Shtëpitë e shkrimtarëve janë destinacione të përkryera turistike, ku asnjëherë nuk gjen turma të mëdha njerëzish duke u shtyrë për të hyrë e bërë një vizitë, por ama gjithmonë gjen adhurues që shpenzojnë orë të tëra mes librash, dorëshkrimesh, fotografish, mes një botë të krijuar prej artistit, por që lexuesit të devotshëm, i ngjan tejet e njohur, me botën që ka lexuar nëpër libra…

Ky lloj komunikimi jo verbal, mes shkrimtarit dhe lexuesit të tij, para apo pas vdekjes, është kthyer në një trend të fuqishëm turistik. So do ju tregojmë për tre shkrimtarë shqiptarë, shtëpitë e të cilëve janë kthyer në destinacione turistike shumë të njohura për lexuesit dhe turistët e udhëtimeve kulturore. Bëhet fjalë për Ismail Kadare, Gjergj Fishta dhe Sterio Spase.

Shtëpitë e Kadaresë

Ismail kadare ka dy shtëpi muze, njëra në Gjrokastër dhe tjetra në Tiranë, njëra më interesante se tjetra dhe të dyja burim i madh frymëzimi. Nëse keni lexuar “Kronikë në gur”, do ju duket se e keni vizituar edhe ju shtëpinë e gurtë të shkrimtarit në Gjirokastër, pasi përshkrimi i shtëpisë së lindjes nga shkrimtari është tejet i gjallë, prandaj edhe kureshtja për ta vizituar, është tepër e madhe.

Shtëpia e Kadaresë në Gjirokastrës, është një nga shtëpitë unikale të qytetit,që mbizotërojnë nga të gjitha anët. Me këtë atmosferë mund të hysh i përgatitur në shtëpinë e Ismail Kadaresë, ku guri është elementi kryesor i ndërtimit. Të mbledhur shpesh në odën e miqve, aty ku drita e natyrës ndriçon më shumë, turistët prezantohen me ornamente tradicionale të zonës. Oxhaku i madh si dhe tavani i restauruar, plotësojnë rigjallërimin e shtëpisë së kthyer në muze.

Ndërkohë, në katin e tretë të Pallatit nr.85 në Rrugën e Dibrës, në Tiranë,në një pallat të vjetër, i cili u projektua nga arkitekti Maks Velo në vitin 1972, në një hapësirë prej 6 dhomash, ndodhet shtëpia tjetër muze e Kadaresë. Në vitin 2015, pallati është shpallur Monument Kulture i Kategorisë II, ndërsa kujtojmë se në të njëjtin pallat ka jetuar edhe shkrimtari tjetër i madh, Dritëro Agolli, deri sa u nda nga kjo jetë. Ndërtesa, ose siç njihej në atë kohë “pallati me kuba” është po aq emblematic, sa vetë apartamenti, pasi përfaqëson në vetvete aspiratën e arkitekturës shqiptare për të qenë në një hap me kohën dhe në veçanti me Perëndimin. Për këtë arsye u vu në qendër të akuzave të kohës dhe regjimit të atëhershëm duke u quajtur moderniste dhe kubiste. Ndërsa projektuesi i saj u burgos plot 10 vjet.

“Shtëpia Studio Kadare”, është mirëfilli një hapësirë kulturore, e cila shtjellohet në apartamentin ku shkrimtari Ismail Kadare banoi nga viti 1974 deri në fillim të vitit 1990. Fuqia e kësaj hapësire qëndron te natyra dhe funksionet e shumëfishta të saj.

Duke ecur në të njëjtën atmosferë vetjake, ku dikur jetoi e shkroi Kadare, çdo vizitor rrok me mendje ndjesinë e punës së tij, vendet ku shkroi, librat që e formuan, njihet me historikun e jetës së tij private dhe publike dhe ka fatin të shohë nga afër dorëshkrime, përkthime, fotografi dhe gjithçka tjetër që i vlen njohjes së këtij personaliteti sa kompleks aq edhe kombëtar e ndërkombëtar.

Shtëpia e Gjergj Fishtës

Nga data 12 mars të këtij viti, shtëpia e Atë Gjergj Fishtës hapi dyert për vizitorët nga ora 13:00 deri në ora 17:00. Hapja e shtëpisë ku ka lindur dhe jetuar disa nga vitet e tij At Gjergj Fishta, më në fund është hapur për kureshtarët dhe turistët. Shtëpia e At Gergj Fishtës mbetet një nga objektet më të çmuara të trashëgimisë kulturore kombëtare. Tashmë e restauruar pasi ishte rrënuar ndër vite, kjo shtëpi është një muze që dëshmon për veprën e pazëvendësueshme te Fishtës në historinë e kombit shqiptar.

Banesa e cila ndodhet mbi një kodrinë të fshatit Fishtë të Lezhës është një dëshmi e gjallë e poetit, atdhetarit dhe françeskanit të madh At Gjergj Fishta. Kjo godinë e cila mban statusin monument kulture, është vendi ku poeti i madh kaloi periudhën e hershme të jetës së tij dhe njëkohësisht është një atraksion turistik për të gjithë të apasionuarit e turizmit kulturor.

Punimet restauruese i janë përmbajtur konfiguracionit origjinal të ndërtesës, në të gjithë elementët e saj, në dyer, dritare, dysheme, tavane druri, shkallë, parmakë e çati.

Ndërsa në dhomat e saj janë ekspozuar edhe veprat e Fishtës.

Turistët këtu mund të gjejnë seritë e plota të botimeve të autorit, dorëshkrime apo fotografi të vjetra, ndërkohë që nuk mungon thirrja që bëjnë shpesh vullnetarët e kauzës si dhe mbesa e poetit, që lexuesit që disponojnë libra të vjetër të autorit, t’i ofrojnë në pronësi të muzeut të ri, në mënyrë që të kthehen në burim informacini dhe studimi për një rreth akoma e më të gjërë njerëzisht.

Objekti i rikthyer në identitet është shtëpia ku autori i “Lahutës së Malësisë”, një prej penave dhe Rilindasve më të shkëlqyer që ka nxjerrë Shqipëria kaloi vitet e tij të rinisë.

Rindërtimi i shtëpisë është vetëm një ndër hallkat e projektit “Gjurmët Fishtiane”, që synon të nxjerrë nga harresa të gjithë vendet ku Rilindasi kaloi etapat e jetës së tij.

Rindërtimi i shtëpisë së Fishtës, në fshatin Fishtë e kthen atë në një destinacion të preferuar turistik.

Shtëpia e Sterio Spasses

Në një shtëpi dykatëshe në fshatin Gollomboç të Prespës, në Korçë, 106 vite më parë, lindi një nga letrarët e parë, që romanin shqip e pasuroi me tema e motive të reja. Gati e rrënuar nga koha, sot kjo shtëpi është rinovuar tërësisht duke u krhyer në një destinacion të turizmit kulturor dhe turizmit të natyrës. Projekti për rindërtim, ishte një bashkëpunim ndërkufitar mes Bashkisë Liqenas, Komunës së Manastirit, si dhe financimit të Bashkimit Europian. Si e tillë, kjo shtëpi muze do të bëhet një ndër atraskionet më të bukur turistikë të zonës. Turistët do të vijnë jo vetëm si objekt kujtese për autorin e romanit të parë filozofik shqiptar, “Pse”’, por edhe një nxitje zhvillimi për të gjithë zonën e Prespës.

Ka qenë një punë shumë e madhe për të realizuar shtëpinë-muze të Sterjo Spasses, që lidh më së miri vendin tonë edhe Maqedoninë e Veriut. Një urë e tillë lidh dhe kombinon turizmin dhe trashëgiminë kulturore. Është muzeu i parë lokal, që ndërtohet në këtë zonë dhe do ti shërbejë turistëve të dy vendeve.

Shtëpia muze e Sterjo Spasses në Gollomboç,është një investim që i hap rrugë më shumë zhvillimit në vendlindjen e shkrimtarit. Në këtë muze vizitorët do të kenë mundësi që të shohin edhe objekte autentike që janë përdorur dikur në këtë shtëpi dhe gjithashtu do të ketë të ekspozuara edhe shumë objekte personale të vet shkrimtarit Sterio Spasse, si dhe objektet tradicionale të zonës së Prespës. Shtëpia muze e shkrimtarit Serio Spasse i cili ka një veprimtari të gjerë letrare, në Gollomboç të Korçës vjen edhe si homazh për shkrimtarin dhe si atraksion turistik e kulturor për zonën.

Neritana Kraja