Këtë vit, për shkak të pandemisë së COVID-19, qeveria kineze i inkurajoi banorët të qëndrojnë në qytetet ku punojnë gjatë Festës së Pranverës. Shumë njerëz iu përgjigjën thirrjes së qeverisë dhe zgjodhën kremtimin e festës në qytetet ku punojnë. Gjatë pushimeve të sivjetshme, krahas vizitave në park, takimeve me miqtë, shëtitjes në periferi, edhe shikimi i filmave u bë një mënyrë e mirë për kremtimin e festës.

Pushimet e Festës së Pranverës janë zakonisht "periudha e artë" e tregut kinematografik. Shumë filma u zgjodhën të shfaqen në këtë periudhë për të pasur të ardhura të larta nga biletat e kinemave. Gjatë pushimeve të sivjetshme, filmi kinez “Hetues në Chinatown 3” është më tërheqësi. Ky film duhet të shfaqej në Festën e Pranverës të vitit të kaluar, por, për shkak të pandemisë, regjisori Chen Sicheng vendosi ta shtyjë shfaqjen e filmit sivjet. Seria e filmave humoristikë me detektivë “Hetues në Chinatown” mirëpritet shumë nga shikuesit. Edhe dy filmat e parë të kësaj serie fituan të ardhura shumë të larta prej shitjes së biletave të kinemave, dhe shumë shikues mezi e pritnin shfaqjen e filmit të tretë të serisë në Festën e Pranverës të këtij viti.

“Hetues në Chinatown 3” u shfaq në ditën e parë të Vitit të Ri Kinez (12 shkurt) dhe para shfaqjes, brenda tetë orëve, të ardhurat prej parashitjes së biletave arritën në 50 milionë juanë, duke shënuar rekord të ri për sa i përket shpejtësisë së arritjes së vlerës 50 milionë juanë të të ardhurave të parashitjes së biletave nga një film kinez. Pas shfaqjes, ashtu siç pritej, të ardhurat nga biletat të këtij filmi u shtuan shpejt dhe deri më 14 shkurt, arritën në 2.2 miliardë juanë, duke shënuar rekord të ri për sa i përket vlerës së të ardhurave javore nga shitja e biletave të një filmi kinez. Deri më 21 shkurt, të ardhurat e filmit nga shitja e biletave në kinema i kaluan 4 miliardë juanët dhe “Hetues në Chinatown 3” u bë filmi i 5-të kinez me të ardhura nga biletat mbi 4 miliardë juanë, dhe gjithashtu filmi kinez që ka arritur në kohën më të shkurtër të ardhura prej shitjes së biletave mbi 4 miliardë juanë deri tani.

Një film tjetër i mirëpritur në tregun kinez të kinematografisë me rastin e Festës së Pranverës të këtij viti është “Përshëndetje, mami”. Kjo është vepra e parë si regjisore e aktores komike kineze Jia Ling, duke qenë një përkujtim për nënën e saj të larguar nga jeta. Ndjenjat e thjeshta e të sinqerta mes nënës e vajzës të shfaqura në film e prekin çdo shikues. Megjithëse ky është një film komik, shumë shikues derdhën lot në kinema.

Filmi “Përshëndetje, mami” u shfaq në të njëjtën ditë me “Hetues në Chinatown 3” dhe deri më 21 shkurt, të ardhurat e shitjes së biletave të tij arritën mbi 4 miliardë juanë. Tani të ardhurat e përgjithshme të filmit i kanë kaluar ato të “Hetues në Chinatown 3”. “Përshëndetje, mami” është bërë filmi i një regjisoreje femër kineze që ka fituar të ardhurat më të larta prej shitjes së biletave.

Krahas këtyre dy filmave, gjatë Festës së Pranverës së sivjetshme janë shfaqur edhe disa filma të shkëlqyer kinezë e të huaj. Tregu "i nxehtë" i filmave e ka shtuar shumë atmosferën e festës, duke zbutur mallin e shumë njerëzve për vendlindjen gjatë Festës së Pranverës. (Foto nga VCG)