Shqipëria vlerësohet për bukuritë natyrore dhe larmishmërinë e relievit. Ndër elementët që e dallojnë atë është prania e ujit në formën e deteve, lumenjve dhe liqeneve. Pës sa i përeket këtyre të fundit, në Shqipëri numërohen mbi 240 liqene natyrore me përmasa të vogla. Ndërkohë, 3 më të mëdhenjtë, i Shkodrës, Ohrit dhe Prespës, janë edhe ndër më të rëndësishmit dhe të veçantët në pellgun e Ballkanit dhe në Evropë.
Liqeni i Shkodrës
Për të njohur tamam Shkodrën, duhet patjetër të njiheni dhe me Liqenin e saj, që ka qenë dëshmitar i transformimeve të qytetit përgjatë shekujve. Liqeni më i madh i Jugut të Evropës, dhe një nga bukuritë e shumta që Shkodra ofron për turistët.
Liqeni i Shkodrës, park nacional, është liqeni më i madh dhe rajoni më i madh i peshkimit në Gadishullin Ballkanik. Liqeni që ndan kufijtë e Shqipërisë nga Mali i Zi, ka një sipërfaqe prej 368 km katrorë, prej të cilave 149 km katrorë i përkasin Shqipërisë.
Është i gjatë 43 km dhe i gjerë 14 km, kurse thellësia mesatare e tij është 7 m. Në të derdhen lumenjtë: Moraça, Cërmica, Plavnica dhe lumi Cërnojeviq.
Një ndër mënyrat më të mira për ta vrojtuar si duhet liqenin është duke ndjekur me makinë apo biçikletë rrugën për Shirokë, ku merr formë dhe lumi Buna. Rrugëtimi për Shirokë e mandej Zogaj është i mbushur me peizazhe të liqenit e maleve të shumta
Liqeni është edhe strehë "shtegtimi" për shumë shpendë shtegtarë. Këtu jeton edhe pelikani i rrallë (nositi) shpendi më i madh notues i Evropës. Veçanti e liqenit është lotosi (kasarani), bimë me frut që hahet dhe që rritet vetëm këtu. Është bimë e çuditshme se, edhe pse rrënjën e ka në ujë, nuk bën frut në qoftë se gjatë verës nuk bie shi.
Shkodranët e kanë shumë për zemër, Shirokën, një nga perlat turistike dhe klimaterike të Shkodrës, por edhe në rang kombëtar e njohur që në shekullin e 19-të për aftësitë kurative edhe në Europë. Shiroka është qendra më e rëndësishme turistike që gjendet buzë liqenit, në pjesën shqiptare. Që në vitet 1880 dhe këndej Shirokën nuk e trajton askush më si një fshat, por si një lagje të qytetit të madh verior. Në Shirokë, sot është një popullsi e vogël. Ajri i freskët, që vjen nga thellësitë e Alpeve, filtrohet në ujërat e liqenit dhe vjen i shëndetshëm këtu, rrëzë malit të Taraboshit.
Pika turistike e Shirokës është padyshim një nga joshjet më të veçanta që të ofron një fundjavë për të qënë pranë saj.
Përveç klimës dhe ajrit të pastër ka brenda saj edhe kënaqësinë e të shijuarit të një dreke në lokalet e shumta që janë ndërtuar vitet e fundit në hapësirën turistike të kësaj zone, ku serviret tava tradicionale dhe e shijshme e krapit.
Pjesët më të frekuentuara janë ato të “rrasave”, siç i quajnë prej vitesh shkodranët, ndërkohë që pushues të shumtë ka pasur edhe në segmente të tjera. Banorët e Shirokës të thonë që pjesa më e madhe e frekuentuesve të këtij plazhi përdorin biçikletat për të mbërritur deri aty, mundësi që e krijon afrimiteti i plazhit me qytetin.
Ndërkohë, krahas pushuesve që mbërrijnë me automjete private, në dispozicion të plazhistëve janë edhe autobusët që qarkullojnë nga qendra e qytetit të Shkodrës drejt Shirokës. Përveç vlerave të padiskutueshme që të servir, Shiroka ka shansin që është gjeografikisht shumë pranë qytetit, ç’ka i jep mundësi komunitetit ta frekuentojë më lehtësisht dhe pa shpenzime ekonomike, siç mund të ndodhë me plazhet e tjera larg qytetit.
Liqeni është i njohur dhe për vrojtimin e shpendëve, falë 270 llojeve të tilla që e popullojnë atë. Gati 80% e të gjitha llojeve të shpendëve që ndodhen në Shqipëri, ndër to pulëbardhat, pelikani, lejleku, apo shqiponja, mund të takohen këtu. Plot 45 lloje peshqish notojnë në liqen përgjatë vitit, ku përveç krapit vlen të përmendet ngjala, qefulli, levreku apo shojza. Me qindra lloje mikroalgash dhe 250 lloje algash krijojnë livadhe nënujore përgjatë gjithë liqenit.
Liqeni i Prespës
Vetëm 20 minuta larg nga Korça ndodhet Parku Kombëtar i Prespës, një nga parqet natyrorë më të mëdhenj e impresionues të Shqipërisë. Tek sa dy liqenet e mrekullueshëm të Prespës së Madhe dhe Prespës së Vogël, i bëjnë prej 5 milionë vitesh shoqëri njëri tjetrit, tashmë ka ardhur koha që dhe ju t’i vizitoni këto liqene. Liqenet ndodhen në lartësinë 850 m mbi nivelin e detit. Legjenda thotë se aty dikur shtrihej një qytet i madh dhe pasi djali i sundimtarit guxoi të martohej me një zanë, qyteti u përmbyt nga uji, aty ku sot ndodhen dy liqenet. Pork jo është thjesht një legjendë që vendasve të moshuar u pëlqen ta tregojnë. Ky rrëfim bëhet edhe më i gjallë nëse e dëgjoni nga goja e peshkatarëve të vjetër, nëse shkoni si turist në Prespë.
Të rrethuara nga pyje e livadhe shumëngjyrësh, e të pasuruara gjatë shekujve me plot monumente të rëndësishme, ka plot arsye se përse një udhëtim në këtë vend është propozimi më origjinal që mund t’i bëni dikujt të apasionuar pas natyrës, legjendave dhe ushqimit të mirë.
Prespa ose Liqeni i Prespës, është njëri ndër liqenet me ujëra të freskëta në Evropë që u takon tre shteteve Maqedonisësë Veriut, Shqipërisë dhe Greqisë me një sipërfaqe të përgjithshme prej 318.9 km2 nga të cilat 190 km² i takojnë Maqedonisë së Veriut, 84.8 km² Greqisë dhe 38.8 km² Shqipërisë.
Në 9 fshatrat që shtrihen buzë saj, në pjesën shqiptare, jetojnë afërsisht 5 mijë e 500 banorë. Mes kontrasteve të bukurisë, legjendash, kulturës së lashtë gastronomike dhe mikpritjes bujare, jetojnë fshtarët e zonës, të cilët kryesisht merren me peshkimin dhe blegtorinë.
Në Prespë gjen relaksin e munguar, çlodhje totale, peshkim sportive me grepa. Ka bimë të shumta medicinale, gjueti në pyll apo ecje sportive në mal. Përgjatë bregut të liqenit ka taverna të shumta ku gatuhet veçanërisht tava e krapit, që në këtë liqen është peshku kryesor…dhe palsicat e liqenit të Prespës që vendasit t’i servirin të thara në formën e pastërmasë, të cilat kanë një shije të jashtëzakonshme.
Liqeni i Prespës, ka rreth 1500 lloje bimësh, më shumë se 40 lloje gjitarësh, ndër to ujku dhe ariu i murrmë, 260 lloje zogjsh dhe mbi 20 lloje peshqish. Në Prespë jeton edhe pelikani dalmat me përqendrimin kryesor në Prespën e vogël. Prespa ka gjithashtu edhe 30 monumente të kulturës bizantine si dhe një numër mjaft të madh të veprave të antikitetit.
Liqeni i Ohrit
Liqeni i Ohrit është një nga liqenet më të mëdha në Gadishullin Ballkanik dhe llogaritet si një nga liqenet më të vjetra në botë.
Ai gjendet në një lartësi 695 metra mbi nivelin e detit dhe ka një sipërfaqe prej 349 km². Pika më e thellë e liqenit është 289 metra. Pjesa më e madhe e liqenit i përket Maqedonisësë Veriut, kurse pjesa tjetër i përket Shqipërisë. Në bregun e liqenit shtrihen tre qytete të mëdha: Ohri dhe Struga në Maqedoninë e Veriut dhe Pogradeci në Shqipëri.
Liqeni i Ohrit mendohet të jetë rreth tre milionë vite i vjetër, ndër më të vjetrit në Evropë dhe ndër më të thellit. Liqeni i Ohrit furnizohet me ujë nga burimet e shumta përreth. Një nga burimet më të mëdha gjendet pranë kufirit shqiptaro-maqedonas pranë Manastirit të Shën Naumit në Maqedoninë e Veriut. Aty buron uji që vjen nga liqeni i Prespës, niveli i të cilit është 200 metra më i lartë se ai i liqenit të Ohrit.
Qyteti i Pogradecit, fshatrat Lin dhe Tushemisht, pa harruar Drilonin, janë pikat turistike më atraktive që shtrihen buzë Liqenit, sa i takon pjesës shqiptare. Turisëtt gjejnë këtu fundjava shumë atraktive, me plazh më rërë ose guralecë të vegjël, ujë të pastër dhe ushqim shumë të mirë.
Sapo i afrohesh zonës së bregut të liqenit, ndien ajrin e pastër dhe aromën e liqenit. Pasi keni ecur në një rrugë të rregulluar më së miri përgjatë bregut, një udhëtim me një pamje fantastike, do të zbrisni për të shijuar një afër bukuritë natyrore. Paketat turistike për në këtë zonë janë disa ditore, por edhe për pushime më të gjata. Këtu mund të kaloni pushime mjaft të këndshme dhe relaksuese pranë liqenit dhe pranë pyllit të gjelbëruar, me freski, me bukuri natyrore dhe me një natyrë çlodhëse e ushqimtë bollshëm dhe shumë shijues si peshku. Korani, belushka, qefulli, janë ushqimi më i preferuar për të gjithë banorët, ndërsa pija më e pëlqyer është vera dhe rakia.
Liqeni i Ohrit është shpallur pasuri natyrore nga UNESCO që në vitin 1980 dhe, që prej korrikut te vitit 2019, është pjesë e listës së UNESCO-s edhe pjesa shqiptare e tij.