Shqipëria është një vend i bekuar me bukuri natyrore, trashëgimi të pasur kulturore dhe kuzhinë tipike mesdhetare, arkitekturë të larmishme, por së paku 5 fshatra me përmbajnë potenciale të larta për zhvillimin e agroturizmit, pasi në to kombinohen të lidhura fort të gjithë këto komponentë.

Një studim i publikuar së fundi nga IOM, ka evidentuar se Zvërneci në Vlorë, Bënja, Kosinja dhe Leusa në Përmet dhe Razma në Shkodër janë fshatra tipike në Shqipëri ku gërshetohen më së miri bukuritë e natyrës, harmonia fetare, objektet e trashëgimisë kulturore dhe disa veçori tipike të banorëve që u sigurojnë këtyre fshatrave zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit.

Për shembull në fshatrat e Përmetit, trashëgimia monumentale është e jashtëzakonshme. Në veçanti, kishat e Leusës dhe Kosinës së bashku me Urën e Katiut në Bënjë ofrojnë potencial të lartë për turizmin kulturor.

Trashëgimia kulturore e fshatrave të Përmetit rrethohet nga një sfond madhështor natyror. Parku Kombëtar “Bredhi i Hotovës-Dangëlli”, rrugët më kalldrëm, shtëpitë tradicionale prej guri, Kanioni i lumit Langarica dhe zona termike e Bënjës, çdo vit e më shumë tërheqin turistë shqiptarë dhe të huaj. Sidomos Bënja ka një pozitë të privilegjuar krahasuar me dy fshatrat e tjerë, pasi është shpallur një qendër historike që në vitin 2016.

Zvërneci në Vlorë ka një kombinim të ngjashëm të bukurive të natyrës me monumentet historike. Kisha e Marisë në ishullin e Zvërnecit, tashmë një destinacion turistik, ofron mundësi për të reflektuar jo vetëm në vlerën e brendshme të monumentit, por edhe me peisazhin i lagunës. Zvërneci është i vendosur pranë zonës së Mbrojtur Vjosë-Nartë, një ekosistem unik me biodiversitet të jashtëzakonshëm. Varietetet e shumta të habitateve janë faktor kryesor për zhvillimin e turizmit në fshat.

Razma në Veri, në rajonin e Shkodrës përbën një rast të veçantë nga këndvështrimi i trashëgimisë arkitektonike. Fshati pasqyron qytetërimin e Shkodrës në fillim të shekullit të 20-të, pasi një kompleks interesant rezidencial i fillim shekullit të kaluar ndodhet në qendër të fshatit.

Si një qendër e hershme e turistike, Razma veç të tjerash ndodhet në mes të bukurive natyrore. Është shumë afër parkut Rajonal të Shkrelit, teksa parku i Alpeve Shqiptare krijon një peizazh të jashtëzakonshëm alpin. Vendbanimet e kasolleve malore në kullotat alpine përreth fshatit tregojnë shumë për tiparet specifike te jetës në alpe.

Studimi vë në dukje se në të pesë fshatrat, trashëgimia kulturore, ajo jomateriale është shumë e veçantë. Edhe pse një pjesë e dukshme e traditave lokale është zbehur është akoma e mundur të identifikoheshin elementët të saj domethënës.

Në Përmet, ajo që përshkon të gjithë zonën është padyshim tradita muzikore e iso-polifonisë. Kjo traditë gjen përfaqësuesin e saj më të shquar, Laver Bariu, muzika e të cilit shkëlqen edhe sot kudo në Përmet. Përveç kësaj, zona e Përmetit është veçanërisht e njohur për kontributin e saj në pedagogjinë dhe prodhimin letrar (falë pranisë së vëllezërve Frashëri), për tradita gastronomike si dhe për gërshetimin artizanal, qëndisjen dhe tradicionalen veshje dhe gjithashtu punime druri dhe guri që arritën shkëlqimin që në mes të shekullit të 18-të.

Në Zvërnec, prania e Lagunës së Nartës ka çuar në një zhvillim më të madh të traditave në lidhje me peshkimin dhe prodhimin e kripës.

Ndërsa në Razëm, xhubleta me rrënjët e saj antike luan një rol të rëndësishëm në kulturën rajonale së bashku me traditën rapsodike, e cila për shekuj me radhë ka kontribuar këngët e eposit të kreshnikëve.

Këto zona të ndërthurura me zhvillim të agroturizmit, synojnë të kthehen në qendra potenciale ekonomiko-turistike. Nga ana tjetër agoturizmi ia ka dalë të jetë një histori suksesi në luftë me pandeminë. Disa prej këtyre subjekteve raportojnë rritje të fortë të frekuentimit, në vijueshmëri.

Një pjesë pohojnë se do të kenë fitim modest, të tjerë vetëm sa kanë siguruar mbijetesën, por nuk mungojnë edhe ata që janë goditur rëndë. Pavarësisht situatës, të gjithë pohojnë se sektori ka potencial duke vijuar me shtimin e akomodimit, sistemimin e fermave dhe territorit të tyre rrethues, madje orientimin drejt investimeve “luksoze”.

Sot nga jugu në veri të vendit nuk mungojnë investimet në destinacionet agroturistike nga më populloret e deri tek ato më pak të njohura. Në këto destinacione mund të gjesh gjithçka, mal, det, fushë, ujëvarë, pyje e bukuri natyrore pafund, që fatmirësisht Shqipërisë nuk i mungojnë.

Historitë ndryshojnë nga njëri rast në tjetrin, në varësi të disa faktorëve si “marka” që kanë krijuar, marketimi që i kanë bërë asaj, vitet në treg, pozicionimi gjeografik. Sigurisht viti 2020, për shkak të pandemisë, ka rezultuar sfidues për çdo biznes, por agroturizmet duket se ia kanë dalë të ecin përpara, duke ndihmuar jo vetëm biznesin e tyre, por edhe ekonominë lokale përreth.

Fatmirësisht, agroturizmet nuk e shohin të lidhur aktivitetin e tyre vetëm me verën. Ndaj frekuentimi përtej stinës së nxehtë, në vjeshtë apo në dimër, është një shpresë më shumë për të rikuperuar diçka nga humbja që u shkaktua nga pandemia, por duke sjellë edhe modelet e zhvillimit të së ardhmes.

Etleva Xhajanka