Nuk është sekret që Pogradeci, ka një bukuri dhe tërheqje unike. Ky qytet turistik simpatik, i gjallë, buzë liqenit është gjithçka që një udhëtar i vetëm, ose me familjen mund të dëshirojë. Midis ushqimit të mrekullueshëm, parkut të bukur kombëtar dhe vetë liqenit, Pogradeci është si një ëndërr romantike.

Në rubrikën tonë, sot do ju tregojmë se si ta shijoni Pogradecin në një mënyrë unike dhe të ndiheni si pogradecar i vërtetë…

Akomodohuni buzë liqenit dhe shijoni…

Në Pogradec mund të shkoni në çdo stinë. Mundësia më e mirë për ta shijuar atë, pavarësisht sezonit, është të zgjidhni një akomodim të përshtatshëm. Nëse zgjidhni një nga hotelet apo shtëpitë private që jepen me qera, përgjatë rrugës, deri në Tushemisht, do të bëni zgjedhjen e duhur. Të zgjoheni me pamjen nga Liqeni dheMalii Thatë, mes qetësisë së liqenit dhe njerëzve të tij të qetë e dashamirës, është një ndjesi fantastike.

Shtëpitë buzë liqenit fillojnë me çmime nga 1500 – 2500 lekë nata, pa mëngjes. Ndërsa hotelet variojnë nga 3500 – 4500 lekë nata, me mëngjes të përfshirë për një dhomë dyshe.

Mëngjesi ideal janë petullat. Pavarësisht se mëngjeset janë të bollshme dhe tavolinat të mbushura plot, mos e lini pa i provuar ato. Lokalet i servirin me reçelra nga më të ndryshmit të bërë vetë dhe ngjajnë me petulla shtëpie.

Petullat mund t’i porosisni për mëngjes, edhe nëse keni fjetur diku tjetër, ato do ju vijnë në tavolinë bashkë me kafen e parë të mëngjesit. Provoni ta merrni këtë ndjesi në një nga lokalet e bukur në mes të Tushemishtit.

Pogradeci është gjithashtu një destinacion i shkëlqyer për ato që pëlqejnë peshqit e ujrave të ëmbla. Korani është mbreti i liqenit. Mund ta porosisni kudo të gatuar në tavë, me të cilën pogradecarët krenohen. Një tavë e tillë kushton 1500 lekë për dy persona. Është një tavë e bollshme, si të gjitha racionet që serviren këtu. E gatuar me qepë, hudhra dhe domate, apo e gatuar me arra, pogradecarët kanë ca secrete të tjera që vetëm ato i dinë, për të sjellë në tryezë këtë tavë fantastike që mund ta shijoni në secilin prej lokaleve buzë liqenit.

Nëse nuk jeni për koranin në tavë, mund ta merrni koranin tuaj të pjekur në zgarë. I gatuar në këtë mënyrë, përmban fare pak erëza, vetëm me kripë, piper dhe limon.

Por mund të porosisni edhe belushkën e skuqur, një peshk i vogël i liqenit dhë sërish të kënaqeni me shije.

Nëse për drekën sugjerojmë lokalet buzë liqenit, për mund të zgjidhni një nga lokalet tradicionale nëpër rrugicat e bukura të Pogradecit. Ato kryesisht ofrojnë mish të egër, si derrin e egër, apo shpendët të gjuajtura në malet përreth. Salcërat që ato përdorin për t’i shoqëruar janë për të lëpirë thonjtë. Rakia dhe vera në butet e verës, ta bëjnë me sy.

Mbrëmjet e Pogradecit janë të freskëta, prandaj mund t’i afroheni më pranë oxhakut apo sobës, që janë të pranishme kudo që të shkoni.

Shëtisni buzë liqerit, “takoni” Lasgushin dhe Kutelin

Për vizitorët që i duan librat dhe poezitë, qyteti i Pogradecit, i lidh detyrimisht me poetin e madh lirik, Lasgush Poradeci.

Madje të duket se do takosh për rastësi, plakun vjershëtor, me kapotën, bastunin dhe qenin e tij besnik, teksa shëtit ngeshëm në zallishte. Të duket se dëgjon bastunin e tij tak-tak, e nuk ngelet tjetër, veç ta përshëdesësh. Shtëpia ku ka jetuar, e përshkruar prej tij si “Kulla”, ndodhet në lagjen Toplec, një nga lagjet karakteristike të qytetit. Kjo shtëpi, e vitit 1880, ka qenë streha e poetit deri në vdekje, prandaj zgjon kureshtjen për ta vizituar, megjithëse ajo ka ndryshuar pronar dhe asgjë nuk është siç e la poeti.

Eshtë thjesht një kureshtje se ku ndodhet sepse nuk është ruajtur asgjë muzeale në të. E njëta shtëpi, njihet edhe si “Vila e Et’hem Beut”, pasi aty u xhirua filmi “Mëngjese lufte”. Duke ecur rrugicave me kalldrëm, mendja të shkon edhe tek Mitrush Kuteli, shtëpia e të cilit, edhe pse e kërkon, nuk ekziston më.

Në shtëpitë, që duhej të ishin muze, në rrugët e këtij qyteti, u ngjizën poezitë dhe prozat e para të Kutelit dhe Lasgushit, shtatoret e të cilëve ndodhen përballë njëra tjetrës. Nëse shëtisni nëpër rrugicat e Pogradecit, është e pamundur të mose provoni ndjesinë e përkatësisë së dy kolosëve të letrave shqipe, ndaj qytetit të tyre.

Silluni si pogradecar

Bregu i liqenit përgjatë 4 km nuk ka ndërtesa të larta, ndërsa jo shumë larg bregut, ndodhet një park i stërgjatë me shelgje, gështenja të egra dhe bli. Aroma dhe freskia e tyre ndihet ngado. Në gjol mund të shohësh edhe një pamje të rrallë, ku mbi varkat e peshkatarëve pa u gdhirë ende mirë, fluturon nositi.

Eshtë gjëja më e zakonshme të shohësh gratë pogradecare që mëngjeseve me fshesa pastrojnë hapësirën para portave të tyre, ndërsa burrat mbrëmjeve me cironka dhe një gotë raki, bisedojnë me qetësinë që i karakterizon njerëzit e këtij qyteti. Në shëtitje darkave akoma mund të shohësh vajza që shëtisin të kapura për dore.

Nga hyrja për në lagjen Toplec, deri tek Burimet, kënaqesh duke ecur mes shtëpive karakteristike. Në vakt dreke, tek burimet, i sheh banorët tek lajnë peshkun e zënë në liqen. Nga dritaret del aroma e mirë e koranit me arra, lakrorit me petka, peskavicave apo kërnackave.

Mund të ecni kuturu rrugëve të qytetit, ku çdo prag dere ka një histori.

Pogradecarët kanë shumë me ç’të krenohen legjenda urbane thotë se nga tava e Koranit lëpiu gishtat edhe Mbretëresha e Anglisë. Por deri mësot askush nuk e ka faktuar këtë gjë. Rëndësi ka pogradecarët e besojnë një gjë të tillë dhe kjo gjë ia shton akoma më shumë vlerat traditës së tyre në kulinari.

Nëse doni të blini peshk, bëjeni siç bëjnë pogradecarët. Ngrihuni në orët e para të mëngjesit, kur peshkatarët i sjellin me varkat e tyre. Kujdes, mos e ngatërroni Troftën me Koranin. Korani, thonë pogradecarët, ka pikat e kuqe dhe të zeza në kurriz.

Dhe këshilla e fundit, mos harroni të merrni me vete një triko me mëngë të gjata, se do t’ju duhet gjithmonë mbrëmjeve.

Neritana Kraja