Kishte kohë që spektatorit shqiptar i kishte munguar një atmosferë e tillë, kaq e ngrohtë, e bukur, impresionuese dhe festive, sa atmosfera që krijoi Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore me dy koncerte premierë në Tiranë. Koha e pandemisë vërtet ndaloi për një vit spektatorët të hyjnë në sallë, por nuk mundi të ndalte për më shumë, artistët që të ngjiteshin në skenë.

Me një organizim fantastik, me materiale muzikore të menduara mirë dhe të zgjedhura me kujdes, me skenografi të freskët dhe funksionale njëkohësisht, me një dashuri të madhe për traditën popullore, por edhe mall për t’u ngjitur sërish në skenë, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore, erdhi me dy premiera, me shumë pak diferencë kohore nga njëri tjetra.

Premiera e parë, “Trëndafilin kur ta dhashë”, u shfaq gjatë gjithë javës në platformat e Facebook-ut, YouTube-it, faqen zyrtare të Teatrit të Operas dhe Baletit si dhe në valët e RTSH-së.

Ishte një koncert me pjesët më të bukura të dashurisë, shkëputur nga gjerdani i artë i trashëgimisë tonë popullore.

Ndërsa premiera e dytë, “Të gjitha lulet e pranverës”, do të shfaqet gjatë kësaj jave në të njëjtat ptaforma dhe ekrane.

Të dy premierat vijnë në drejtimin e kompozitorit Sokol Marsit, i cili vetëm para pak kohësh ka marrë detyrën e tij të re si drejtor i Ansamblit të këngëve dhe Valleve Popullore. Sokol Marsi jep detajet e dy premierave për mikrofonin tonë:

“Trëndafilin kur ta dhashë” ishte premiera e parë këtij sezoni për Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore, por edhe premiera ime e parë si drejtues i kësaj trupe. Lajtmotivi i gjithë koncertit ishte mbi ditën botërore të dashurisë 14 shkurt, prandaj edhe titulli ishte si lajtmotiv i koncertit, bazuar mbi një këngë të vjetër popullore të Shqipërisë së mesme, “Trëndafilin kur ta dhashë”, kompozuar nga Muhamet Kuna”.

Premiera erdhi në një klimë jo të qetë për shkak të përshkallëzimit të pandemisë, por arriti të largojë pak shqetësimin tek njerëzit. Ajo u ndoq nga rreth 60 mijë vetë në live stream.

Në rrjetet sociale ku premiera u transmetua live për 3 netë rresht, kanë shprehur konsideratën dhe vlerësimin e tyre për koncertin përmes komenteve, shikues nga e gjithë bota, duke përfshirë edhe emigrantët shqiptarë, të cilët kanë shfrytëzuar këtë dritare të re, për të ndjekur një premierë të përmasave të mëdha të mbushur me emocione dhe nostalgji.

Premiera ishte një projekt muzikor, i cili sipas artistëve, udhëtoi në të gjitha trevat shqiptare me muzikën e bukur popullore, meloditë, këngët dhe vallet më përfaqësuese shqiptare. Në faqen e Teatrit të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, institucioni bënte me dije se kjo shfaqje erdhi dhe për rizgjuar bukuritë e muzikës shqiptare. Interesant është fakti seedhe artistët të tjerë të ftuar, u prezantuan që të gjithë me krijimtarinë përfaqësuese të trevave të tyre.

Ndërkohë vetë drejtori Sokol Marsi konfirmon për Radio Ejani të rejat që sjell premiera e dytë e programuar për tu transmetuar në rrjetet sociale, në live stream dhe në RTSH gjatë kësaj jave. Konkretisht ditën e mërkurë në ora 21. Kësaj radhe bëhet fjalë për një recital të dy tenorëve, për të cilin drejtori Sokol Marsi jep detaje të tjera.

“Ka qenë një koncert recital i dy tenorëve të mirënjohur, siç është Kastriot Tusha dhe Ariantit Hoxha. Lajtmoti i këtij koncerti, edhe ky, ishte i bazuar në tematikën e ditës botërore të gruas, e vendosur në muajin më të bukur të pranverës, në muajin mars. Dhe të dyja këto simbolika, bashkohen në një të tërën dhe prandaj shfaqja u titullua “Të gjithë lulet e pranverës”. Sinkronizohet pranvera me ditën e grave. Të gjitha materialet muzikore që u interpretuan ishin të bazuar në këtë lajtmotiv, mbi temën e dashurisë. Dashuria për femrën, por edhe në kuptimin më të gjërë, për jetën. Shpresoj se ka dalë një shfaqje e bukur. Ka pasur interpretime të mrekullueshme për mendimin tim nga të dy tenorët, por sigurisht edhe nga pjesa e korit, orkestra, të ftuarit, të cilët në këtë rast ishin shumë të veçantë. Ishte këngëtarja e mirënjohur Eli Fara, një violinist virtuoz nga Elbasani, siç është Zelqi Sulkuqi, të cilët me materialet e tyre i plotësuan gamën e ngjyrave të gjithë spektaklit”.

Për premierën, ku ai vetë është njëri nga protagonistët e skenës, tenori Arianit Hoxha, tregohet mjaft entuziast dhe njëkohësisht i vlerësuar. Ai thotë se këtë ide po e mendonte prej kohësh:

“Kënaqësia ishte shumë e madhe pasi ne kishim kohë që e mendonim një bashkëpunim me profesor Kastriotin, por falë mbështetjes së Teatrit të Operas dhe Drejtorisë së Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve, na u dha kjo mundësi dhe na e vunë të gjithë infrastrukturën në dispozicion. Unë kam dhjetë vjet që jam pjesë e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve, kam bërë dy recitale si solist. Ky është një recital shumë i bukur, pasi bëhet nga dy këngëtarë, kuptohet ka edhe të ftuar, pjesa e korit, baza muzikore, e të gjitha me radhë”.

Dy premierat e Ansamblit ofruan mbrëmje me muzikën më të bukur që autorët popullore kane shkruar për dashurinë dhe lulet që ajo fal. Pjesët më të bukura, të krijuara nga emrat më të njohur të muzikës popullore shqiptare. Këngët, vallet dhe meloditë më përfaqësuese të shkruara prej tyre, dedikuar ndjenjës sublime të dashurisë.

Të dyja ishin shfaqje ndryshe nga të tjerat. Ata udhëtuan në të gjitha trevat shqiptare me muzikën tradicionale dhe një konceptim bashkëkohor. Me këngët, meloditë dhe vallet më të bukur, që kompozitorët dhe mjeshtrat shqiptarë të krijimtarisë dhe muzikës popullore i kanë kushtuar dashurisë.

Por gjithashtu, këngët udhëtuan edhe virtualisht kudo ku ka shqiptarë. Drejtori Sokol Marsi tregon për rëndësinë që kanë projekte të tilla, të cilat sidomos në këtë periudhë luajnë një rol shumë të madh:

“Jemi në një situatë të jashtëzakonshme, në një farë mënyre të gjithë kapërcejmë veten, sepse të dish të bësh art në këto kohë është diçka e vështirë, të ruash distancat sociale, është e vështirë. Megjithatë, ne prap, edhe pse në me këto kushte mundohemi të bëjmë gjëra të bukura, sepse njerëzit, populli, kanë nevojë për emocione pozitive, në këto momente të vështira që po kalon e gjithë bota. Në këto kushte, kush më mirë se muzika mund t’i çlirojë pak nga pak nga gjithë kjo gjëndje psikologjike? Kështu që edhe koncertet tona në këtë rast ndihmojnë në këtë aspekt”.

Premiera numër 2 “ Të gjitha lulet e pranverës” që do të transmetohet të mërkurënn, do të mbajë përsëri të mbërthyer publikun para rrjeteve sociale apo ekraneve ku do të transmetohet. Ajo, si çdo produksion i kësaj trupe profesioniste do të komentohet gjatë për mirë dhe do i hapë udhë të tjera shfaqjeve që Ansambli do të shfaqë në vijim, edhe pse jetojmë në kohë pandemie.

Neritana Kraja