Tirana është qytet realitivisht i ri, por si për të kundërshtuar këtë fakt, është çuditërisht një qytet i rrethuar me kështjella dhe rrënoja. Në qendër të Tiranës, gjenden muret e Kalasë së Tiranës, dhe ndërsa del jashtë saj ka kështjella pothuaj në çdo drejtim. Kështjellat më të mirëmbajtura janë ajo e Petrelës dhe e Prezës, kurse të tjerat janë rrënoja. Secila prej tyre është si një guidë në historinë e shqiptarëve. Përveç vlerave historike dhe kulturore, ato ofrojnë pamje fantastike pasi shumica ndodhen në majë të kodrave shumë të bukura nga ku shihen pjesë të ndryshme të Tiranës.

Kalaja e Prezës

Kalaja e Tiranës

Kalaja e Tiranës, ose Fortesa e Justinianit ështe e vetmja kala që ndodhet në zemër të Tiranës. Fortesa është vendi ku kryqëzoheshin rrugët kryesore të Lindje Perëndim dhe Veri-Jug dhe formonte zemrën e Tiranës. Ajo daton në vitin 1300, është 6 metra e lartë dhe i përket periudhës bizantine. Kështjella e Tiranës është afër Sheshit Skënderbej në qendër të Tiranës. Themelet e mureve te zbuluara së fundi janë përfshirë në pedonale.

Kalaja është e hapur për vizitorët që prej Dhjetorit të 2018-ës.


Hyrja per ne kalane e Tiranes

Kalaja është në pronësi të familjes Toptani, një nga familjet më të pasura në Shqipëri dhe zonën ballkanike, me origjinë nga qyteti i bukur i Krujës, e cila u zhvendos në Tiranë në shekullin e shtatëmbëdhjetë. Disa anëtarë të familjes prestigjioze, gjatë viteve të sundimit osman, u urdhëruan nga Perandoria për të qeverisur territoret e atëhershme otomane në tokën shqiptare.

Pozicioni i saj në Tiranë e ka bërë këtë kala si një nga më të frekuentuarat edhe për shkak të pedonales së qytetit që ndodhet shumë pranë me të. Rrënojat e kalasë tani ofrojnë një hapësirë publike me dyqane tradicionale dhe moderne, një pazar të vogël si edhe dyqane artizanale.

Ky është një realitet i mrekullueshëm, në të cilën gjenden mes të tjerave restorante, galeri dhe dyqane për shitjen e produkteve tipike dhe artizanale lokale shqiptare. Restorante, galeria-kafe, wine bar, studio porcelani, suvenire artizanale, argjendari, galeri të artit bashkëkohorë dhe një hotel, u mundësojnë vizitorëve të kënaqen në qendrën historike të Tiranës.

Për më tepër, gjatë vitit, në zonat e mrekullueshme tek Kalaja, organizohen evenimente në gastronomi, muzikë, ekspozita pikture, etj. Ka shumë arsye për të shkuar dhe për të zbuluar këtë xhevahir të ri në zemër të Tiranës.

Kalaja e Petreles

Kalaja e Petrelës

Kalaja e Petrelës, është një kala mesjetare e ndërtuar në kohën e Bizantit. E ngritur në një terren mjaft të pjerrët, nga kalaja mund të shikosh të gjithë Tiranën. Ajo ishte një nga kalatë në pozicionin më strategjik për Gjergj Kastriotin, pasi kontrollonte një nga arteriet kryesore të lëvizjes, Rrugën Egnatia.

Në këtë periudhë kështjella komandohej nga motra e Skënderbeut, Mamica, e cila me familjen dhe truprojat e saj kujdesej për funksionimin e kështjellës.

Turistë të pafundmë vizitojnë kalanë në të gjithë ditët e javës. Kalaja e Petrelës është një nga destinacionet me komente tepër pozitive nga të huajt, si për vlerat historike që ajo mbart, po ashtu edhe për pamjen e bukur që të dhuron nga kryeqyteti.

Tek kalaja e Petrelës mund të shkohet nëpërmjet autostradës Tiranë-Elbasan 17 km nga qendra e Tiranës dhe udhëtimi zgjat 34 minuta me makinë.

Rruga gjarpëron bukur mes ullishtave, shtëpive të reja deri në qendër të fshatit. Aty parkon makinën dhe duhet të ecësh në një terren të thyer për të hyrë në kala. Atmosfera që rrethon parahyrjen është tipike.

Shtëpitë janë në harmoni me kompleksin e kalldrëmit, dominues për karakterin mesjetar të fshatit. Porta e madhe mbulohet nga degët e ullinjve qindravjeçar dhe udhëheq rrugën e ngjitjes së kalasë.

Sot në kalanë e Petrelës ekzistojnë disa pika shërbimi si; restorante, bar - kafe, hotele, etj., dhe shërben si një pikë turistike atraktive jo vetëm për kryeqytetasit, por është edhe pjesë e itinerareve turistike për turistët e huaj që vizitojnë Tiranën. Është shpallur monument kulture.

Kalaja e Prezës

Kalaja e Prezës

Fshati Prezë është një nga fshatrat më të lashtë të Tiranës. I njohur si qyteti Feniks për shkak të rrënimit dhe rindërtimit përgjatë shekujve. Ekzistenca e tij daton rreth 2000 vjet më parë me ndërtimin e kalasë. Në të dy anët e rrugës mbretëron gjelbërimi dhe ajri i pastër. Sa më shumë ngjitemi aq më shumë zgjerohet horizonti, e kur arrijmë në majë, Tirana duket si në pëllëmbë të dorës, deti Adriatik nga krahu tjetër, kalaja e Petrelës, e Krujës dhe ajo e Rodonit. Peizazhi mbizotërues është ai agro-bujqësor me ndërthurje të arave, plantacioneve frutore dhe ullishtave

Përveç vlerave historike, nga Kalaja e Prezës të ofrohet një pamje e mrekullueshme e fushave të Tiranës. Ndodhet 22 km larg nga Tirana dhe mund të shkosh aty për 40 minuta.

Legjenda e trevës thotë se këtu u martua Mamica motra e Skënderbeut, në dasmën e të cilës morën pjesë edhe shumë princër shqiptar.

Kalaja është afër Aeroportit Ndërkombëtar Nënë Tereza. Eshtë një kala e vogël, por më më e madhe se Kalaja e Petrelës. Ndërtimi i kalasë nisi në shekullin e 14 dhe përfundoi në fillim të shekullit të 15. Ajo i përkiste familjes feudale të Topiajve.

Kjo kala është deklaruar Monument Kulture i mbrojtur nga shteti. Një restorant me kuzhine tradicionale dhe disa shërbime të tjera ofrohen brenda kalasë si dhe një shesh i madh i gjelbër ku mund të luani ose të bëni piknik.

Neritana Kraja/ redaktorja Wang Lei