Më 25 shkurt, Zhang Guimei u dekorua si një nga modelet e zbutjes së varfërisë me një titull kombëtar të nderit nga presidenti Xi Jinping në një konferencë kombëtare të vlerësimit.


Në shkollën e mesme të ciklit të lartë të vajzave Huaping të provincës Yunnën të Kinës Jugperëndimore, drejtorja e shkollës Zhang Guimei është e rreptë, ashtu si altoparlanti që mban në dorë.

Zhang Guimei dhe altoparlanti i saj (foto nga RED STAR NEWS, Wang Hongqiang)

Çdo ditë, në oborrin e shkollës dëgjohet qysh në mëngjes zëri i lartë nga altoparlanti: “Erdhi koha! Ejani! Ato që janë me vonesë, duhet të pastrojnë sheshin!” Në sheshin e lojërave, në klasat e në konviktet, çdo nxënëse e njeh këtë zë simbolik të përcjellë nëpërmjet altoparlantit.

Për nxënëset, altoparlanti dhe "pronarja" e tij Zhang Guimei përfaqësojnë rigorozitetin, madje edhe josimpatinë. Me të mbaruar ngrënien, zëri nga altoparlanti i nxit të vrapojnë drejt klasës, ndërsa natën thërret emrat e vajzave dhe i nxit të flenë shpejt. Qysh kur filloi të përdorë altoparlantin për t'u thirrur nxënëseve, Zhang Guimei ka përdorur mbi dhjetë të tillë derisa u prishën.

Zhang Guimei në podium (foto nga People Visual)

Por altoparlanti ka edhe një anë tjetër. Për shumë vjet me radhë, Zhang Guimei ka theksuar herë pas here në podium, duke mbajtur në dorë altoparlantin, se një femër duhet të jetë e fortë dhe e pavarur dhe duhet të mësojë njohuri për të ndryshuar fatin. Ajo ka përsëritur një fjali: “Të shpëtoj edhe një më shumë.”

Vendosmëria e saj vjen nga vizita që bëri te familja e një nxënëseje para afro 20 vjetëve. Në vitin 2002, kur Zhang Guimei nisi punë si mësuese në zonën malore, një nxënëse e saj vetëm 13 vjeçe u detyrua nga prindërit të martohej, përkundrejt një "çmimi për martesë" prej 30 mijë juanësh. Zhang Guimei i këshilloi herë pas here prindërit e vajzës, por nuk pati sukses dhe u detyrua të heqë dorë nga përpjekjet. Më vonë, ajo nuk e pa kurrë këtë nxënëse dhe kjo i la një brengë në zemër.

Qysh nga ajo kohë, Zhang Guimei ishte e ndërgjegjshme se prapambetja në arsim dhe pabarazia në zonat e varfra malore, si dhe baballarët alkoolikë dhe nënat e paarsimuara, shkaktojnë tragjedinë e vajzave, të cilat nuk mund të marrin edukimin e duhur, por detyrohen të martohen në moshën shumë të re. Edhe fëmijët e tyre nuk do të arsimohen si duhet dhe kështu krijohet një rreth vicioz. Për zgjidhjen e varfërisë në zonat e varfra malore në mënyrë rrënjësore, duhet filluar nga ngritja e kualifikimit të grave. “Gjendja praktike më detyroi të krijoja një shkollë të mesme për vajzat. Nuk jam profete,” shprehet Zhang Guimei.

Gjendja shumë e vështirë e vajzave në malësi e forcoi vendosmërinë e saj për ngritjen e kësaj shkolle. Për këtë, Zhang kërkoi financim antej-këndej si “lypëse”, pa përfillur keqkuptimet dhe shpotitë e të tjerëve.

Shkolla e mesme e vajzave “Huaping”në provincën Yunnan të Kinës Jugperëndimore (foto nga RED STAR NEWS, Wang Hongqiang)

Në vitin 2008, Zhang hapi shkollën e mesme të vajzave “Huaping”, krejtësisht falas. 12 vjet më vonë, në vitin 2020, ndër 159 vajzat e kësaj shkolle që morën pjesë në provimin kombëtar për hyrjen në shkollën e lartë, 150 fituan dhe u regjistruan në universitete. Gjatë këtyre 12 vjetëve, gjithsej 1804 vajza janë regjistruar në shkollat e larta dhe janë larguar nga thellësia e maleve, me varfëri të jashtëzakonshme. Një rezultat i tillë nuk mund të përshkruhet përveçse me fjalën “mrekulli”.

Zhang Guimei dhe vajza në shkollën e saj (foto nga VCG)

Duke folur për arritjet e saj gjatë një interviste për CCTV-në, Zhang Guimei tha: “Pavarësisht nga të gjitha vështirësitë, mendoj se kisha të drejtë që krijova këtë shkolle vajzash. Shpërblimi ia vlen mundin, edhe sikur t’i kushtoj jetën.”

Gjatë mbi 20 vjetëve, Zhang Guimei ka vuajtur nga sëmundje të ndryshme. Kur ka shumë dhembje, ajo u ankua miqve se më mirë të vdesë, që të mbarojnë të gjitha vuajtjet. Megjithatë, kur dëgjon zërat e nxënëseve në klasë që lexojnë, Zhang Guimin gjen shpresë të re për të vijuar punën. (Wang Lei)

Zhang Guimei dhe nxënëset në shkollën e saj (foto nga VCG)