Libohova është një qytezë në juglindje të Gjirokastrës, që shtrihet mes luginës së Zagorisë dhe Pogonit, të njohura për bukuritë e tyre natyrore dhe ujrat e ftohtë dhe të kristaltë. Qyteti i Libohovës dhe Zagoria janë destinacioni ideal për të gjithë ata që janë të interesuar për histori, legjenda apo objekte kulti, për ata që e duan natyrën dhe dëshirojnë të shijojnë gatime tradicionale.

Libohova

Libohova

Historia

Për gjenezën e qytetit ka pikëpamje të ndryshme ende të pakonsoliduara, për shkak të mungesës së gërmimeve arkeologjike dhe burimeve historike.

Një pjesë e studiuesve mendojnë se qyteti daton rreth shekullit të VII- p.e.s. Ndërkohë. Libohova si qendër urbane njihet që nga shekulli IV-III p.e.s. Kjo na vjen si fakt pasi në luginën e Dropullit të sotëm, në Jugun e Shqipërisë, që është edhe e pjesë e Epirit iliro-shqiptar, si qendër administrative ka qenë qyteti antik i Antigonesë, i ndërtuar nga Pirroja i Madh për nder të gruas së tij, Antigonës.

Antigonea është sekreti i madh i një vargu qytezash ilire të quajtura “qyteza asteroide”, si Libohova, Labova, Melani etj., që kanë qenë shumë të rëndësishme për kryeqendrën, Antigonenë, në të gjitha kuptimet.

Në këtë periudhë antike Libohova ka pasur një emër fillestar antik. Studiuesi i madh i hartave të vjetra, Kiperti, në bazë të gradëve dhe dimensionit real gjeografik, me pozicionin e sotëm të Libohovës, vendos një qytet të lashtë me emrin Orestia, të tjerë, ose qytetin Omfalion, madje edhe qytetin me emrin Elaeus.

Ndërkohë studiues të tjerë thone se Libohova e ka marë emrin pas shekullit të VI, pasi sllavët u dyndën dhe pushtuan Arbërinë.

Mbi këtë emër mendohet të ketë dy kuptime; i pari Libohova, vend buzë fushës, luginës dhe i dyti, Libido, që do të thotë i dashur me kuptimin vend i bukur dhe prapashtesa përkëdhelëse.

Qyteti i lashtë i Adrianopolit

Qyteti i lashtë i Adrianopolit

Në shekullin II jeta administrative e Antigonesë vdes dhe perandori romak Adriani ndërton në fushë të Dropullit kryeqendrën e re zëvendësuese, qytetin me emrin e vet, Adrianopolin (nga vjen edhe toponimi Dropull) në epokën e Pax Romanas (Paqes Romake), ndaj ky qytet nuk ka mure fortifikuese. Libohova mbetet përsëri një “qytezë asteroide” e Adrianopolit.

Në shekullin VI, pra mbas 4 shekujsh në epokën e trazuar plot luftra të perandorit ilir të Bizantit, Justinianit të Madh, Adrianopoli vdes si kryeqendër administrative dhe këtë rol madhor e merr qyteti i Gjirokastrës. Në mesjetë qyteti bëhet një qendër e rëndësishme dhe fortifikimi kështjellor ka qenë përpara se të ndërtohej Kalaja e Ali Pashës.

Ndërsa në fillim të shek. të XV pushtohet nga turqit dhe kthehet në një qendër të rëndësishme. Për këtë dëshmojnë në shkrimet e tyre personazhe të njohur si kronikani turk, Evlia Çelebiu, Lord Bajroni etj. Por duhet thënë se Libohova, në pikëpamje kohore, është gati 10 shekuj më e lashtë se qyteti i Gjirokastrës.

Në vitet 1920-1940 ishte një nga qendrat administrative më të rëndësishme të jugut të Shqipërisë. Në këtë kohë u zhvillua dhe pazari i Libohovës me rreth 43 dyqane. Në vitet 1944-1990, Libohova ishte një qytet që e mbështeste ekonominë e familjeve tek bujqësia dhe blegtoria.

Pamje nga Libohova

Pamje nga Libohova

Kulturë dhe traditë

Edhe pse e vogël në numër banorësh, Libohova është një qytet me shumë histori, traditë, kulturë dhe vendlindja e shumë emrave të njohur të historisë dhe kulturës kombëtare, ku vlen të përmendet Myfid Bej Libohova , Avni Rustemi etj.

Çdo vit në festën “Traditë Libohovite” vlerësohen me tituj nderi personalitete të shquar të kësaj treve, për kontribute që kanë dhënë për zhvillimin e këtij qyteti. Ndërkohë pas 80-vjetësh Libohovës i është rikthyer dhe pazari tradicional i artizanatit dhe kulinarisë. Tashmë prej disa vitesh është bërë traditë që çdo fund-gushti në qytet të festohet edhe Festa e Libohovës, eveniment kulturor që mbledh jo vetëm qytetarë të saj, por edhe turistë nga brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Gratë e kësaj zone janë të njohura për aftësitë që kanë për punimet e dorës, të cilat janë trashëguar brez pas brezi. Kostumet lokale janë tradicionalisht të zbukuruar me qëndisje të komplikuara. Po ashtu prodhohen në mënyrë artizanale qilima e velenxa, triko, çorape e doreza që prodhohen me lesh natyral lokal. Libohova karakterizohet nga një pasuri e madhe kostumesh, traditash muzikore dhe zakonesh popullore.

Familjet libohovite kanë traditë edhe në kulinari. Në traditë është mishi i pjekur, gatimi i kafshëve të gjahut, si lepuri e thëllënxa.Vend të veçantë në Libohovë zënë edhe gatimet me brumë. Amvisat dallohen edhe për gatimin e ëmbëlsirave tradicionale si bakllavaja dhe revanija. Ndërkohë që në familjet libohovite nuk mungon rakia prej rrushi dhe mani si dhe vera e prodhuar edhe në mënyrë artizanale.

Kalaja e Libohovës

Kalaja e Libohovës

Turizëm

Një prej destinacioneve turistike që po tërheq mjaft vizitorë vitet e fundit është edhe qyteti i Libohovës. Ai ndodhet në juglindje të Gjirokastrës, 17 km në rrugë automobilistike, i shtrirë në këmbët e malit Bureto. Qyteti ka një pozicion mjaft panoramik për luginën e Drinos, ndërsa ofron shumë vende historike e monumente natyrore për t’u vizituar në çdo stinë të vitit.

Ndalesën e parë në këtë qytet çdo turist duhet ta bëjë në Kalanë e qytetit, e ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena në vitet 1796-1798.

Kalaja ishte një dhuratë e Ali Pashës për motrën e tij, Shanishanë, me rastin e martesës së saj me një nga antarët e familjes Libohova. Gjatë vizitës në këtë qytet, çdo vizitor mund të njihet edhe me gjurmët e dy kalave të tjera në lagjen Cuprel e Linua, kullën e sahatit, rrënojat e xhamive, varret monumentale të bejlerëve, si dhe sarajet e Mufit Bej Libohovës, të cilat janë një kompleks i gurtë, i ndërtuar në fund të shek.XIX, si rezidencë për familjen e madhe dhe të shquar të bejlerëve të Libohovës, e shpallur si monument kulture e kategorisë së parë.

Rrapi i Libohovës

Rrapi i Libohovës

E veçantë për nga pamja dhe historia që mbart është edhe Porta e Isufatëve në lagjen Hoxhollarë. Në qendër të Libohovës ndodhet rrapi shumëshekullor mbi 560 vjeçar, një monument i rrallë i natyrës, i cili është i rrethuar nga të tjerë. Ata i japin qytetit gjelbërimin, bukurinë dhe freskinë verore. Ndërkohë në verandën e Rrapit mund të shijohet një kafe, pse jo dhe një drekë në baret e restorantet që ndodhen aty. Përveç peisazhit piktoresk, në Libohovë mund të shijosh edhe ushqimin tradicional, ndërsa mikpritja është arma më e fortë e qytetarëve të saj.

Elida Lazi