Ditën e djeshme, një galeri arti në Tiranë, Zeta Galeri, njoftonte se diskutimi publik i programuar, do të zhvillohet me një publik të kufizuar dhe do të filmohet. Këtë diskutim fansët mund ta ndjekin online ditët në vijim.

Zeta Galeri, nuk është e vetmja që performancat e saj, i realizon përmes rrjeteve sociale. Gjithashtu publikon herë pas here punime të artistëve që i kanë besuar punët kuratorëve të saj.

Nga postimet e Galerisë se Arteve për publikun në rrjetet sociale

Ndërkohë Galeria Kombëtare e Arteve, më e madhja dhe më e rëndësishmja në vend, si asnjëherë tjetër ka krijuar me publikun një lidhje të adhurueshme me fansët e saj, përmes rrjeteve sociale.

Asnjëherë artet figurative nuk kanë qenë më afër publikut. Më shumë se 16 mijë fansa në facebook pëlqejnë dhe shprehin kosideratën e tyre për veprat e arkivit të hapur të Galerisë, të cilat publikohen në mënyrë të vazhdueshme.

Rrjetet sociale kanë ndryshuar marrëdhëniet midis publikut dhe artistëve, pasi ato i lejojnë të komunikojnë drejtpërdrejt mes tyre, të ndajnë emocione dhe ndjesi.

Por, nëse artet figurative e kufizojnë deri këtu praninë në rrjetet sociale, për muzikën dhe këngëtarët prania është më evidente.

Ky fenomen ka nisur gjatë 10 vjeçarit të fundit, është rritur nga viti në vit, por periudha e pandemisë që po kalon e gjithë bota, ka bërë që kjo lidhje të kapërcejë çdo distancë.

Nëse më përpara, çdo album i ri muzikor, reklamohej me intervista radiofonike dhe ekrane televizive, sot rrjetet sociale kanë marrë vendin e mbretit dhe gjithçka po vërtitet rreth tyre.

Fama, suksesi, paratë, lindja e një ylli apo perëndimi i tij, varen edhe nga fakti se sa fansa e ndjekin artistin në youtube, instagram, apo facebook, se sa prezent është në këta rrjete dhe sa postime kryen në një ditë.

Kaq mirë e kanë kuptuar këtë trend të ri sidomos këngëtarët, saqë tani kanë krijuar edhe një profil të ri pune, atë të menaxherit social, që merret me përzgjedhjen, publikimin dhe komunikimin me fansat e shumtë.

Të gjithë e njohim suksesin e dy këngëtareve me origjinë shqiptare, Rita Ora dhe Dua Lipa. Sigurisht suksesi i tyre rrjedh nga talenti, por dashuria e publikut, fama dhe paratë, sigurisht që janë rrjedhojë edhe e ndikimit që artistet kanë në rrjetet sociale.

Rita Ora në kanalin e saj në Youtube

Vetëm katër ditë më parë, Rita Ora publikoi këngën e saj të re. Mjaftoi njoftimi që bëri në rrjetet sociale dhe kënga u bë e arritshme për të gjithë. Kënga e promovuar në youtube, katër ditë më parë ka shënuar mbi 1 milion e 300 mijë shikues, ndërkohë që artistja ndiqet në këtë kanal nga 3.7 milion fansa.

Në të njëjtën ditë publikoi hitin e saj të ri në youtube edhe Dua Lipa. Deri tani kënga ka shënuar mbi 8 milion shikues ndërsa vetë artisja e re ndiqet në këtë kanal nga 16.8 milion fansa. Sigurisht që këngëtaret herë pas here ndajnë me ndjekësit momente të ditës së tyre, ku shkojnë, çfarë bëjnë, kë takojnë, madje mbajnë edhe qëndrimin e tyre mbi çështje të ndryshme sociale apo politike.

Këngëtarja Dua Lipa në një komunikim përmes rrjeteve sociale me ndjekësit e saj

Modelin e dy këngëtarëve me famë ndërkombëtare, përpiqen ta ndjekin këngëtaret tona që kanë si treg parësor atë vendas. Aurrela Gaçe, Angjela Peristeri, Elvana Gjata, Arilena Ara, janë këngëtare që mbajnë lidhje të afërta me fansat në rrjetet sociale dhe ndajnë krijimet e tyre me ndjekësit.

Ata mund të dalin në televizion për të promovuar punën e tyre të re, të bëjë një pasazh në radio për të treguar se si lindi CD-ja e re, por tani ato gjithashtu mund të shoqërojnë fansat e tyre përmes rrjeteve sociale, që nga konceptimi i muzikës së re, te regjistrimi në studio, deri në krijimin e videos promovuese dhe hedhjen e produktit të përfunduar në treg, që nis në youtube.

Në këtë mënyrë, publiku e shoqëron këngëtarin gjatë gjithë fazës krijuese muzikore deri në produktin e përfunduar, i cili është vetëm hapi i fundit i një rruge të artikuluar dhe dinamike.

Rrjetet sociale jo vetëm kanë ndikuar në famën e tyre, jo vetëm janë bërë promovuesit më të mirë të çdo produkti të ri muzikor, por kanë ndikuar edhe në aspekte të panjohura të personalitetit jetësor. Shpesh në rrjetet sociale i kemi parë duke gatuar, qëndisur, apo ndihmuar njerëz në nevojë, pa e mësuar kurrë se cili është ritmi i tyre i vërtetë më jetë.

Kështu rrjetet sociale kanë fituar rëndësi strategjike në marketingun e muzikës krahas të gjitha mjeteve të tjera tradicionale të komunikimit.

Socialmedia

Pandemia ndryshoi të gjitha rregullat e jetës, të artit gjithashtu. Asnjëherë nuk ishte menduar se interneti dhe rrjetet sociale t’i dilnin në kaq në krah njerëzve dhe artit.

Pas pauzës 1 vjeçare në skena, një festival ndërkombëtar i teatrit, i tëri online pritet të nisë në datën 23 shkurt deri më 14 mars në orën 19:00 dhe do të transmetohet Livestream në faqen zyrtare të Teatrit Kombëtar dhe teatrit konkurrues gjithashtu.

Qëllimi i këtij festivali është që jeta artistike në vend të vazhdojë dhe publiku të mund të ndjekë këto shfaqje kudo që të ndodhet, mjafton të hyjë në faqen zyrtare të teatrit në rrjetin social facebook. Pa prezencën e madhe të rrjeteve sociale në jetën e gjithsecilit prej nesh, kjo audiencë do ishte e pamundur.

E njëjta atmosferë angazhimi me rrjetet sociale vihet re tek profilet e shkrimtarëve apo piktorëve. Shkrimtarët herë pas here publikojnë pasazhe të librave të rinj që duan të hedhin në treg, apo të botuar prej kohësh. Nuk ngurrojnë t’i përgjigjen pyetjeve të ndjekësve, zakonisht në facebook, dhe dhënien e autografit e kanë zëvëndësuar me butonin “like” tek komentet e lexuesve.

Në të njëjtën kohë libraritë kanë faqet e tyre sociale, përmes të cilave ato ndikojnë me një intensitet mjaft të lartë, tek lexuesit që i ndjekin në facebook apo Instagram.

Ndërsa piktorët i mbajnë të mbërthyer ndjekësit e tyre, kryesisht në Instagram, ku reklamojnë herë pas here punimet e tyre figurative, të cilat ndonjëherë shoqërohen edhe me çmimin përkatës.

Arti ne rrjetet sociale

Ardit Gjebrea është producenti më i njohur në botën televizive shqiptare. Prezantues dhe kantautor shumë i dashur për publikun, prej më shumë se 20 vitesh ai drejton çdo të dielë një nga shoë-ut familjare më të ndjekura të ditës së dielës. Për herë të parë të dielën e kaluar këtë program Gjebrea e drejtoi nga shtëpia për shkak se u sëmur nga Covid. Ai jo vetëm që në sajë të teknologjisë dhe internetit drejtoi programin historik nga shtëpia, por realizoi mjaft lidhje përmes rrjeteve sociale, duke shfaqur para publikut një spektakël të natyrës televizive, por me ndikim të jashtëzakonshëm të teknologjisë digjitale, të internetit dhe rrjeteve sociale.

Teknologja dhe pandemia kanë ndryshuar edhe vizionin tonë mbi televizionin, i cili për shkak të rrethanave, i detyruar, po zëvëndëson studiot me kuzhinën e shtëpisë.

Jetojmë në kohën ku autografin e ka zëvëndësuar butoni “like”, kur diskun muzikor e ka zëvëndësuar kanali në youtube, ku një pikturë mund ta shohësh me një klik, po kështu me një klik mund të blesh një libër dhe autorit mund t’i bësh pyetje nga më të ndryshmet, pyetje që në breza, lexuesit nuk kanë mundur tia bëjnë ndonjëherë autorëve të tyre të dashur.

Sigurisht që rrjetet sociale kanë ndryshuar artin, por a e kanë ndryshuar për mirë????

Sigurisht që disa artistë kanë mësuar të përdorin rrjetet sociale dhe madje nuk e meritojnë kush e di se çfarë reagimesh për produktin e tyre, por duke u bërë mjeshtër të tekonologjisë, ato kanë arritur të marrin ndonjëherë edhe vëmendje të pamerituar.

Është e pavlerë të vetëmashtrohemi me romantizmin e kotë.

Tregu i artit udhëton duke ndjekur baticat e diktuara nga marketingu.

Neritana Kraja