Në qendër të Shqipërisë Veriore me një mjedis ku ndërthuren malet me luginat e thella,sipërfaqe të dendura pyjore, lëndina e livadhe që ndërpriten nga lumenj e përrenj të shumtë, kroje me ujë të kulluar ushqyer nga dëbora e shumtë që shpesh zbardh deri në verë, ndodhet rrethi i Pukës. Me një histori të pasur, që dëshmohet nga prania e qendrave arkeologjike, kalatë, gjurmët e mureve ilire, shpellat si dhe me një kulturë shpirtërore që shprehet në traditat e zakonet, në këngët e vallet popullore aq të bukura të kësaj treve përbën një ofertë turistike të vecantë.

Historia

Në kronikat hartografike, Puka është shumë e përmendur dhe studiuesit vendas përmendin se si Ptolemeu nuk e shënon rastësisht qytetin Ad Picaria, ashtu siç nuk mund të shënonte rastësisht qytetet e njohura para tij, si Lissus dhe Skodra. Prandaj, Ad Picaria në shek. II, afro 1800 vjet më parë, bëhet i njohur si qytet në brendësi të vendit. Në vazhdim, në shek. III-IV, Ad Picaria shënohet fill pas qyteteve Skodre dhe Lissum. Mbas shek. VI, Ad Picaria nuk gjendet e dokumentuar. Ç’ndodhi me të? Shuflai (historian kroat, studiues i historisë mesjetare shqiptare), thotë se shumë qytete të Ilirisë u dogjën dhe u shkatërruan gjatë pushtimeve të fiseve barbare. Këtë fat pati, pra, edhe Ad Picaria. Ndërsa Puka del e dokumentuar vetëm në veprat e Prokopit të Çezaresë (historian i madh bizantin i kohës së Perandorit Justinian).Në lashtësi Puka përfshihej brenda trevës veriore të fisit Ilir pirust i njohur si shkrirës dhe përpunues metalesh. Zhvillimi ekonomik në antikitet dhe mesjete i dhanë shkas zhvillimit në krahina e fshatra si Picaria, Pukae, Shelqi, Delmace, Gralisht, Iballë, Sarda etj. Ne shekullin 6 dhe 8 bëhet e njohur kultura e Komanit në Delmece, një kultur materiale qytetare arbërore mesjetare të një ekonomie të zhvilluar zejtare. Ndër shekuj është lidhur dhe prania e një rrjeti institucionesh të rëndësishme të kultit të krishterë e më vonë islamik, si peshkopat në Delmace, abacia e shën Palit në Kabash, xhamia e Pukës, xhamia e Dukagjinit dhe teqja e Simonit. Më pas Puka bëhet nje nga krahinat kryesore të principatës së Dukagjinëve ku bënin pjesë Puka, Mirdita, Luma, Hasi, rrafshi i Dukagjinit, Zadrima etj.

Kulturë dhe traditë

Traditat e bukura të malësorëve në këto treva vijojnë të mbeten ende gjallë, shpirti burimor e folklorik i malësorit pukjan nuk ka të ndalur, ai transmetohet bres pas brezi si një vlerë e shtuar e shtuar e këtyre anëve. Veshja tradicionale e grave (femrave) në Pukë, është; xhypeta, jelek, xhamadan, rubë (shami) me thekë të gjatë, prapanik (pshtjellak me rruza), gajdan, kërdhokula në brez nga para e pas, çorape leshi deri në gju dhe argjend e sermé në kraharor.

Kjo veshje është tipike e krahinës së Pukës, me motive të veçanta që nuk gjenden në asnjë krahinë tjetër të Shqipërisë. Ndërkohë vallet karakteristike pukjane, si kudo në vendin tonë janë rezultat i kushteve historiko-shoqërore që sollën njësitë etnografike dhe në krahinën e Pukës.Vallja karakteristike pukjane është vallja epike e Kabashit ose ndryshe vallja kabashishte e rëndë e burrave, sic thuhet në traditën gojore popullore. Kjo valle epike në përshtatje me aspiratat dhe dëshirat e malësorëve në zona të ndryshme të krahinës sonë në shekuj ka fituar forma të reja , herë është thjeshtësuar, herë është ngarkuar me lëvizje të reja.

Turizëm

“Një qytet i vogël me bujari e mikpritje të madhe”. Kështu e cilësojnë turistët zonë, që vizitojnë për herë të parë Pukën. Bukuritë natyrore të kësaj treve janë befasuese, po kaq interesante është edhe jeta e malësorve që jetojnë në këto anë, ku tradita kulturore dhe ajo shpirtërore e materiale janë trashëguar brez pas brezi. Natyra e rrallë magjepëse e Pukës, ka krijuar mundësi të mëdha për zhvillimin e turizmit malor, duke e kthyer këtë zonë në mesin e veriut të Shqipërisë në një ofertë turistike të kënaqshme . Natyra duket se është treguar shumë bujare me kët zonë duke i falur mjedise natyrale për t’u admiruar me male, lëndina e livadhe të panumërta. Natyra e rrallë magjepëse e Pukës, ka krijuar mundësi të mëdha për zhvillimin e turizmit malor, duke e kthyer këtë zonë në mesin e Veriut të Shqipërisë në një ofertë turistike të kënaqshme për vendasit dhe të huajt. Si një vend i paeksploruar shumë nga turistë, Puka është një ndër zonat ku natyra të ofron pamje të mahnitshme, të virgjëra e të pastra në një sipërfaqe totale 1250 km2. Klima malore e Pukës, Bjeshkët e saj me pyjet që brenda duket se mbajnë historinë, janë dhurata që natyra i ka bërë kësaj zone.E vetmja zhurmë që të prish qetësin në këtë zonë janë cicërimat e zogjve dhe puhizat e lehta të flladit që përcjellin bjeshkët të miksuara me aromën e luleve të luginave.

Ndërkohë ujërat e kristalta në lumenjtë që përshkojnë zonën ja shtojnë edhe vecoritë kësaj zone. Pishinat natyrore dhe ujëvarat për gjatë rrjedhave të lumenjve janë një tjetër atraksion për turistët. Hedhjet nga lartësitë mbeten një kujtim i paharruar për këdo që në fshatin Kryezi viziton Ujvarat që banorët i njohin si pusat e këqinj, të cilët po tërheqin gjithnjë e më shumë vëmëndjen e turistëve vendas dhe të huaj. Turizmi ujror është më i përhapur në rrethin verior.Destinacionet që përfshijnë majat e maleve që rrethojnë Pukën , 85 shpellat e famshme të saj, shtigjet e identifikuara për turistët e aventurës , luginat lumenjtë dhe bukuritë natyrore , për tu përmbyllur me hanet tipike të vendit dhe ushqimet karakteristike të zonës, përbëjnë një ofertë të mirë turistike. Puka ka se cfarë të ofroj dhe për turizmin kulturor. Shtatorja e Skëndërbeut e inaguruar vitet e fundit si dhe shtatorja e gjeniut të letrave shqipe, Migjenit, të cilit i është dedikuar dhe një muze me emrin tij si dhe muzeu etnografik janë të këshillueshëm për tu vizituar..