Në jug të Sarandës, në një pozicion të shkëlqyer, ndodhet Ksamili, "kryeqyteti" jozyrtar i rivierës shqiptare.

Fjala “Ksamil” do të thotë "gjashtë milje" dhe kjo është distanca që ndan këtë pjesë të bregdetit shqiptar nga ishulli grek i Korfuzit. Dikur ky destinacion ishte një fshat i përgjumur peshkimi, por prej vitesh tashmë ky vend është zbuluar nga udhëtarët dhe tërheq shumë turistë çdo vit.

Turizmi e ka modifikuar shumë Ksamilin, ku gjenden akoma limanet më të bukur të jugut, të paktën nëse jeni duke kërkuar për plazhe me rërë dhe me ujë të pastër kristal. Edhe pse qyteti është ende i vogël, atje do të gjeni restorante, bare dhe club-e.

Të kalosh pushimet në Ksamil do të thotë të zgjedhësh detin dhe natyrën mbi të gjitha, të zbulosh thesaret e mjedisit përreth.

Çfarë të bëni në Ksamil? Do ju tregojmë hap pas hapi….

Zbuloni plazhet më të mira në Ksamil

Në Ksamil së pari do të vini për plazhet. Ksamili quhet ndryshe "margaritari i Jonit" për shkak të bukurisë së tij.

Ksamili është i vendosur në një mjedis spektakolar, ndodhet në një gji, ka katër ishuj të vegjël përkarshi, drejt të cilëve mund të shkohet me not, ose me varka. Të mbushura me bimë dhe zogj, të gjithë ishujt ofrojnë plazhe natyrore, ngjyrë bruz, ku mund të shijoni diellin dhe detin, të shikoni zogjtë dhe të zhyteni.

Një nga plazhet më të njohura në Ksamil dhe më i pëlqyeri është Plazhi Bora Bora. Deti është shumë i bukur, me veçantinë që ishujt janë shumë afër. Plazhi është mjaft i madh dhe në anën e majtë ka një zonë të vogël plazhi pa pagesë, gjithashtu ka një skelë ku mund të merrni një varkë që ju shpie tek ishujt.

Ksamil Lori beach

Ksamil Lori beach

Plazhi “Tre Ishujt” është gjithashtu një nga plazhet më të bukura në Ksamil dhe për këtë arsye ka më shumë njerëz. Shpesh gjatë gushtit, është e vështirë për të gjetur një vend të lirë për të bërë plazh. Këtu pamja e ishujve është edhe më e bukur dhe mund të shkohet lehtë tek ishujt duke notuar. Përveç kësaj, uji duket shumë i pastër dhe i qetë, sidomos pasditeve është gjithmonë, i bukur.

Për disa euro më shumë, ose më pak 12 € për një familje me tre persona, ju mund të merrni një varkë, e cila ju çon në një nga plazhet e ishujve të Ksamilit. Njëri është shumë afër, do ta shihni nga bregu dhe nëse dëshironi mund ta arrini edhe duke notuar, ose me pedalone. Ka disa çadra me qera atje (por jo shezllone) dhe aty do të gjeni detin më të bukur në Ksamil. Sidoqoftë, nëse shkoni atje, mos harroni të merrni drekën me vete, sepse nuk ka bare në ishuj dhe mbani në mend se është më mirë të arrini herët në mëngjes sepse mbushet shpejt me njerëz.

Dhe një sugjerim i fundit: Nëse keni ndërmend të shkoni në Ksamil me fëmijët, merrni maskat e zhytjes me vete. Të jeni të bindur se do të jetë e vështirë t’i nxirrni nga uji. Do të jeni në gjendje të nxirrni fëmijët nga uji, vetëm kur gishtërinjtë e tyre, të mblidhen si kumbulla të thata!

Mos harroni gjithashtu se shumë plazhe në Ksamil kanë rërë të lehtë dhe të butë, por disa plazhe, shumë të bukura, por jashtë qytetit, kanë gurë të bardhë e të mëdhenj, kështu që sillni këpucët e detit me vete, sigurisht që do të jeni më të qetë!

Ishull Ksamil

Ishull Ksamil

Akomodimi

Zgjedhja e akomodimit në Ksamil është e gjerë. Mund të zgjidhni apartament, apo hotel. Mjafton të prenotoni disa muaj para datës së planifikuar për të filluar pushimet.

Apartamenti është një akomodim shumë i njohur për ata që udhëtojnë në grupe, familje ose ata që nuk duan të shpenzojnë shumë. Oferta e apartamenteve në Ksamil është shumë e gjerë dhe shumica e pronave ofrojnë dhoma të tilla. Apartamente të tilla ofrojnë gjërat e domosdoshme duke përfshirë edhe një kënd të vogël gatimi, për përgatitjen e vakteve tuaja.

Ndërsa hotelet rekomandohen për ata që duan të qëndrojnë në dhoma të mobiluara mirë, që kërkojnë standarde të larta, komoditet dhe cilësi në shërbime.

Sa i takon ushqimit ka shumë restorante të vegjël komodë që shërbejnë kuzhinën shqiptare, italiane dhe greke.

Në fakt, secili plazh në Ksamil ka një bar dhe restorantin e tij, ku mund të gjeni gjithçka, përfshirë peshkun e freskët të gatuar në një mënyrë të shijshme (me një kosto prej 10/15 euro për 3 person).

Ksamili ndodhet në pjesën më jugore të Shqipërisë disa kilometra larg kufirit grek dhe menjëherë do të vini re këtë afërsi, nga përdorimet dhe zakonet e kësaj pjese të Shqipërisë, por mbi të gjitha në tryezë.

Butrint

Butrint

Afërsia me atraksionet

Qyteti më i afërt me Ksamilin, vetëm 17 km larg, është Saranda, një qytet që ofron argëtim, klube të modës, hotele dhe shëtitore të bukura përgjatë bregut të detit. Nëse doni atmosferë me shumë njerëz dhe turistë si dhe jetë nate, mund të shkoni në Sarandë.

Por, nëse shkoni për pushime në Ksamil, ju keni mundësi të vizitoni Butrintin, një atraksion që kurrsesi nuk duhet humbur. Nuk ka ide më të mirë sesa të alternoni pushimet e detit me turet kulturore në Butrint.

Për të shkuar në Butrint, mjafton të merrni autobusin e linjës Sarandë - Butrint. Ai ka dy ndalesa dhe niset nga Saranda çdo orë, duke nisur nga ora 8.30. Ndalesa e parë është Ksamili, ndërsa ndalesa e fundit është Butrinti. Por mund të merrni edhe një makinë me qera. Butrinti është rreth 20 minuta me autobus nga Ksamili.

Parku Arkeologjik i Butrintit, është më i rëndësishmi në Shqipëri.

Butrinti është një qytet antik në rrënoja të ruajtura mirë që bën pjesë në listën e vendeve të trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Në Butrint, ju mund të shihni një amfiteatër të vjetër, rrënojat e një manastiri, të kullave të vrojtimit, mureve mbrojtës, banjove publike, etj.

Ju duhet të planifikoni rreth tre orë për të vizituar Parkun.

Gjatë vizitës, do ju ndihmojë guidat që janë në shqip dhe anglisht, ndërkohë që mund të bëni foto gjatë gjithë vizitës suaj, pasi ato nuk janë të ndaluara.

Syri i Kaltër

Syri i Kalter

Një atraksion që nuk duhet humbur është edhe Syri i Kaltër - një fenomen i bukur natyror, i vendosur në brendësi, thellësia e të cilit është mjaft e errët, i cili gjeneron një pellg me ujë të thellë blu shumë të ftohtë, në të cilin më të guximshmit kërcejnë nga një platformë.

Disa vizitorë pëlqejnë të hedhin gurë në qendër të burimit, por vetëm pas një kohe i shohin ata të shtyrë në sipërfaqe.

Syri i Kaltër ndodhet rreth 40 minuta me makinë larg nga Ksamili. Autobusët që lidhin qytetin e Sarandës me Gjirokastrën janë mënyra e vetme për të arritur këtë destinacion turistik.

Por, mund të merrni edhe makinë me qera, ose të bëni një tur me guidë.

Sapo të mbërrini do të gjeni një parking, disa bare-restorante dhe madje edhe disa shtëpi njëkatëshe për të kaluar natën.

Nëse dëshironi t’í jepni një frymëmarrje më të madhe pushimeve tuaja, mund të llogarisni disa orë vizitë edhe në Gjirokastër. Ky qytet është në listën e Vendeve të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Arsyeja kryesore për të vizituar këtë qytet është kështjella e tij antike e vendosur në majë të qytetit dhe shtëpitë tradicionale prej guri. Vizitën e shkurtër në Gjirokastër, konsiderojeni si pjesë të paketës frymëzuese të Ksamilit, ku në pak ditë pushimesh, mund të bëni disa gjëra njëherazi, shumë të ndryshme njëra nga tjetra.

Neritana Kraja