Pavarësisht madhësisë së saj, Shqipëria i ofron turistëve gjithçka që ata do të mund të dëshironin të vizitonin: mal, det dhe qytet. Nga kryeqyteti i vendit, Tirana, një qytet me arkitekturë të rrëmujshme dhe moderne njëkohësisht, tek plazhet e jugut që përbëjnë joshjen e çdo vere, sidomos për vajzat dhe djemtë e rinj, për të përfunduar tek fushat e livandos në veri, që shumë kush i krahason me Provance…

Plazhe të virgjër, fusha të parfumuara nga livando, apo fasada moderniste qëi përkasin jetës urbane, Shqipëria është plot me vende që janë tejet të lakmuara për Instagram. Jo si qëllim në vetvete, por si destinacione që nuk duhen humbur. Ne kemi zgjedhur tre prej tyre, që përcaktojnë tre tipologji të ndryshme. Ndër më të pëlqyerat për instagram. Le t’i hedhim një sy!

Riviera Shqiptare

Të udhëtosh përgjatë bregdetit në Shqipëri është një nga aventurat më mbresëlënëse që mund të ndërmarrësh në jetë. Riviera shqiptare është “shtëpia” e disa prej plazheve më të bukur të detit Mesdhe, si plazhi i Dhërmiut, Drimadhes, Borshi, Lukova, apo Ksamili. Është thjesht e pamundur për të mos shkrepur fotografi fantastike përgjatë vijës së egër bregdetare të jugut të Shqipërisë e për të mos i hedhur në Instagram. Fotot nga sezoni veror i rivierës shqiptare, janë të parat në klasifikimin e listës sonë.

Bregdeti jugor i Shqipërisë është vendi i plazheve idilike, gjireve të fshehura, fshatrave me kisha me kupola blu dhe manastireve të strukur në pyje. Eshtë bërë e modës që blogerët e njohur apo më të rinj, por edhe turistë të zakonshëm, të ndalojnë për pushime në një ose dy fshatra dhe pastaj të eksplorojnë mjedisin, prej të cilit burojnë me dhjetëra foto impresionuese.

Nga zhytja në det, tek eksplorimi i shpellave nënujore, hedhja me parashutë, ngjitja nëpër shtigje, eksplorimi i kalave, festat e jugut, gjithçka e gjejmë të ekspozuar në Instagram, duke rrëfyer një përvojë që nuk duhet humbur. Këto foto reklamojnë rivierën e jugut si atraksionin numër një të sezonit të verës dhe zgjojnë dëshirën e turistëve për ta vizituar atë.

Zgjedhja në mënyrë të pashmangshme bie mbi Dhërmiun, fshatin më simpatik të Rivierës me plazhet e tij të mahnitshme dhe plazhin aty pranë të Drimadhës, një nga më të bukurit e bregdetit Jon. Himara, e rrethuar nga plazhet e mbuluara me ujë kristal është destinacioni i përsosur për të vizituar kalanë mbresëlënëse të Ali Pashë Tepelenës, ose Saranda, me klubet dhe restorantet e saj të famshme.

Cilado qoftë zgjedhja se ku të qëndroni, plazhet për të eksploruar përgjatë bregdetit, përveç atyre të përmendura më sipër, janë shumë dhe meritojnë fotografi në Instagram.

Jo rastësisht Riviera është e para në listë për foto në Instagram, pasi është ndër destinacionet më të masivizuara dhe secili ka të drejtën të hedhë në instagram një copëz nga e vërteta e tij e pushimeve. Nga personazhet Vip, njerëzit e politikës, askush nuk i shpëton tundimit për pakëz rivierë në Instagram.

Fushat me livando në Koplik

Më shumë se pesë milionë njerëz në Botë janë fiksuar me vendin më piktorest të momentit në Instagram. Fushat me livando janë kthyer në një atraksion turistik për të gjithë blogerët ose njerëzit e zakonshëm që thjesht kanë pasion fotografinë. Dhe për këtë qëllim, ato u drejtohen fushave të famshme me livandër në Francë apo Kinë.

Mirëpo të mos harrojmë se edhe tek ne ekziston një mundësi e tillë. Për tu fotografuar për Instagramin, në një fushë livandoje, mjafton të shkoni tek Fushat e Livandos në Koplik. Eshtë vendi ku mund të ndaloni për një set të mrekullueshëm fotosh me livando, pa marrë rrugët për në Provance të Francës, Mayfield Lavender të Britanisë, apo të Blues Dreamland të Kinës, por thjesht duke u drejtuar veriut të Shqipërisë.

Në këtë zonë, në veri të Shkodrës, ndodhet një nga rajonet më të panjohura, të vendit, që ruajnë një bukuri të fshehur. Ka disa arsye pse të gjithë duhet ta vizitojnë këtë zonë, përfshirë faktin që ajo ka çmime mjaft të lira. Arsyeja kryesore janë fushat mahnitëse të livandës që gjenden atje. Malësia e Madhe duket si Provence, në Francë, por është shumë e lirë në çmime dhe nuk ka shumë njerëz.

Kujtojmë se në dy vitet e fundit, fushat e Livandos në Koplik, janë kthyer në vendin më të fotografuar në Instagram, sa i takon destinacioneve të reja për tu zbuluara, duke u shndërruar menjëherë në trend.

Të gjithë po vrapojnë atje, disa edhe thjesht për një foto në të cilën me krenari shkruajnë në forma të ndryshme, por me të njëjtën fabul: Jemi në Shqipëri, jo në Francë. Kjo për faktin se Franca ka një ndër fushat më të famshme në botë me livando, në rajonin e Provencës.

Fushat me Livando, ndodhen një pas tjetrës, joshëse për sytë. Të krijojnë vërtetë një ndjesi sureale, pasi ndjehesh rrethuar nga Alpet blu dhe pemët e larta, mes mrekullisë së ngjyrës lejla. Si në përralla. As kësaj tendence nuk i kanë shpëtuar njerëzit e politikës, apo vajzat e ekraneve, pa harruara blogeret e famshme, të cilët e kanë kërkuar me ngul dhe e kanë bërë vizitën e tyre në fushat e livandos në Koplik, bashkë me foton konfrmuese për Instagram.

Periudha në të cilën bima korret, është mesi i korrikut, prandaj, nëse keni ndërmend ta vizitoni Thethin apo Razmën, e të ndaloni për një set në fushat me Livando rrugës së Koplikut, bëjeni para kësaj date.

Stadiumi AirAlbania

Stadiumi AirAlbaniaose Arena Kombëtare është një nga veprat më të fundit të ndërtuara në Tiranë. Struktura e tij shumëfaqëshe, është tejet e veçantë dhe lejon që secila palë të lejojë hyrjen në pjesët e tjera të ndara. Në cep të stadiumit ngrihet një kullë e lartë 112 metra (24 kate), e cila aktualisht është kulla më e lartë në Shqipëri.

Ndonëse i ri, madhështia dhe ngjyra e kuqe dhe e zezë e stadiumit, këndet e krijuara, por dhe motivet e qilimave shqiptarë që kanë mbushur sheshin Nënë Tereza, kanë krijuar një hapësirë tjetër të përsosur për foton më In në Instagram. Në fakt kjo është një kënaqësi për ata që pëlqejnë të eksplorojnë Tiranën urbane dhe të shpezojnë kohën më të madhe, rrugëve të kryeqytetit shqiptar, mes shëtitjeve në Bllok, ecjeve në Bulevard, apo bareve dhe restoranteve mbresëlënës.

Fasada madhështore e stadiumit të ri, është kthyer në vendin më të pëlqyer për një foto me motiv Shqipërie.

Stadiumi “AirAlbania” është projektuar nga Marco Casamonti. Arena Kombëtare njohur si Stadiumi “AirAlbania” është ndërtuar në vendin e ish Stadiumit “Qemal Stafa”. Ai ka një kapacitet prej 22.500 vendesh që e bën stadiumin më të madh në Shqipëri.

Stadiumi, ndonëse dikur ka qenë si një tempull për sportëdashësit shqiptar, me ndërtimin e të riut me një fasadë shumë mbresëlënëse, ku janë rajtur elementë edhe nga stadiumi i vjetër, është kthyer vec të tjerash, në vendin më të fotografuar për Instagram, duke prezantuar një copëz historie të rëndësishme të Tiranës. Ngjyrat kuq e zi të fasadës, shërbejnë si burim krenarie dhe njëkohësisht si sfond mjaft modern, për t’i dhënë një dimension përtej të zakonshmes, fotove të Instagramit.

Neritana Kraja