“Tirana do jetë aq shumë e hijshme sa s’di për çfarë ta marrësh, për delir apo qytet. Ky vend i ka të gjitha”. Këto vargje në fakt i përkasin shkrimtarit Ismail Kadare, i cili si çdo artist, poet apo piktor shqiptar, i ka kushtuar kryeqytetin tonë vargje të ndjera.

Historia e Tiranës së vjetër përmes 60 fotografive

Historia e Tiranës së vjetër përmes 60 fotografive

Dhe kjo gjë ka ndodhur të paktën 101 vitet e fundit. Që kur Tirana u shpall kryeqytet, ajo është fotografuar pa fund nga njerëz që e deshën dhe e duan atë.

Pikërisht, 60 fotografi të vjetra të Tiranës, kartolina, objekte autentike nga koleksionistët dhe elementë të veshjeve tiranase. pjesë e Arkivit Qendror Shtetëror, u ekspozuan për publikun në këtë 101 vjetor të themelimit të kryeqytetit shqiptar.

Në çeljen e ekspozitës “Historia e Tiranës së vjetër përmes fotografive” vizitorët patën mundësi të shohin fotografi të vjetra që dëshmojnë një pjesë të historisë së kryeqytetit tonë. Drejtori i përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, theksoi rëndësinë e datave të tilla për të treguar edhe çfarë ruhet në fondet arkivore, si një moment me rëndësi për kujtesën.

“101-vjetorin e Tiranës vendosëm ta kremtonim përmes kësaj ekspozite ku shfaqen imazhet e vjetra të kryeqytetit, para vitit 1945. Këtu tregohet një pjesë e historisë së tij, me ndërtesat historike me funksion publik, banesat e Tiranës, ngjarje dhe personazhe”, u shpreh drejtori i Arkivit Ardit Bido.

Në 101 vite Tirana ka jetuar ritmet e veta të zhvillimit, si hapësirë urbane, arkitektonike dhe demografike. Shumë nga fotografitë që publiku sheh, kanë mbetur thjesht fotografi pasi thuajse asgjë prej tyre nuk ekziston. Përvjetorët e Tiranës, janë jo vetëm ditë kujtese por edhe moment reflektimi që të ruajmë atë që ende ka mbetur në kryeqytet.

Ekspozita do të qëndrojë e çelur për disa ditë në Kalanë e Tiranës, në hapësirën publike të ekspozitave për cilindo që dëshiron të shohë Tiranën siç ka qenë, përmes fotografive por edhe objekteve autentike.

Edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta festoi së bashku me drejtues të disa shoqatave tiranase si dhe përfaqësues të familjeve autoktone tiranase 101-vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet.

Në kujdesin e veçantë të Tij, në mjediset e Institucionit të Presidentit të Republikës, u mbajt edhe një veprimtari kulturore-historike, ku pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe përshëndetjeve të personaliteteve dhe historianëve, u promovuan librat “Shqipëria politike” e “Atdhetarët Shtaku”, si dhe u zhvillua ekspozita me piktura të dy mjeshtrave tiranas të penelit, Sadik dhe Buron Kaceli. Në të njëjtën ceremoni, presidenti Meta vlerësoi edhe kontrubutin e arkeologut Neritan Ceka, në 80 vjetorin e tij të lindjes me Dekoratën “Nderi i Kombit”.

Tradita tiranase ne pikture/ Buron Kaceli

Tradita tiranase ne pikture/ Buron Kaceli

Si të enjten e javës së kaluar, 101 vjet më parë, Këshilli i Lartë dhe qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës hynë në atë, që ishte caktuar tashmë kryeqytet i ri i Shqipërisë.

Diskutime se cili duhej të ishte kryeqyteti i vendit pati shumë. Pretendime kishte për shembull, Vlora - por ajo ndodhej nën kontrollin italian – ose edhe Shkodra, por ajo ndodhej nën sulmin e vazhdueshëm të malazezëve e të trupave ushtarake të Beogradit. Ndërsa Tirana kishte karakteristikat, që Sami Frashëri i përshkruante për një kryeqytet të mundshëm, në veprën e tij “Shqipëria, ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”. Ishte mesi i Shqipërisë, flitet gjuha shqip, një vend i shëndetshëm e i bukur, me udhë të gjera e të drejta, me shtëpi të mira, me sheshe e me gjithë ç’duhet.

Më 11 shkurtin e javës së kaluar, Tirana e kremtoi ditëlindjen e saj me aktivitete që gjithsesi ishin të kufizuara edhe për shkak të pandemisë që po kalon e gjithë bota.

Gjthsesi, në këtë ditë historike, mirënjohja e parë me përulësi i takon komunitetit autokton të Tiranës që me shpirtgjerësi të pashembullt dhe me qytetari legjendare, mundësoi që ky qytet të rritet, të zhvillohet dhe të kthehet në vatër të të gjithë shqiptarëve, të rinisë dhe shpresave të gjithë kombit. Tirana mbajti mbi supet e saj pesha të rënda në kohë të vështira. Familjet e mëdha të Tiranës hapën dyert dhe zemrat për shumë prej shqiptarëve dhe për këdo që kërkoi dhe gjeti shanset për një jetë më të mirë.

Tirana është qyteti që ka pësuar më shumë transformim se të gjitha qytetet në vend, duke hedhur shtat mbi qytetarinë dhe traditën tiranase. Tirana sot është një metropol ambicioz.

Tirana është qyteti që vizitohet më së shumti nga të huajt që duan të eksplorojnë Shqipërinë, të studiojnë apo të bëjnë biznes. Tirana, në sytë e të huajve, një vend ku duan të kthehen sërish. Urimi ynë është për një pafundësi vitesh për Tiranën me njerëzit e saj.

Neritana Kraja