Pekini do të ndezë zjarrin olimpik për të dytën herë me një fjongo të flakëruar, teksa organizatorët publikuan dizenjimin e një pishtari eterik, por edhe energjik, më 4 shkurt, plot një vit para hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit 2022.
Pishtari, i emërtuar si “Fluturimi”, debutoi në një ceremoni në Qendrën Kombëtare të Sporteve Ujore, ndërtesa simbolike e Lojërave Olimpike Verore të Pekinit 2008, duke shënuar numërimin mbrapsht të 365 ditëve para hapjes së Olimpiadës Dimërore, më 4 shkurt të vitit të ardhshëm.
Pishtari duket si dy fjongo, të cilat i mbivendosen te njëra-tjetra dhe valëviten duke u ngritur lart në formë spiraleje. Fjongoja e brendshme e kuqe simbolizon flakët që ngjiten lart, në kontrast të fortë me fjongon e jashtme të veshur me argjend.
Pishtari dyngjyrësh, plot me dinamikë dhe gjallëri, është një metaforë për akullin e zjarrin dhe simbolizon se ai do t’i çojë dritë dhe ngrohtësi festës së madhe të sporteve dimërore.
Pishtari i Lojërave Olimpikke Dimërore të Pekinit 2022
Në pishtar janë të gdhendura emblema e Olimpiadës së Pekinit 2022 dhe pesë unazat olimpike, së bashku me motive resh dhe flokësh bore nga pikturuara nga poshtë lart në flakë.
Kur rrotullohet pishtari, vija e kuqe gjarpëruese, e fshehur në plasë, duket sikur shtrihet pafund, çka simbolizon synimin e paepur të njerëzimit për dritën, paqen, përsosurinë dhe vlerat e promovuara nga Lëvizja Olimpike.
“Duke paraqitur pishtarin një vit para hapjes së veprimtarisë, ne duam të ndezim entuziazmin dhe shpresat e njerëzve të mbarë botës për Lojërat Olimpike dhe Paralimpike Dimërore 2022,” tha Wang Xiangyu, zv.drejtori i Departamentit të Kulturës e Ceremonive pranë Komitetit Organizator të Olimpiadës së Pekinit 2022.
“Suksesi i dizenjimit të pishtarit vërteton edhe një herë se olimpiada krijon mundësi për integrimin e sporteve, kulturës, artit dhe shkencës,” theksoi Wang-u.
Kulla e flakërimit të Lojërave Olimpike Verore të Pekinit 2008
Për të nderuar statusin e Pekinit si i pari qytet në botë që organizon si olimpiadën verore, ashtu dhe atë dimërore, pishtari i Olimpiadës Dimërore 2022 ka një dizenjim të përafërt me kullën e flakërimit të Lojërave Olimpike të vitit 2008, e cila i ngjan një rrotulle gjigante letre dhe simbolizon trashëgiminë e frymës olimpike në kryeqytetin e Kinës.
Motivet e reve në pishtarin e Lojërave Olimpike Verore të Pekinit 2008
Motivet e reve, që mbulojnë dorezën e pishtarit, gjithashtu janë frymëzuar nga elementi pamor kryesor i pishtarit të Lojërave Olimpike të 2008-s, sipas grupit të dizenjimit.
“Duke përdorur të njëjtin kombinim të ngjyrave dhe elemente të ngjashme artistike me pishtarin e vitit 2008, synojmë t’i përcjellim botës urimet tona më të mira, ashtu siç bëmë edhe në Lojërat Verore, dhe të pasqyrojmë kulturën e pasur olimpike të Pekinit,” tha Li Jianye, dizenjuesi për pamjen e jashtme të pishtarit.
Pishtari i Lojërave Paralimpike Dimërore të Pekinit 2022
Afabeti Brej në bishtin e pishtarit
Duke përdorur strukturë dhe motive të njëjta, pishtari për Lojërat Paralimpike Dimërore 2022, që u publikua po më 4 shkurt, ka një kombinim të ndryshëm të ngjyrave, të artë dhe të argjendtë. Në bishtin e pishtarit është shkruar me alfabetin Brej “Lojërat Paralimpike Dimërore të Pekinit 2022”.
Tjetër element interesant është se çdo pishtar mund të përputhet me një tjetër në krye, kur një mbajtës i dorëzon flakën tjetrit gjatë Stafetës së Pishtarit, gjë që simbolizon dëshirën e “Pekin 2022” për promovimin e mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë midis kulturave të ndryshme.
Çdo pishtar mund të përputhet me një tjetër në krye
Dizenjimi përfundimtar u zgjodh nga 182 kandidatura në një konkurs global, i nisur në prill 2020, dhe u miratua nga Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar më 7 dhjetorin e vjetshëm.
Ndërthurja e vlerave estetike kineze, ngjyrimeve kulturore tradicionale dhe teknologjisë së përparuar e ndihmoi këtë grup dizenjimi të fitonte në konkurs, sipas Lu Xiaobo-s, anëtar i jurisë dhe dekan i Shkollës së Arteve dhe të Dizenjimit pranë Universitetit Tsinghua.
“Ky dizenjim arrin një ekuilibër të mrekullueshëm midis shprehjes së kulturës së vendit organizator, olimpizmit dhe demonstrimit të teknologjisë së fundit industriale,” vuri në dukje Lu.
Duke shfrytëzuar një sistem djegieje të krijuar nga Korporata e Shkencës dhe e Teknologjisë së Fluturimeve Kozmike të Kinës, flaka e pishtarit, me hidrogjenin si lëndë djegëse që mbron mjedisin, ka kaluar testimin rigoroz për djegie të qëndrueshme në të gjitha kushtet e motit dhe mund të përballojë erërat e forta dhe temperaturat e ulëta ekstreme.
Ndërkohë, materiali prej fibre karboni i krijuar nga “Sinopec”, bën që pishtari të jetë i lehtë në peshë, por t’u bëjë ballë temperaturave të larta.
Planifikimi për Stafetën e Pishtarit dhe zgjedhja e pishtarmbajtësve është në zhvillim e sipër, bëri të ditur Komiteti Organizator i Pekin 2022.
Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Thomas Bach
Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Thomas Bach mori pjesë në ceremoninë e numërimit mbrapsht të një viti nga fillimi i Lojërave Olimpike Dimërore nëpërmjet videotelefonatës, duke shprehur besimin në “gatishmërinë e Kinës” për këto lojëra.
“Një vit nga sot Pekini do të shkruajë historinë si i pari qytet që organizon si lojërat olimpike verore, ashtu edhe ato dimërore. Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit 2022 do të jenë një moment madhështor për mbledhjen e botës së bashku me frymën e paqes, të solidaritetit dhe të miqësisë,” tha Bach.
Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit 2022 do të zhvillohen nga 4 deri më 20 shkurt, ndërsa Lojërat Paralimpike Dimërore nga 4 deri më 13 mars. (Wang Lei)