Në Shqipëri, kemi një artizan që prodhon violina të standardit botëror. Po kështu kemi një tjetër që prodhon pupat e balerinëve të Teatrit të Operas dhe Baletit. Një tjetër që ndreq orët nga më të vjetrat dhe një tjetër që ka krijuar stampën grafike të një kartmonedhe….

Ka edhe shumë të tjerë që me duart e tyre arrijnë të krijojnë mrekulli, por janë përsonazhe që rrijnë në heshtje, mes modestisë, talentit dhe punës së tyre, larg kamerave dhe lajmeve të bujshme të show bizit, por që gazetarja Alma Mile na i sjell të gjithë bashkë të përmbledhur në një botim dinjitoz.

Ndonëse për disa vjet tradita e artizanatit u sfumua, sot po bëhen përpjekje që kjo traditë të ruhet. Një libër që përmbledh 15 zanate në zhdukje, përshkruan 15 profile të mjeshtërve nga e gjithë Shqipëria, të cilët ruajnë me fanatizëm profesionin e të parëve të tyre, vjen për publikun.

E veçanta e këtij botimi është se për herë të parë janë grumbulluar materiale për profesione, apo më saktë zanate tejet të veçanta në vendin tone, të cilat me kalimin e kohës rrezikojnë edhe të zhduken fare, pasi interesi për t’i trashëguar ato nuk është ai që duhet.

Sinkron alma 1

“Sekrete mjeshtërie lindi si një nxitje e ministres së kulturës. Ka qenë fokusi i saj gjithmonë tek njerëzit e thjeshtë, tek ato njerëz që janë pas kuintash që punojnë shumë që të tjerët të dalin mirë, qoftë në skenë, qoftë kudo tjetër. Përgjithësisht janë profesione apo zanate që po vijnë e po tkurren”, thotë autorja e librit.

Këto materiale janë mbledhur me shumë kujdes prej një kohe relativisht të gjatë nga autorja në bashkëpunim të ngushtë me fotografin Aldo Bonata.

Në këtë botim janë përfshirë zanate si: krijues instrumentesh muzikorë, përfaqësuar nga Erli Gurra; gur-gdhendës, përfaqësuar nga Muhedin Makri; dru-gdhendës, përfaqësuar nga Isuf Skënderi; restaurator, përfaqësuar nga Frederik Stamati; këpucar, përfaqësuar nga Ramazan Cani, sahatçi, përfaqësuar nga Syri Tufina, si edhe disa zanate të tjera shumë të veçanta për kohën në të cilën jetojmë, të cilat industrializimi po i çon drejt zhdukjes.

Në lidhje me këtë përmbledhje Alma Mile tregon qëllimin e saj:

Sinkron alma 2

“Janë një gamë shumë e gjërë profesionesh dhe mjeshtërish, disa nga ato fatkeqësisht nuk trashëgohen dhe nga synimet e këtij libri është pikërisht që të nxisi të rinjtë që të ndjekin rrugën e të parëve të tyre”

Këto zanate janë të trashëguara ndër breza nga baballarët apo gjyshërit, sikurse janë Tufinat, të cilët brez pas brezi vazhdojnë të ndreqin sahate dhe ora në Tiranë. Kemi punues këpucësh, që edhe ky është zanat i trashëguar dhe thuajse të gjithë e kanë marrë zanatin në të njëjtën mënyrë. Për vetë autoren i gjithë procesi i realizimit të librit ka qenë një zbulim.

Sinkron alma 3

“Shumë prej tyre punojnë vërtetë pas kuintash, dikush bën këpucët për cirkun, ose të Teatrit Kombëtar. Unë jam mahnitur kur kam marrë vesh që që njeri prej tyre ka bërë këpucët e Arturo Ui-së në Teatrin Kombëtar, ose ato pupat e baletiti, nuk e dija që Petraq Papa kishte bërë grafikën e 2000 lekëshit, e kështu me radhë. Për mua ka qenë një zbulim për profesionet që ato bënin, Por edhe nga ana njerëzore ata kishin një pasuri të jashtëzakonshme, dhe çdo gjë e tregonin me një modesti të admirueshme nuk krekoseshin për atë që bënim. Me një durim dhe dashamirësi shumë të madhe. Të them të drejtën kjo gjë më ka prekur”, tregon autorja e librit.

Për realizimin e këtij albumi Alma Mile ka pasur mbështetjen dhe nxitjen e ministres së Kulturës, Elva Margariti, e cila është e përfshirë në këtë punë voluminoze dhe e ka nxitur autoren për të realizuar materialin.

Në këtë promovim ishte gjithashtu e pranishme edhe ministrja Margariti, e cila veç të tjerave në fjalën e hapjes falënderoi për praninë edhe disa prej mjeshtrave të përfshirë në këtë album.

Sinkron Ministrja

“Ky është një cikël që nisi në një moment për të vënë theksin tek njerëzit e thjeshtë dhe pandemia akoma më tepër na forcoi idenë se kemi bërë gjënë e duhur”, u shpreh Margarita.

Shqipëria është e njohur për një traditë tepër të pasur të artizanatit, e krijuar prej shekujsh nga mjeshtrat popullorë, në çdo krahinë të saj. Punime në dru, bakër, në materiale të çmuara ari dhe argjendi, materiale të endura apo të qëndisura, mbartin në vetvete vlera të çmuara dhe janë dëshmi e identitetit tonë kombëtar.

Ky libër ka për qëllim të transmetojë traditën dhe vlerat e bukura shqiptar. Meqenëse në këtë përmbledhje janë vetëm disa nga këto zanate të veçanta dhe të trashëguara ndër breza, ky mund të konsiderohet vetëm një fillim i përmbledhjes së tyre, pasi autorja Alma Mile ka për qëllim që këtë punë të nisur tashmë, ta vazhdojë duke hulumtuar dhe duke na sjellë të tjera zanate po kaq të veçanta të cilat meritojnë një vëmendje të madhe nga të gjithë ne, në mënyrë që të mos shkojnë drejt zhdukjes.

Neritana Kraja