Historia

Me emrin Kolonjë, kjo krahinë përmendet në dokumentet e shkruar në vitin 1018. Ajo është banuar që në kohën prehistorike, Neoliti i mesëm në Luaras dhe i vonë në Kamnik (2800 deri në 2600 p.e.s). Në hartën arkeologjike të krahinës njihen mbi 50 pika arkeologjike si vendbanime prehistorike, shpella, kala ilire, nekropole, tuma, kala mesjetare etj.

Bazuar në zbulimet arkeologjike, gjurmët më të hershme të banimit në këtë trevë i përkasin epokës së Neolitit (6000-3000 vjet p.e.s) të përfaqësuara nga kultura materiale e zbuluar në vendbanimin e Gurit të Ninës, në Luaras dhe asaj të zbuluar në Kamnik.

Qyteti i Ersekës

Banorët e Kamnikut kanë qenë mjeshtra të prodhimit të qeramikës, ato qëndrojnë përkrah veprave më të arrira dekorative të Neolitit në Europën Juglindore. Thesari i Monedhave të Hollmit të Qinamit (prera në Egines në Greqi) i përkasin shekullit të VI-V p.e.s. Epoka e Bakrit (3000-2100 p.e.s), përfaqsohet nga një daltë bakri dhe një enë e importuar nga Dimini i Thesalisë zbuluar në Kamnik.

Epoka e Bronzit (2100-1100vjet p.e.s) përfaqsohet nga kultura materiale e zbuluar në vendbanimin e Gurit të Ninës e Shkëmbit të madh në Luaras, e sidomos asaj të zbuluar në varrezat Tumulare të Prodanit, Rehovës, Psarrit, Shtikës, Borovës etj. Ndërsa Epoka e Hekurit (Mijëvjecari i parë, p.e.s) përfaqsohet nëpërmjet një sërë fortifikimesh të hapura në Prodan , Pradellë, Borovë e sidomos kalave Ilire të Hollmit të Qinamit, Gradecit, Cuka e Borovës, Kala e Gradecit, Bejkovës, Qesarakës etj. Në shekullin I të erës sonë Kolonja ishte pjesë e zotërimeve të Muzakajve me kryeqendër në Berat. Në shekullin V-IX u pushtua nga sllavët dhe më pas nga turqit, të cilët kanë lënë toponimet e tyre. Qyteti i Ersekës është qendra kryesore e Kolonjës, i themeluar në fillim të shekullit XVIII.

Kolonja tradicionale

Kulturë dhe traditë

Kultura e traditat e pasura kolonjare, ku ndihet ndikimi i faktorëve të brendshëm e të jashtëm, shfaqen tek muzika karakteristike, vallet e veshjet tradicionale, të cilat i kanë ruajtur e zhvilluar ndër shekuj, në fushën e folklorit gojor, instrumental, koreografik e vokal si dhe tek zejet tradicionale që i kanë ruajtur brez pas brezi. Vallja e vajzave kolonjare dhe këngët e grupit të Kolonjës janë të papërsëritshme dhe hyjnë në fondin e artë të kulturës sonë , por fatkeqësisht, sot ato nuk po dëgjohen më.

Kolonjarët janë krenarë për traditat atdhetare, liridashëse e arsimdashëse dhe vlerësohen si njerëz punëtorë dhe me kulturë. Nga kjo trevë e kane origjinen e kanë dalë mjaft ideologë të shquar, publicistë të talentuar, mesues të përkushtuar ndaj shkollës e arsimit shqip, si dhe kapedanë trima që kanë zënë vend nderi në panteonin e kujtëses sonë kombëtare.

Kostume popullore kolonjare

Treva e Kolonjës dhe fshatrat e saj janë të ngarkuara me ngjarje e emra të shënuar ndaj dhe shpesh përmenden në histori me emrat e përfaqësueve të tyre si Poda e Zylyftarit, Postenani i Jani Vretos, Vithkuqi i Naum Veqilharxhit, Gërmenji i Themistokliut, Luarasi i Petro Ninit, Butka e Saliut, Prodani i Zalos, Qyteza e paraardhësve të Fan Nolit apo Perasi i Qiriazëve.

Në Periudhën e Rilindjes Kombëtare, pas disfatës së Lidhjes së Prizrenit, patriotët kolonjarë, të përkushtuar për të çelur shkolla në gjuhën amtare u ndeshën me Portës e Lartë të Stambollit dhe Patrikanën greke të cilat kishin qëndruar gjithmonë krah për krah për pushtimin dhe asimilimin e kombit shqiptar. Ndërkohë mjaft shqiptarë, duke mos e njohur njëri-tjetrin si bashkëkombas, vriteshin për të huajt e përkatësinë fetare.

Përgjithësisht në Kolonjë ndjenjat atdhetare kanë qenë të forta edhe në kohët më të vështira për shqiptarët. Sulltani nuk i bëri dot turq myslimanët kolonjarë dhe Patrikana nuk i bëri dot grekër ortodoksët e kësaj krahine. Që në fillim të rilindjes kombëtare kolonjarët e provuan patriotizmin e tyre për shkollat kombëtare shqipe dhe luftuan deri në fund kundër tiranisë së sulltanit dhe politikës shoviniste të kishës greke. Zylyftar Poda dhe Naun Bredhi, Zyko Kamberi dhe Petro Nini Luarasi qenë disa nga këta atdhetarë të përkushtuar kolonjarë.

Veshjet tradicionale të burrave kanë qenë të tipit me fustanellë dhe me shallvare. Ndërsa veshjet e grave kanë qenë me fustan leshi dhe me mollokof. Kolonja ka folklor shumë të pasur dhe të veçantë. Këngët popullore janë epiko-lirike dhe këndohen me marrës, pritës e iso. Vallet janë burrash dhe grash të tipit në varg, të shoqëruara me këngë ose orkestër(saze). Kolonja ka traditë të vjetër të punimit të leshit , të gdhendjes së drurit dhe gurit, të prodhimit të bylmetit dhe të pijeve alkolike.

Tradicionalisht shtëpitë janë të ndërtuara me gurë dhe me cati të mbuluara me rrasa guri, me një ose dy kate me cardak, me bodrume e qilarë e me dritare të vogla.

Kolonja turistike

Turizmi

Kolonja është një destinacion i bukur turistik i frekuentuar më së shumti nga turistë të huaj kryesisht nga Evropa Qendrore dhe ajo Lindore, por edhe ata vendas. Të vizitosh Kolonjën në çdo cep të saj shikon natyrën e saj të shkëlqyer me vende shumë të bukura, ndërsa nuk do të mungojnë takimet me njerëz bujarë, mikpritës e të kulturuar.

Që në majën e Qarrit, para të shfaqet pllaja e bukur e Kolonjës, ndërsa mushkëritë të mbushen me ajër të pastër dhe nëse është verë, do të ndjesh aromën e luleve të shumëllojshme të livadheve të Gramozit.

Monumentet e Natyrës të cilët i gjen në guidat e qytetit dhe që tërheqin më shumë turistët për ti vizituar ato, janë Maja e Cukës, Kanionii Virkës dhe Borovës, Ujëvarën e Rehovës, Liqenin karstik akullnajor i Gramozit, i cili ndodhet 2360 m, mbi nivelin e detit, Shpellën karstike të Podës, Urën e moçme të gurtë të Postenanit dhe atë të Radovës, Llixhat e Sarandaporit dhe ujërat termale të Postenanit etj.

Ndërkohë që zbret poshtë në qytet, të parin që duhet të vizitosh është muzeu, teksa nëpër muret e amjentet e tij do të shohësh gjurmë të periudhës së Rilindjes Shqiptare(1831-1912) me figurat e ndritura të Kolonjës e Leskovikut. Krahina e Kolonjës është një vend relativisht malor dhe tepër i thyer, por me peisazhe të bukura.

Në të gjitha qendrat e saj të banuara mund të vizitosh kishat bizantine të besimit Ortodoks si dhe teqet që i përkasin besimit Bektashi, të cilat i gjen në të njëjtin fshat. Teksa viziton Kolonjën mund të shijosh dhe gatimet tradicionale të zonës të cilat mbushin tryezën duke u konsideruar si ushqime të shijshme dhe të sigurta. Produktet e brumit si petkat dhe dromkat si një traditë e hershme, i gjen edhe sot pothuajse në cdo tryezë.

Elida Lazi