtitje me biçikleta në fushën e Okolit, sporti i gjuetisë etj. Etleva Xhajanka