Mrekullitë natyrore të Shqipërisë janë të shumta, por padyshim një prej më kryesoreve është zona e Dumresë, ku ndodhet dhe qyteti i Belshit. Kjo zonë është e njohur si një nga perlat karstike më të bukura të Mesdheut. Dhurata më e çmuar që natyra i ka bërë kësaj zone janë 84 liqenet karstike dhe pozicioni i shkëlqyer gjeografik e tepër i favorshëm i saj për t’u zhvilluar në të gjitha aspektet dhe mbi të gjitha për t’u bërë një zonë e lakmueshme si nga turistët, por edhe për biznesin.

Historia

Belshi dhe liqenet e tij kanë një histori të lashtë qytetërimi. Ky qytet të befason dhe me vlerat historike dhe arkeologjike të tij. Në afërsi të tij ndodhet një nga vendbanimet më të lashta antike, vendbanimi ilir i Gradishtës, që daton nga periudha e mesme e bronzit. Në shek. IV p.e.s. Gradishta ishte qendër urbane, kurse në shek. I p.e.s. ishte qytezë e fortifikuar e fisit Parthin. Ky vend arkeologjik është quajtur “Akropoli i Dumresë”, sepse ngrihet mbi sipërfaqen e terrenit, në lartësi mbidetare vetëm 180 metra, por që nga andej mund të shihet krejt zona e Dumresë.

Gjatë shekujve IV-VI e.s. Belshi ishte një qytet i fortifikuar me mure guri, por që pastaj mbeti vetëm një fshat i zakonshëm. Në qendër të historisë qëndron kalaja e Gradishtit, historia për princin ilir të Belshit, gjurmët dhe ritet e Afërditës ilire të periudhës helenistike të Belshit. Gradishta është një fshat i zonës dhe e ka zanafillën që nga periudha e mesme e bronzit. Ndërsa në perëndim të qytezës, në liqenin e Seferanit, ishte faltorja e Afërditës dhe kulti i saj ushtrohej duke hedhur në ujë enë e terrakota si dhurata për perëndeshën. Është kjo arsyeja që herë pas here edhe sot zhytësit gjejnë në fundin e liqeneve relikte të rralla terrakote.

Duke njohur historinë e lashtë të kësaj treve, ka pas një ide të Sami Frashërit që qyteza e Belshit të ishte kryeqytet i Shqipërisë.

Kulturë dhe traditë

Zona e Dumresë veç historisë ka edhe një kulturë të pasur, e cila shprehet në larminë e valleve dhe këngëve karakteristike të kësaj zone. Këngët e zonës së Belshit këndohen me iso në grup, polifonike por edhe njëzëshe. Ndërsa, vallet përfaqësojnë pasurinë e çmuar të zonës së Belshit. Rreth 23 valle përbëjnë këtë pasuri të jashtëzakonshme, duke e kthyer Belshin në një vatër autoktone të koreografisë popullore.

Zona e Dumresë ka edhe veshjen e saj karakteristike. Ajo veçohet për 5 kostume karakteristike, të cilat ende prodhohen në kushte artizanale, me tezgjah. Çdo familje belshake ruan kostumet e veta popullore, të cilat i përdorin në raste festash e ditë të veçanta. Orkestrinat popullore janë karakteristike për komunitetin, ndërsa instrumentet që luajnë në unison janë dajrja, violina, mandolina dhe fizarmonika.

Emër dhe gjallëri kulturës së Belshit i ka dhënë Ansambli Folklorik, i cili ka marrë pjesë në të gjitha festivalet folklorike kombëtare të organizuara në Gjirokastër, ndërsa ka qenë pjesëmarrës edhe në festivalin ndërkombëtar në Toskana të Italisë, ku u vlerësua me çmimin e dytë. Zona ka dhe veshjet e saj karakteristike, të cilat janë 5 kostume që prodhohen në mënyrë artizanale në Belsh nga njera nga familjet më të mëdha të zonës, familja Hysa. Belshi ka edhe një shtëpi kulture model për zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme, duke filluar nga dita e verës, që për zonën e Elbasanit është një traditë dhe shumë festa të tjera. Emra të njohur që e kanë ruajtur dhe po e trashëgojnë në breza traditën e kësaj zone janë Qemal Fejzo, Petref Hysa dhe Shefqet Tafani.

Turizmi

Belshi një pikë turistike pranë qytetit të Elbasanit, mund të vizitohet në verë, vjeshtë dhe pa asnjë dyshim edhe në dimër. Turizmi është një ndër drejtimet më premtuese të zhvillimit ekonomik të qytetit të Belshit. Qyteti trashëgon nga e kaluara një varg të gjatë e të pasur vlerash historike, kulturore, etnografike, arkitektonike dhe natyrore, të tilla që përbëjnë një potencial të konsiderueshëm për turizmin. Me burimet turistike të qytetit është e mundur që të zhvillohet turizmi familjar dhe ai i organizuar. Në disa fshatra, mund të zhvillohet turizmi liqenor.

Liqenet tërheqin vëmendjen e turistëve për bukuritë që kanë, por edhe për florën e faunën, për pelikanin kaçurrel, për peshqit e shumëllojshëm, për zambakun e bardhë e zambakun e verdhë etj.Vitet e fundit ka patur interes në rritje në lidhje me turizmin liqenor në zonën e Dumresë. Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Turizmit organizohet festivali “Liqenet e Dumresë”, ku marrin pjesë grupe artistike nga të gjitha trojet shqiptare. Me këtë rast mbahet edhe panairi i prodhimeve bujqësore dhe artizanale nga Dumreja dhe jashtë saj. Gjithashtu, organizohet festa “Nimfa e Liqeneve”, si një ftesë për vizitorë dhe turistë.

Përvec pasurisë kulturore, turistët në këtë zonë kanë kushte dhe terren ideal për zhvillimin e sporteve në natyrë, si çiklizmin dhe ecjen në natyrë brigjeve të liqeneve, pyjeve, kodrave të buta e fushave të mbjellura. Ndërkohë në Seferan mund të shijosh bukuritë e jashtëzakonshme të natyrës, të shijosh ushqimin tipik të zonës, të shërbyer në mënyrë tradicionale. Mund të flesh në bujtina, të organizosh një ditë të bukur përmes guidës, që ofron sporte në ujë, kajak, kanoe, peshkim, por edhe shëtitje me biçikleta, hapësirë për barbekju dhe piknik.

85 liqenet karstike të Belshit i vizitojnë veçanërisht turistët e huaj, por vitet e fundit me transformimin që i është bërë kësaj zone me bukuri të jashtëzakonshme natyrore, fluksi i vizitorëve po shtohet edhe me qytetarë shqiptarë, sidomos nga Tirana dhe Durrësi. Por, Belshi me liqenet e tij të panumërta, me kodrat e buta e të pyllëzuara, me resurset e mëdha natyrore dhe me njerëzit e tij punëtorë, ku turistët vendas dhe ata të huaj që zgjedhin të vizitojnë zonën e Dumresë nuk do të zhgënjehen nga kuzhina tradicionale e kësaj zone.

Kohët e fundit vendasit po tregojnë kujdes që cilësia e saj t’i përgjigjet kërkesave të klientëve. Mishi i qengjit dhe kecit i pjekur në hell janë pjesë e traditës në këtë zonë, por nuk mungon as tava e peshkut e gatuar me perime, specialitet i kësaj zone mbetet dhe ajturi me kajmak dhe ai me lakra. Ndërsa sa i përket ëmbëlsirave do të veçonim qumështorin dhe hasuden. Kjo zonë shquhet edhe për prodhimin e disa lloje pijesh alkoolike të tilla si rakia prej rrushi, kumbulle, mani si dhe verëra të llojeve të ndryshme.

Elida Lazi