Voskopoja është e njohur për qytetërimin e saj shekullor, peisazhin mahnitës, kishat dhe afresket e shumta, të cilat bartin në vetvete një trashëgimi të çmuar kulturore, si dhe ushqimet bio apo gatimet tradicionale. Pikërisht këto vlera artistike dhe arkitektonike të servirura në kishat e shumta të fshatit janë të pasura me imazhe të pikturave murale e ikonave, që shpalosin para turistëve fshatin, i cili dikur qëndronte në listën e qyteteve më të rëndësishme të Ballkanit.

Historia

Voskopoja është një komunë që ndodhet rreth 21 km larg nga qyteti i Korcës. E themeluar në vitin 1330 dhe e përbërë nga shqiptarët, arumunët dhe grekët, Voskopoja ishte një qendër e zhvilluar kulturore. Në shekuj ajo është endur mes qytetit dhe fshatit. Vendbanimi shfaqet në dokumentacionin historik me trajtat, Voskopojë, Voskopol ose Moskopol. Ndërsa në aktet e Patrikanës së Ohrit, emri shfaqet rrallë, por gjithnjë në formën Moschopolis.

Në aktet tregtare, veneciane apo franceze, ajo shfaqej në të dya format, Voscopolis e Moschopolis. Kronisti Gjon Muzaka përdor formën Voscop për fshatin fqinj, thuajse homonim të Voskopojës. Në këtë vështrim duket se forma Moskopolis lidhet me popullsinë vllahe të vendit dhe të komuniteteve të tjera vllahishtfolëse e greqishtfolëse në Maqedoni e Thesali. Në kodikun e Shën Prodromit gjendet forma Moschopolis. Por kur hartuesi ish-peshkopi i Gorës, Mihali, transkriptoi dokumente arkivore në kodik, gjithnjë ruajti trajtën Voskopojë.

Voskopoja në dimër

Voskopoja në dimër

Elementi më i çuditshëm i Voskopojës ishte standardi demokratik i administrimit. Ajo drejtohej nga borgjezia tregtare dhe zejtarë në mënyrë të pavarur nga Porta e Lartë nëpërmjet parimit të votimit.

Këtë e konstatojnë shumë studiues të huaj, të cilët citohen edhe në librin “Historia e Perandorisë Osmane” nën drejtimin e Robert Mantranit. Voskopoja ishte një qytet autonom brenda Perandorisë Osmane i përbërë nga shqiptarët, grekët dhe vllehët.

Ndërkohë Voskopoja u shkatërrua nga disa djegie të njëpasnjëshme . Në vitin 1769 fiset myslimane, shqiptarë të Dangëllisë e sulmuan si qendër ortodoksie si hakmarrje për sulmin e rusëve në More më 1768, me arsyen se karvanët e qytetit kishin tre vjet që nuk i kishin paguar taksën e këmborës për dervenagët (rojtarë qafash) e Dangëllisë. Kulmi arriti në 1788 kur trupat e Ali Pashës e rrafshuan përfundimisht. Një pjesë e tregtarëve voskopojarë u vendosën në Korçë e Berat, ndërsa shumica u largua për në Thesali, Austri, Mbretërinë e Hungarisë si dhe në Transilvani, ku luajtën një rol kyc në Rilindjen Kombëtare Rumune. Ndonëse Daniel Voskopojari rindërtoi një shkollë në vitin 1802, qyteti nuk e mori më veten kurrë. Sikur të mos mjaftonte kjo Voskopoja u plaçkit edhe një herë nga banda e Sali Butkës në 1916.

Kulturë dhe traditë

Voskopoja ruan vlera të mëdha të artit mesjetar. Punimet e artizantit shërbyen si urë lidhëse jo vetëm brenda vendit, por edhe midis vendeve fqinje Greqi e Turqi .

Zhvillimi në Voskopojë i profesioneve të zejeve të kohës së vet u bë një nxitës real konkurencë në të gjithë Ballkanin, duke dhënë shenjat e para të një kulture paraindustriale, që do të sillte padyshim një zhvillim parakapitalist të domosdoshëm për zhvillimin e rajonit. Mallrat që prodhoheshin në Voskopojë kanë qenë të famshme dhe ndonjëherë për t’u dalluar mbanin të gdhendur shqiponjën, siç ndodhte me sënduqet.

Lulzimin më të madh Voskopoja e ka pasur në vitin 1764, kur popullsia e saj arriti në rreth 30 mijë banorë. Në atë periudhë kishte 25 kisha me afreske nga më të lakmuarat, ndërsa tani nuk kanë mbetur më shumë se 8 të tilla.

Kishat e Voskopojës

Kishat e Voskopojës

Në të njëjtën periudhë në këtë qytetërim ka pasur Akademi, Biblotekë, Shtypshkronjë. Për aq kohë sa Voskopoja lulëzoi, një numër shumë i madh të rinjsh shqiptarë, grekë dhe vllehë u shkolluan dhe formuan një identitet europian me idetë iluministe të dijeve pozitiviste. Diplomantët e atyshëm e siguronin me lehtësi hyrjen në universitetet e kryeqyteteve europiane, kryesisht studimet si mësues, doktorë, ekonomistë, filozofë dhe juristë.

Voskopoja ishte edhe qendër e lëvrimit të shqipes. Anastas Kavaljoti ishte ai që mendohet se përgatiti alfabetin e parë shqip, madje shkroi dhe disa traktate që janë zhdukur. Këtë gjuhë nuk e shkruanin vetëm Kavaljoti, Adam Haxhiu dhe Grigori, por edhe të tjerë, duke arritur të shqipëroheshin Dhiatat në atë qytet, të përdorej jo vetëm alfabeti grek, por edhe një alfabet i krijuar posaçërisht për shqipen. Kjo do të shërbente pikërisht si bazë për krijimin e identitetit shqiptar dhe bazën për kalimin nga një identitet protonacional drejt një identiteti nacional dhe që do të ndikonte në krijimin e nacionalizmit shqiptar para grekëve, serbëve dhe bullgarëve.

Ndërkohë Voskopoja edhe sot ruan një traditë të lashtë të rrugëve me kalldrëm dhe tek banesat me gurë të gdhendur e me sofate të gurtë përpara portave të shtëpive. Gurët me ngjyrë të errët, të gdhendur me mjeshtëri e durim nga gurëskalitësit e njohur, gorarë, oparakë, panaritas nga Lavdari etj, i japin bukuri të veçantë banesave që zbukurojnë rrugët e qytetit. Edhe vetë ata gurë, prej së largu janë sjellë. Trëndafilat karakteristikë zbukurojnë oborret dhe rrugicat e Voskopojës.

Hotel në Voskopojë

Hotel në Voskopojë

Turizëm

Histori, kulturë, natyrë të mrekullueshme dhe mbi te gjitha gatime tradicionale kjo është një pakete e plotë që ofron fshati turistik i Voskopojës, që në pak zona simotra ke mundësi t'i shijosh. E ndërtuar e gjithë me gurë dhe dru, ajo pret në çdo stinë, qindra pushues. Mes bredhave të lartë, kjo pikë është e pasur me sasi të lartë të ozonit në oksigjen, deri në 24 %, që në Evropë gjendet vetëm në një fshat në Bjellorusi. Voskopoja është një prej fshatrave, ku kultura, tradita dhe peisazhi unifikohen në mënyrë harmonike për t’i dhënë asaj vlera turistike të përhershme.

E rrethuar mes malesh, bri pyjeve të dendur ajo mbetet një nga vendet më përrallore. Voskopoja, që ka shërbyer si muzë për shkrimtarë, studiues apo historianë, vazhdon të jetë djep i kulturës. Kjo e fundit sot gjithmonë e më shumë po funksionon për nxitjen e turistëve.

Voskopoja mbetet e preferuara e atyre që janë të apasionuar pas skive. Në dimër funksionon “Pista e Skive”, ku zhvillohen edhe garat e famshme rajonale. Voskopoja mbetet një nga vendet e pakta në vend ku mund të zhvillohen këto lloje sportesh dimërore.

Voskopoja nuk ka vetëm historinë dhe kulturën apo shtëpitë dhe bujtinat e ndërtuara me shije dhe të gdhendura në gur, por e veçanta e saj kanë qenë dhe mbeten gatimet e amvisave voskopojare. Gjeli i fshatit, shqerra e pjekur, petullat e gollozhegut, bakllavaja, pengjiri janë vetëm disa nga gatimet me të preferuara të turistëve, një stil gatimi që vetëm vendaset ia dinë sekretin.

Elida Lazi