Sali Shijaku, piktori brilant që sapo ka mbushur 88 vjeç, piktori që me krenari secili do të donte të kishte të varur në shtëpi, diçka nga punimet e tij, është prezantuar me një ekspozitë ku përmblidhet puna e një harku kohor prej 50 vitesh.

Janë 112 vepra në vizatime, pikturë dhe skulpturë, disa prej të cilave të paekspozuara asnjëherë më parë, por që tani i prezantohen publikut në qendrën për dialog në kryeministri.

Piktori Sali Shijaku, një nga artistët më origjinal të artit figurativ shqiptar, bën një ftesë të hapur, për të hyrë në kuzhinën e tij mjeshtërore dhe për ta parë krijimtarinë e tij në një këndvështrim shumë më informal dhe konfidencial. Në ditën e inagurimit, pavarësisht moshës dhe situatës emotive të shkaktuar nga humbja e bashkëshortes, vetëm pak ditë para hapjesë së ekspozitës, piktori vazhdon të jetë modest e fjalëpak, ndonëse përmasat e punës së tij janë të jashtëzakonshme.

“Këto punime janë të bëra në dekada, herë pas here, me qëllim të një embrioni me një tematikë më të madhe në të ardhmen, që është shumë komode, sidomos në këto mosha që jemi ne sepse po plakemi, por prap po bëjmë ndonjë vizitim”, shprehet piktori Sali Shijaku.

Bëhet fjalë për boceta të vogla, skica të cilat më tej zhvillohen, si pjesë e projekteve të mëdha artsitike. Pa këto skica të vogla, nuk mund të lindin dot vepra të mëdha, të përmasave monumentale, të cilat nuk mungojnë në karrierën e gjatë artistike të artistit. Ndonëse, tani për shkak edhe të moshës, siç tregon ai vetë, pëlqen të bëjë përsëri skica, pasi janë më të thjeshta për tu bërë edhe si volum pune.

Kjo është arsyeja që në ekspozitë gjemë boceta, skica apo vizatime të bëra gjatë viteve, si dhe të reja, të realizuara së fundmi, por gjithsesi të paekspozuara më parë.

Sali Shijaku duke folur për procesin krijues, si artist, tregon se vizatimi është hapi i parë i punës së çdo piktori dhe se gjatë gjithë jetës së tij i ka dhënë rëndësinë që meriton.

Ai e ka vlerësuar shumë këtë etapë të punës krijuese, ndaj ka qenë prezent, aq shumë sa ka mundur, në çdo aktivitet apo ngjarje, për të marrë frymëzimin e parë përmes skicave. E tillë është edhe skica me lodraxhiun me një këmbë, të cilën e ka realizuar gjatë provave të koncertit të një shfaqje artistike.

“Një vizatim më mbeti mua i pambaruar dhe e botuan në gazetë. Ishte pa një këmbë. Dhe thonin “Sali Shijakut, i mbeti vizatimi pa mbaruar sepse pushoi lodra”. Sepse unë po e bëja me ritmin e lodrës”.

E gjithë kjo pasuri vizatimesh, një botë e panjohur e Sali Shijakut, vjen e ekspozuar.

Punimet e prezantuara ndahen në disa kategori artistike, ku dallojmë Ciklin e nudove, ku për herë të parë ekspozohen 12 vizatime nudo, të realizuara në harkun kohor 2000-2010, Ciklin e abstrakteve, ku bëjnë pjesë 16 vizatime e piktura abstrakte dhe Ciklin e legjendave, ku janë prezente figurat homerike të trajtuara shpesh nga autori përgjatë jetës së tij artistike.

Një tjetër element i veçantë i ekspozitës është ekspozimi bocetit të monumentit të “Lirisë”, me një detaj të rëndësishëm, sepse piktori e ka ripunuar bocetin e statujës monumentale pak ditë përpara ekspozimit, duke krijuar një cikël pune që nga viti 1976 e deri më 2021.

Në ekspozitë nuk mungojnë as autoportretet e piktorit, i fundit nga të cilët është realizuar në vitin 2010.

Sali Shijaku konsiderohet si një ndër koloristët më të mirë shqiptarë, lëvrues i motiveve popullore, të cilat e kanë udhëhequr gjithmonë si burim frymëzimi. Në kohën kur lëvrohej realizmi socialist, gjeti strehë tek legjendat dhe epika shqiptare, duke rrëfyer karakterin e vet artistik e duke mos humbur veten. Orët, zanat, trimat, figurat homerike janë subjekte të përzgjedhura të tij, trajtuar me individualitet. Jo rrallë herë i është dashur të bëjë beteja që arti i tij të fitojë, pasi shpesh është cilësuar edhe si modernist dhe dekadent. Ai kujton një moment të tillë në karrierën e tij, kur hasi në kundërshtinë e ekspozimin e një vepre të tij, titulluar “Kreshniku”.

“Nuk donin që ta varnin (ekspozonin) Kreshnikun. Ishte problemi se ishte surrealist. Unë u thoja “jam realist”, nuk i disponoj mjetet sureale. Unë i thoja “Mujo” atëherë, por këta i thonin “Kreshniku”. Në këtë vepër, një malësor është ulur dhe i bie lahutës tek mustaqet e tij. Dhe prap nuk është, nuk e bëj surealizëm, sepse mjetet nuk i kam sureale. I shtyn caqet e realizmit socialist dhe je mu atje me artin dekadent, me tendencat e modernistëve…”

Sali Shijaku, është një pikë referimi e padikutueshme e arteve pamore, një figurë kyçe e historisë së pikturës sonë dhe një person me të cilin lidhet jeta artistike e shumë të tjerëve qofshin kolegë, breza të tërë studentësh që u inspiruan dhe motivuan nga ai.

Ekspozita e tij e fundit, për të cilën edhe ai vetë shprehet i habitur për seriozitetin me të cilin u organizua, është një rast që nuk duhet humbur. Ndonëse u hap me një ceremoni të vogël zyrtare, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri i vendit, Edi Rama, shumë shpejt ekspozita do të jetë e hapur edhe për publikun e gjerë.

Piktori Sali Shijaku bën pjesë në artistët që veprën e tyre ia kushtuan artit të së ardhmes, ndërsa jetën e ka bërë dhe e bën të heshtur në vilën e tij shekullore, e cila është shndërruar në një muze dhe galeri të mirëfilltë arti, ku çdo detaj, çdo ekspozim, të lidh me veprën e piktorit e traditën tiranase. Dhoma kryesore e saj është shndërruar në një galeri të përhershme arti, ku janë ekspozuar veprat e piktorit Sali Shijaku, të cilat mund të vizitohen në çdo kohë. Ndërkohë është rast për të mos u humbur, ekspozita e fundit me vepra të panjohura të Sali Shijakut, e ekspzouar së fundmi në kryeministri.

Ndonëse veprat e tij sot janë shpërndarë në shumë vende të botës, përveç një pasurie të madhe veprash që e gjeni në shtëpinë e tij, rreth 90 vepra ruhen në fondin e artë të Galerisë Kombëtare si pjesë e një koleksioni të çmuar.

Neritana Kraja