Tridhjetë vjet më pas, nga koha kur emigrantët e parë zbarkuan me anije në Brindizi të Italisë, artistët e emigruar në Itali janë kthyer në protagonistë të artit atje.

Rasti më i freskët që na risjell në mendje historinë e emigrimit masiv të shqiptarëve, që nisi 30 vite më parë dhe suksesin e arritur atje, është kantautori Ermal Meta.

Vetëm dy javë më parë, ai u shpall fitues i vendit të tretë në Festivalin e Sanremos, ngjarja më të rëndësishme e muzikës italiane, duke e rikonfirmuar Metën si artist shumë të vlerësuar. Por kjo renditje nuk ishte maksimumi për artistin emigrant. Tre vjet më parë, ai në duet me Fabrizio Moro do të fitonte vendin e parë në një këngë të shkruar nga ai vetë, me të cilën konkurroi edhe në Eurovizion.

Ndërkohë që kishte marrë pjesë edhe më parë në Sanremo duke u klasifikuar edhe si fitues i vendit të parë në kategorinë e të rinjve.

Rruga për të ardhur këtu nuk kishte qenë aspak e lehtë. Gjatë kësaj rruge ai arriti të fitonte zemrat e publikut Italian, që tashmë e adhuron artistin e ardhur nga vendi fqinj, si dhe bëri të krenoheshin të gjithë shqiptarët. Sepse ka shumë arsye për ta dashur Ermal Metën.

Së pari ai krijon melodi shumë të bukur e fjalë plot ndjenjë. Të ngelet në mendje, po ashtu edhe zëri tij, mjaft i veçantë, plot ngjyra. Këngët e tij priten të gjitha shumë mirë dhe mbeshtetja e publikut italian në rrjetet sociale është e paimagjinueshme.

Ermal Meta është një artist i palodhur, si ajo milingona e vogël që punon e punon vazhdimisht. Ai nuk fle mbi kurora dafine, por krahas këngëve me të cilat e njohim në Sanremo, ai ka publikuar katër albume, të parin “Umano” në vitin 2016, “Vietato morire” 2017, “Non abbiamo armi” në vitin 2018 dhe të fundit “Tribu urbana” në vitin 2021.

Elegant në skenë, me veshje të kuruar në detaje, këndon e kërcen në skenë duke magjepsur publikun e tij. Ermal Meta, pavarësisht suksesit në rritje, nuk është aspak mendjemadh. Ky djalë, kaq i talentuar dhe kaq i suksesshëm, qëndron fort me këmbë në tokë dhe vazhdon betejën e tij, pa ekzagjeruar asgjë nga suksesi. Ai ka kompozuar këngë për artistët e mirënjohur Italian, si Patty Pravo, Fiorella Mannoia, Giussy Ferreri, Marco Mengoni, Francesco Renga, Analissa, Chiara e Emma.

Modest dhe i qetë, është tipi i artistët që e has shumë rrallë.

Nisur nga popullariteti tij, pa frikë mund të konsiderohet si ambasador kulture, pasi ndikimi i tij në reputacionin e Shqipërisë, ka qenë dhe mbetet mjaft i madh.

E ka nisur gjithçka në undergroundet e Barit të Italisë, ku ka jetuar për shumë vite, ndërsa tani i janë hapur dyert e sallave, koncerteve e adhurimit kudo, vetëm me punën e tij.

Ermal Meta u largua nga Shqipëria në moshën trembëdhjetë vjeç me nënën dhe vëllain e tij për të lëvizur në Bari. Sapo ai u bë i famshëm, lindën shumë legjenda për udhëtimin që solli Ermal Metën në Itali. Për një kohë të gjatë, në fakt, qarkulloi thashethemi se këngëtari mbërriti në Bel Paese në bordin e një anijeje me emigrantë, lajm i mohuar nga vetë Ermali, i cili deklaroi se ai udhëtoi (për fat të mirë) me një traget tradicional dhe sipas rregullave. Ky fakt nuk heq asgjë nga sukesi i artistit shqiptar, që nuk është i vetmi që ka ngritur një karrierë të sukseshme në Itali. Shumë artistë shqiptarë, të njohur dhe të vlerësuar, kanë shkruar në Itali.

Erma Meta e Kledi Kadiu

Erma Meta e Kledi Kadiu

Dhe si mund të mos përmendim Kledi Kadiun, një djalë i ardhur nga Tirana, i cili mbërriti në Itali në fund të viteve 1990 dhe bëri që të shuheshin paragjykimet për shqiptarët, të cilët asaj kohe në Itali cilësoheshin si të këqij, të pistë dhe të shëmtuar. Kledi që kishte nisur të spikaste si balerin i talentuar në ekranet italiane ku iu dha një mundësi karriere mjaft e mirë, i duhej të mbronte shqiptarët dhe veten. Falë talentit të tij dhe ndikimit të Maria de Filippi-it, Kledi ka arritur të sjellë një pjesë të Shqipërisë në shtëpitë italiane, duke krijuar një të çarë në atë pëlhurë të bërë nga frika, injoranca dhe paragjykimi, e cila tani është shpërbërë plotësisht. Ndër artistët shqiptarë ai është ndoshta më i dashuri, sidomos nga gratë!

Nga baleti te artet figurative, spikasin emra të tillë si Alfred Mirashi, i njohur në art si “Miloti”, emri i trevës në Shqipërinë veriore ku ai lindi. Pa i mbushur nëntëmbëdhjetë vjeç, por me pjekurinë e një njeriu të rritur, ai arriti në Itali me valën e parë të emigrantëve, në një anije të mbushur së bashku me mijëra të tjerë, e cila zbarkoi në Brindisi më 7 Mars 1991, duke e lënë vendin në kaos dhe frikë. Milot u mirëprit në Itali dhe këtu filloi të shfaqej talenti i tij artistik. Sot, ai është një artist i vendosur dhe i vlerësuar ndërkombëtarisht, që ende jeton në Itali.

Ndërkohë Adrian Paci arriti në Itali pas trazirave që ndodhën në Shqipëri në 1997, kur për shkak të një mashtrimi kolosal financiar, më shumë se një e treta e familjeve shqiptare humbën kursimet e tyre. Në fakt, arti i tij flet për distancën, braktisjen e tokës së tij, emigracionin dhe njerëzit. Ai e bën këtë përmes pikturës, fotografisë dhe skulpturës. Lindur në Shkodër, ai aktualisht jeton në Milano.

Këta janë vetëm disa nga artistët shqiptarë, që në Itali kanë gjetur hapësirë për artin e tyre, duke arritur jo vetëm suksesin, por edhe zemrat e italianëve. Eshtë një skuadër e këngëtarëve, futbollistëve, kuzhinierëve, pastiçerëve, piktorëve, skulptorëve, shkrimtarëve shqiptarë të gatshëm për të ndarë talentet e tyre.

Ermal Meta në koncert rrethuar nga fansët

Ermal Meta në koncert rrethuar nga fanset.

Pra, nëse është e vërtetë që arti, në të gjitha format dhe shprehjet e tij, është një mjet i fuqishëm, i aftë për të prishur dallimet, për të mbushur boshllëqet, për të bashkuar njerëzit dhe për të bashkuar kulturat, atëherë duhet duartrokitur fort për këta njerëz, që përmbushën ëndrrën e tyre dhe u kthyen në ambasadorët më të mirë të vendit të tyre. Një ëndërr që nisi 30 vjet më parë! Dhe kjo gjë arrihet paqësisht. “Non abbiamo armi”, (Nuk kemi armë), këngë që i dha fitoren e Sanremos Ermal Metës në vitin 2018 dhe njëkohësisht titull i albumit të tij, e dëshmon këtë.

Neritana Kraja