Qyteti i Lushnjes zotëron pasuri të shumta kulturore, historike, etnografike madje dhe arkeologjike. Për nga rëndësia historike, Lushnja renditet pas Vlorës. Kongresi i Lushnjes i janarit të vitit 1920 me sanksionimin e sovranitetit të Shqipërisë dhe ngritjen e Këshillit të Lartë, i dhanë famë qytetit që shtrihen në lindje të fushës së Myzeqesë. Të mbledhura së bashku për turistin vendas dhe të huaj ato janë ftesë për të vizituar këtë qytet, dhe një arsye për t’u rikthyer.

Historia

Si qendër e banuar Lushnja u krijua në shekullin e XV dhe quhej “Lusme”. I pari regjistrim i popullsisë së Myzeqesë gjendet në dokumentet turke të vitit 1431, ku Myzeqea kishte 33 fshatra dhe 58 familje, ndërsa Lushnja që në këtë periudhe ishte një katund dhe na paraqitet me 15 shtëpi dhe 100 banorë.

Në vitin 1850 Lushnja vazhdon të njihej si fshat dhe në këtë periudhë mori emrin Lushnje nga emri i njërës prej grave të Pashait të Beratit, Salushes të cilës këtë territor ia bëri si dhuratë.

Qyteti i Lushnjes filloi të dallohet si qendër dhe të marrë një rëndësi të veçantë në vitin 1870, duke u bërë qendër këmbimi midis tregjeve te Beratit, jugut dhe veriut. Lushnja u bë qendra e të gjithë krahinës përreth. Rregjistrimet zyrtare për herë të parë i gjejmë në vitin 1923 ku duke përfshirë dhe zonën e Libofshës, Lushnja regjistron rreth 28.350 banorë kurse në vitin 1937 territori i Lushnjës ka një siperfaqe 834 km² dhe një popullsi prej 46.420 banorë.

Nga viti 1924-1939 Lushnja pati një shtesë vetëm prej 18.000 banorë. Gjatë këtij 15 vjeçari në territorin e Lushnjës erdhën rreth 500 familje kosovare që u shpërndanë në 30 fshatra, por edhe nga rrethi i Skraparit, si dhe pak familje çamësh e çobanësh.

Banorët e këtyre viteve mbajnë emrin “myzeqar” që do të thotë njerëz me prirje për muzikë, fakt i cili vërtetohet edhe sot kur këngët myzeqare janë ndër më të kërkuarat.

Qyteti i Lushnjës mori pjesë aktive ne Shpalljen e Pavarësisë më 1912. Një moment historik tepër i rëndësishëm është “Kongresi i Lushnjes”, që u mbajt në 21-31 janar të vitit 1920 në të cilin Tirana u shpall kryeqyteti i Shqipërisë. Në 14 gusht 1920 në këtë qytet u mbajt Kongresi i Arsimit.

Traditë dhe kulturë

Krahina e Myzeqesë trashëgon një thesar të pasur folklorik ku pasqyrohet vitaliteti, kultura materiale dhe ajo shpirtërore. Është e vërtetë që kostumet popullore dhe orenditë e traditës janë zhdukur tashmë nga përdorimi i i përditshëm, por ato mund të shihen dhe gjenden me tërë bukurinë dhe finesën e tyre artistike në manifestimet folkloristike dhe në muzetë etnografikë. Një nga vlerat më të pasura dhe të spikatura etnografike të Myzeqesë është guna me rrëke, një nga kostumet me të cilin kjo krahinë ka fituar cmime në të gjitha festivalet folklorike kombëtare. Guna me rrëke është një vlerë e veçantë, unikale, e krijuar nga populli i trevës së Myzeqesë, dhe i kalon kufijtë lokal. Ajo listohet në vlerat kombëtare të etnografisë.

Kjo zonë shquhet edhe për vallet e zhdërvjellta në lëvizjet e djemve e për ritmet e larmishme. Më e njohur dhe më origjinale është dyshja e njohur myzeqare e burrave, si dhe për vallet e qeta dhe elegante të vajzave. Vallja myzeqare e djemve ndërtohet mbi informacione të forta , ku në fillim të valles kabaja e klarinetës shoqëron lëvizjet e studiuara të solistit. Një tjetër traditë e kultivuar përgjatë shekujve në këtë zonë është edhe mikpritja. Respekti për mikun, të huajin pa shpërblim është dicka e vecantë. Ndërkohë që rituali i dasmës myzeqare vjen po ashtu si një vlerë e cmuar e kulturës dhe traditës së kësaj treve.

Kur flasim për kulturën dhe traditën e Lushnjes nuk mund të lëm pa përmendur dhe veshjet tradicionale ku karakteristike është veshja me këmishë prej linje e burrave. Ky tip veshjesh përbëhet nga këmisha, fundi me kinda ku gjërësia e tij shkonte ne 1051 kinda, si dhe brezi, çorapet e opingat. Ndërsa karakteristikë e veshjeve të grave është veshja me këmishë e gunë. Qyteti i Lushnjës dallohet gjithashtu edhe si një nga rrethet me prurje të rëndësishme kulturore. Në Lushnjë kanë lindur dhe janë rritur artistikisht shumë personalitete të kulturës shqiptare.

Në fushën e dramaturgjisë përmenden veçanërisht dramaturgu Loni Papa, aktorja Margarita Xhepa, aktori Ilia Shyti, si dhe aktori-regjisor, Gjergji Lala. Lushnja është vendlindja e këngëtares më të madhe shqiptare të të gjitha kohërave, Vaçe Zela, “Artiste e Popullit”. Ndërsa nuk mbetet pas edhe në fushën e letërsisë, ku vlen të përmendim prozatorët Vath Koreshi, Halil Jaçellari e Lazër Radi, si dhe poetin Visar Zhiti.

Turizëm

Zona e Lushnjes i ka të gjitha “burimet” për t’i ofruar shumë, turistëve qofshin këta vendas apo të huaj. Nëse do e nisim me lashtësinë, jo larg qytetit ngrihet Manastiri mesjetar i Ardenicës, ku kultura dhe antikiteti ndërthuren në të gjithë strukturën e kishës duke e kthyer atë në një ansambël arkitektonik mbresëlënës. Treva e Lushnjës ofron shumë mundësi relaksi dhe zbavitjeje edhe për të apasionuarit pas ecjeve në natyrë, ku trajektoret përreth kodrave të Darsisë dhe të Karatoprakut, janë mjaft piktoreske dhe të njohura për betejat e zhvilluara që në kohën e romakëve, por edhe më vonë. Veçojmë betejën midis Jul Çezarit dhe Pompeut apo betejën e Savrës, të vitit 1387, Për më tepër, kjo trevë ofron mundësinë për të zhvilluar edhe sportet ujore. Zona ku mund të tërhiqet turizmi vendas apo i huaj janë rezervuarët e Kasharajt, Thanës, Kryekuqit etj.

Madje, për ecje natyrore mund të pëlqehet dhe kodra e Stan Karbunarës ku ruhen themelet e një kalaje të hershme. Por edhe kodra mister e Vainit mbi Lushnjë tërheq turistë. Ndërkohë shumë pak e dinë që në këtë kodër ruhen dëshmitë e një Bazilike 1500 – vjeçare. Në mjaft vende me traditë të zhvilluar gastronomia përbën pothuajse një lloj turizmi. Edhe rajoni i Myzeqesë ka veçoritë e tij të gatimit. Llojet e peshkut janë të ndryshme si ngjala, levrek, qefulli etj, por gjithashtu ndër gatimet karakteristike përmenden roshnicat. Meqenëse rajoni është fushor një përhapje të madhe kanë shpezët e buta, mishi i të cilave serviret në çdo tavolinë. Tipike janë edhe ëmbëlsirat të bëra kryesisht me petë të derdhura si byreku dhe qumështori. Nga pijet më të përdorshme janë rakia e rrushit, mënit si dhe e manaferrës.

Elida Lazi