Pas çdo ekrani të televizorit ndodhet të paktën një person që ndjek telenovelat e përditshme. Kaq shumë kanë depërtuar në psikikën e publikut, sa të gjitha televizionet, kombëtare apo lokale, kanë përfshirë më shumë se një të tillë në programacionet e tyre.

Pas emisioneve të politikës, serialet televizive në ekranet shqiptare, shërbejnë si barometër i audiencës.

Tregu kryesor i serialeve, apo ndryshe, telenovelave, sot vjen nga Turqia. Blerjet nga prodhuesit turq të serialeve kanå rezultuar mjaft tå suksesshme, duke mbërthyer para ekranit me mijëra shikuese, sidomos femra.

Serialet, konsiderohet se janë argëtimi i preferuar i shumë njerëzve në të gjithë botën. Ndërsa, çka e bën të veçantë këtë lloj produksioni janë linjat e ndryshme që trajtohen brenda një seriali. Kjo do të thotë që të gjithë mund të gjejnë diçka interesante dhe arsye për interesim në to.

Serialet sot kanë një rol në ndikimin e masës, ndaj edhe janë mënyra më e mirë e përhapjes së informacionit në lidhje me gjërat që ndikojnë në botë. Mund të ndihmojnë të kuptojmë më mirë jetën, funksionimin e shoqërisë dhe njohjen e kulturave të ndryshme.

Para më shumë se një dhjetëvjeçari, tregun e mbizotërorin telenovelat latine. Sot ky klasifimim ka pësuar rrokadë.

Telenovelat turke kanë arritur të konkurrojnë famën e serialeve televizivë amerikanë, duke u shpërndarë përveçse në vendin tonë, edhe në Lindjen e Mesme, Azi dhe Amerikën Latine.

Sipas studiuesve, suksesi ndërkombëtar i këtij lloj televizioni është thjesht një shenjë e formimit të një kulture të re të masës. Ndërsa, prodhuesit turq të filmave shprehen se suksesi i tyre është pjesërisht falë faktit se ato flasin për ndjenjat e njerëzve, për familjen, në ndryshim nga filmat amerikan që kanë për qëllim më shumë zbavitjen.

Dhe kjo e fundit, për vendin tonë, ngjan më se e vërtetë.

Ka disa arsye pse shqiptarët janë fokusuar kaq shumë tek serialet turq.

Së pari, këto seriale trajtojnë në masë të konsiderueshme tema të prekshme të realitetit shqiptar. Zakonisht filmat fokusohen tek tema e familjes dhe probleme që ndeshen çdo ditë. Një trajtim i tillë i problematikës, është tepër i afërt me publikun shqiptar, i cili duket se sheh një pjesë të vetes aty. Mentaliteti ballkanas, është emëruesi i përbashkët.

Së dyti, zakonisht në filmat turq, fiton morali, vlera, në raport me të keqen dhe veset, të cilat në përgjithësi stigmatizohen. Trajtimi në këtë optikë, i bën njerëzit e zakonshëm, të gjejnë aryse për të konfirmuar brenda vetes, vlerat e një shoqërie me moral të lartë, edhe nëse realiteti shpesh na përball me të kundërtën.

Së treti, trajtohen në disa raste tema historike, përmes të cilave zbulohen në mënyrë të tërthortë mbi fakte historike, apo personazhe që lidhen edhe me vendin tonë, për shkak të lidhjes 500 vjeçare me Turqinë, në kohën e Perandorimit të saj, kur ne akoma nuk kishim fituar pavarësinë. Sulltanë, pashallarë, që për mirë apo keq kanë pasur rol në historinë e kombit tonë, për të cilët sot ka mjaft interes studimi, i gjejmë të mishëruar në personazhe filmash.

Të realizuar në lagjet më të bukura të Stambollit, apo brigjet e tij, në vilat me pamje nga Bosfori, apo lagjet periferike, më tej, në Izmir, Cappadocia, apo Pamukale, çdo seri e këtyre filmave, na drejton drejt eksplorimeve përrallore turistike. Ka shumë skena nga vendet më të bukura të Turqisë. Të shohësh këto filma është njësoj si të vizitosh Turqinë. Shumë njerëz, madje, vitet e fundit, dëshirojnë të shkojnë në vendet ku janë xhiruar shumë prej serialeve turke pasi kanë parë këto filma.

Disa njerëz i ndjekin dramat turke për të mësuar një kulturë të re. Pavarësisht ngjashmërisë ballkanase, përsëri ka vend për të mësuar gjëra të reja rreth praktikave kulturore dhe të gjitha këto duke e parë jetën e përditshme nga veprimet e personazheve. Përshëmbull, nëse ndiqni një serial turk, do të mësoni se këpucët vendosen gjithmonë jashtë derës së hyrjes, se një natë para dasmës organizohet nata e kënasë, ose se në shenjë respekti, të moshuarve u puthet dora.

Edhe sa i takon aspektit fizik, personazhet në serialet turke janë vërtet tërheqës. Edhe nëse janë biondë apo zeshkanë, aktorët gjithmonë janë shumë të pashëm dhe tërheqës. Nuk ka rëndësi nëse luajnë në role kryesore, apo role të dorës së dytë, në serialet turke vazhdojmë të shohim njerëz me pamje të mrekullueshme.

Telenovelat turke, të cilat në Turqi njihen me “Dizi”, janë një zhanër televiziv, me narrativë, vende dhe muzikë origjinale.

Çdo episodë zgjat zakonisht dy orë ose dhe më gjatë. Por në ekranet shqiptare jepen të copëzuara, për rreth 50 – 60 minuta. Çdo telenovele ka një kolonë zanore të vetën origjinale dhe mund të ketë deri në 50 personazhe. Ato xhirohen në vende të përzgjedhura dhe përdorin studiot e regjistrimit vetëm kur është e domosdoshme.

Personazhi kryesor zakonisht është i mirë, vjen nga një klasë social-ekonomike e ulët, mundësisht vjen nga fshati në qytet dhe bëhet pjesë e një trekëndëshi dashurie.

Sipas Izzet Pinto, themeluesit të Agjensisë Global, agjencia private turke numër një në botë për shitjen e të drejtave televizive të filmave turq në tregun botëror,ngritja e perandorisë së telenovelave filloi me filmin “Një mijë e një netë” të shfaqur në viitn 2006, i cili u rendit filmi më i parë në gati të 80 vendet ku u shpërnda.

Falë shpërndarjes ndërkombëtare dhe shikueshmërisë në mbarë botën, Turqia renditet vendi i dytë në botë pas SHBA-ve për shpërndarjen e filmave seriale televizivë — me shikueshmëri të lartë në Rusi, Kinë, Kore dhe Amerikën Latine.

Konsumuesi më i madh është Kili dhe më pas renditet Meksika dhe Argjentina, e cila shpenzon më shumë, krahasuar me vendet e tjera për të blerë të drejtën e transmetimit.

Sipas rrjetit britanik BBC deri më tani, Turqi ka shitur me dhjetëra seriale televizive në vendet e Ballkanit, në rajonin e Kaukazit dhe në Lindjen e Mesme. Bullgaria ka blerë numrin më të madh të serialeve turke në Ballkan. Pasuar nga Maqedonia e Veriut dhe nga Greqia. Sipas përfaqësuesve të sektorit televiziv, çmimet e serialeve turke janë rritur. Një episode mund të kushtojë nga 500 deri në 50 000 dollarë, në varësi të serialit, vitit të prodhimit dhe aktorëve pjesmarrës.

Tv Klan është televizioni kombëtar shqiptar që bën numrin më të madh të blerjese dhe të shfaqjeve të serialeve turke. Në ekranin e tij shfaqen 3-4 telenovela në ditë, ku telenovelat në Prime Time zakonisht janë prodhim i para njå viti dhe xhirimet e edicioneve vijuese ende vazhdojnë. Kjo vëmendje e televizionit ndaj serialeve turke lidhet me kërkesën e lartë të publikut shqiptar për serialet turke. Në shumicën e rasteve publiku i tyre ka krijuar edhe grupet ndjekëse nëpër rrjetet sociale, ku diskutohet gjerësisht për ta.

Neritana Kraja