Orikumi është një qytet i vogël në jug të Shqipërisë, i njohur për plazhet e tij të mrekullueshme me guralecë të imët dhe për pasurinë historiko-arkitektonike. Orikumi ka qenë qytet antik i disa periudhave, që nga ato greke, romake dhe deri në mesjetën e hershme. Sot ai është kthyer në një destinacion për turistë të shumtë vendës dhe të huaj. Në Orikum ndodhet dhe porti më i ri i gjirit të Vlorës, i cili është i vetmi port turistik i Jahteve në Shqipëri dhe quhet Marina e Orikumit.

Mbetje arkeologjike në Orikum

Historia

Qyteti i Orikumit ndodhet në jug të Gjirit të Vlorës. Pranë tij shtrihet qyteti antik Oriku, i themeluar nga Eubeasi në shekullin Vl p.e.s në trojet e fisit ilir të Amantëve, mbi kodrën e njohur me emrin Paleokastër. Ai përmendet nga autorët e shekullit të V p.e.s, si port i rëndësishëm i Adriatikut. Oriku u shfrytëzua nga romakët në luftrat kundër ilirëve dhe maqedonëve dhe luajti një rol të rëndësishëm në luftën civile midis Cezarit dhe Pompeut. Flota maqedonase e Aleksandrit të Madh e pushtoi në vitin 214 p.e.s. Ndërsa në shekullin e ll p.e.s u dëmtua nga një tërmet i rëndë, dhe u rindërtua e u fortifikua në shekujt e V-Vl.

Në kohën bizantine dhe në mesjetë njihet si një port i vogël me emrin “Jeriko”. Në fakt, koha e saktë për themelimin e Orikumit nuk dihet. Ka shumë gjasa që kjo qytezë është themeluar si koloni mbi ndonjë vendbanim ilir më të vjetër, se shekulli VI p.e.s , ashtu si ka ndodhur edhe për shumë qyteza të tjera ilire. Mbas Karaburunit gjendet një liman që quhet Gramata dhe banorët i thërrasin Grama. Ky liman, në ditët e sotme, është një kompleks, me tuma, qeramikë, amfora nënujore, madje aty është gjetur dhe një anije me vela ilire.

Nga gërmimet që ka bërë në trevën e Dukatit arkeologu shqiptar Prof. Neritan Ceka, ka gjetur varreza të lashta ilire të mijëvjeçarit të tretë p.e.s. Kërkimet arkeologjike kanë qenë të kufizuara në Orikum për shkak të rëndësisë strategjike që paraqet kjo qendër arkeologjike, që në të njëjtën kohë është përdorur si bazë ushtarake detare.

Gjetje të rastësishme përreth kësaj zone pëfshijnë objekte arti të ruajtura në muzeun e Vlorës. Gërmimet e viteve 1950 u kryen në një teatër të vogël ose odeon që pret faqen juglindore të kodrës. Teatri i gurtë është ndërtuar ne shek. I p.e.s me kapacitet 600 spektatore dhe mendohet se ne kohen e lulëzimit të qytetit përdorej për shfaqje teatrale e ndeshje gladiatorësh. Ekzistenca e këtij teatri mbart jo vetëm vlera historike dhe arkeologjike, por edhe kulturore

Kultura dhe Trashëgimia

Trashëgimia e një kulture ilire në zonën e Orikumit jepet në mënyrë shumë të qartë nëpërmjet objekteve arkeologjike të zbuluara. Për artin e të ndërtuarit flasin rrënojat e vendburimeve antike si qyteti ilir i Orikut.

Kultura popullore në periudha të ndryshme historike i është përgjigjur formacioneve ekonomiko-shoqërore, duke evoluar për çdo periudhë, gjithmonë me prirje zhvillimi e në mënyrë dialektike. Kjo argumentohet me shumë elementë të kulturës popullore që janë trashëguar brez pas brezi, duke fituar qëndrueshmëri deri në ditët tona.

Veshjet në këtë zonë janë të punuara kryesisht me satin, që përbën një element unikal në materialet, që përdoren për veshjet popullore. Kjo larmi veshjesh, ngjyrash e stilesh, mbartet nga persona që e kanë pasion traditën. Veshja e burrave ka më tepër elementë të origjinalitetit, ku më e vjetra është ajo me këmishë të gjatë, me fustanellë e tirqe kofshore, me poture e tirqe gjunjare. Pjesë e kostumeve dhe veshjeve popullore janë edhe opinga e lopës, këpucët me profka, opinga me shollë të rregjur, opinga me xhufka, si edhe qylafi i bardhë me thumb në majë.

Ndërsa veshja më e vjetër e gruas është ajo me fustan. Një veshje e mëvonshme kanë qenë edhe çitjanet, gjë që përbën një element krejtësisht të ndryshëm nga veshja e vjetër tradicionale e lidhur kjo me ndikimet në momente të ndryshme historike.

Sa i përket muzikës, ajo është një ndër më të vjetrat në Ballkan. Në këtë zonë gjenden mënyra e të kënduarit, të cilat përbëjnë gjurmë të një kulture të lashtë si: monofonia, kënga dyzërëshe me dhe pa iso, iso shumëzërëshe ose siç njihet ndryshe, polifonia. Zërat njerëzorë zëvendësojnë instrumentat muzikore. Ndërkohë shpesh në gëzimet e festat e shumta në familjet e kësaj zone dëgjoheshin e këndoheshin me dashuri këngët e vjetra myzeqare, të cilat dalloheshin për folklorin e tyre origjinal dhe larminë. Këngët polifonike të zonës së Vlorës janë këngë popullore të lashta, të pashkruara, por të trashëguara e të përcjella nga brezi në brez. Tekstet e këtyre këngëve janë pothuajse të papërkthyeshme, por me një poeticitet të paarritshëm.

Turizmi

Në qoftë se do të vizitojmë Orikumin e sotëm do të gjejmë një natyrë të bukur dhe shlodhëse, por mund të njihemi edhe me historinë e këtij vendi dhe veprat monumentale të tij. Këtu mund të zhvillojmë jo vetëm një turizëm natyror me det e me plazhe të bukura, por edhe një turizëm kulturor të pasur.

Parku Arkeologjik i Orikumit është një destinacion për turizëm kulturor. Ai ndodhet në afërsi të bazës ushtarake të Pashalimanit në Orikum, gadishullit të Karaburunit dhe detit. Përveç bukurisë natyrore që kjo zonë ofron, qyteti antik i Orikut që u ndërtua në shekullin e gjashtë p.e.s, mbart historinë e qytetërimit të dikurshëm ilir, por dhe të zbarkimeve romake në kohën e Jul Çezarit. Gërmimet arkeologjike vazhdojnë të kenë një impakt dhe interes të madh për vizitorët vendas e sidomos për ata të huaj. Këto gërmime tregojnë histori dhe vlera, ndoshta disa dhe të panjohura për historinë e Shqipërisë.

Pushuesit që vijnë në gjirin e Vlorës dhe në Orikum, veç plazhit, në orë të veçanta të ditës mund të vizitojnë edhe objekte historike që ndodhen në të gjithë zonën, vlen të përmendim Kishën e Marmiroit e cila ndodhet në fund të gadishullit të Karaburunit dhe është një kishë bizantine me kupolë, ndërtimi i së cilës datohet në shek. XII.

Gjiri i Gramatës është një tjetër atraksion turistik, në të cilin ndodhet gjithashtu edhe shpella e Gramës, muret e gurta të së cilës përmbajnë vizatime dhe shkrime, shumica e të cilave i referohen mikpritjes se vendasve. Një tjetër objekt me vlera është Kalaja mesjetare e Gjon Boçarit që i përket shekullit XV, e lokalizuar pranë fshatit Tragjas. Ndërsa në afërsi të fshatit Dukat ndodhen Kullat e Dervish Aliut, një kompleks ndërtimor me vlera historike.

Shpella e Dukë Gjonit ndodhet në faqen jugore të Gadishullit të Karaburunit në vendin e quajtur Petrunë dhe njihet për bukuritë e rralla, vlerat shkencore, kulturore e turistike.

Rrapet 250 vjeçarë, të njohur si rrapet Izvorit ndodhen ne fshatin Tragjas. Orikumi është një vend që ofron shumë në çdo drejtim, në histori, kulturë, natyrë, plazhe , argëtim e kuzhinë, gjithçka për të cilën ka nevojë një turist.

Orikumi ka edhe një përparësi tjetër, sepse ofron çmime shumë të lira dhe sidomos mundësi për pushime familjare. Ndryshe nga zona e Zvërnecit ose Plazhi i Vjetër i Vlorës, ku hapësirat bregdetare janë ranore dhe për shumë pushues, Orikumi ofron plazhe me ujra të kristalta e brigje të buta e të qeta, të përshtatshme për familjet me fëmijë.

Elida Lazi