Abiente te reja ne projektin Parku i Artit

Një projekt i ri pritet që të ndryshojë fatin historik të ish- Kinostudios Shqipëria e re.

Ky projekt do të shndërrojë hapësirën e ish-Kinostudios në një park arti, i cili do të vihet në dispozicion të artistëve dhe që pretendohet të jetë mjaft i aksesueshëm me hapësirat e reja rekreative.

Në vite, vazhdimësia dhe ekzistenca e Kinostudios, jo vetëm që ishin vënë në pikëpyetje, por shpesh ajo ka ndryshuar edhe destinacion.

Ndërtesa ku sot janë stacionuar struktura të Ministrisë së Kulturës, Qendra Kombëtare e Kinematografisë, apo zyra të tjera në shërbim të artit, dikur ka qenë qendra e vetme e prodhimit të filmave në vend, Kinostudioja Shqipëria e Re.

Akoma sot në një kënd pranë saj ruhen makinat e vjetra përdorur në filmat e xhiruara në bardhë e zi. Në një anë është një shkollë private filmi e pas saj institucione të medias.

Por kësaj epoke i erdhi fundi. Ministria e Kulturës prezantoi një tjetër të ardhme. Nga ish-kinostudio, e më vonë ministri, e ardhmja do të ketë emrin: Parku i artit.

Në 16 mijë metra katrorë do të krijohet muzeu i filmit, sallë kinemaje, hapësira ekspozimi dhe lulishte për qytetarët. Eshtë ministrja e Kulturës, Elva Margariti që jep detajet e këtij projekti gjatë prezantimit të tij.

“Kemi menduar që një sërë asetesh të tjera që lidhen me Arkivin Qendror të Filmit, me Akademinë Marubi, me Albafilmin që ka një pjesë të madhe të garderobave, ose të arkivave të tjera, ashtu siç ka edhe automjetet retro, të cilat janë përdorur në fima të ndryshëm, të gjita këto bashkë, janë pjesë të një pazëlli më të madh, që kthejnë një tjetër vëmëndje. Unë mendoj që muzeu i filmit është sfida tjetër e radhës”.

Mesa duket pak gjë do të mbeten nga imazhi i shtëpisë së dikurshme të prodhimit të filmave.

Studio fituese është shpallur IRI, përfaqësuesi i së cilës sqaron se para nisjes së projektit koncepti kryesor ishte shndërrimi i zonës në një hapësirë shumë funksionale:

“E para ishte heqja e rrethimeve. Kinostudio ka shumë rrethime. Ky është një rrethim i bërë që në vitin 1956. Sot ai është jashtë mode, nuk lejon që komuniteti të marrë pjesë në këtë park.

Një detyrë tjetër është se si ne të shtojmë sasinë e gjelbrimit dhe e treta si ta kthejmë këtë park, në një park që të jetë për artin. Këtë e kemi bërë duke futur disa objekte.”

Projekti i cili do të shndërrojë hapësirën e ish- Kinostudios në një park arti do të kushtojë 1 milion euro dhe mbështetet nga Bashkimi Europian.

“Eshtë një fond konsistent, prej 1 milion euro që ne mendojmë se është një fazë e mirë fillestare. E kemi ndarë në tre lote, atë të fillimit të sistemimit të parkut, atë të restaurimit të godinës dhe më pas të gjithë pjesën e sistemimeve që lidhen me infrastrukturën”.

Ideja e këtij projekti tashmë është shpalosur, pritet nisja e punimeve realizuese. Artistët do të kenë shtëpinë e tyre të artit. Eshtë impresionues fakti që kjo hapësirë e periferisë së Tiranës, do ti kthehet artit, ashtu siç është impresionues fakti që të njëjti koncept rivitalizimi do ti nënshtrohet edhe Kombinati, i cili do të ketë emrin Kombin Art ashtu si edhe në lagje të reja të Tiranës, do të ketë hapësira që do i dedikohen vetëm artit dhe kulturës shqiptare.

Një nga gjërat më të vështira të punës, siç bën me dije ministrja e Kulturës, ka qenë gjetja e balancës së duhur mes të shkuarës dhe të ardhmes, mes hapësirave të gjelbra, parqeve dedikuar fëmijëve, hapësirave ekspozuese dhe krijuese, pasurisë së gjigantit të dikurshëm kinematografik, aparaturave, makinave dhe garderobës.

Ministrja e Kultures, Elva Margariti premton krijimin e Qendrës Kulturore, që parashikon të ketë që nga laboratorët fotografikë, studio muzikore, dublimi, produksioni, qeramike, sallë kinemaje, hapësirë ekspozimi, madje edhe hapësira akomodimi për artistët rezidentë.

Kujtojmë se kompleksi neoklasik i ish - Kinostudios u projektua nga një grup arkitektësh sovjetikë dhe u ndërtua nga specialistët shqiptarë në vitet 1950-1952. Dikur ka qenë ndërtesa e Studios Kombëtare Shqiptare të Filmit e njohur si Kinostudio “Shqipëria e Re” si dhe e Arkivave Kombëtare të Filmit.

Filmi i parë artistik i prodhuar nga kjo kinostudio ishte filmi “Skënderbeu” (1953) një bashkëprodhim me Bashkimin Sovjetik të atëhershëm. Filmi ka fituar çmimin ndërkombëtar në Festivalin e Filmit në Kanë në vitin 1954.

Kinostudio “Shqipëria e Re” ka prodhuar dhe shpërndarë shumë filma shqiptarë. Më intensive ka qenë veçanërisht periudha e viteve’70 -’80 kur prodhoheshin 13-14 filma në vit.

Neritana Kraja