Kalatë e Shqipërisë, si vende atraksioni dhe dëshmi historike gjithnjë e më shumë janë në vëmendjen e vizitorë vendas dhe të huaj. Këto vende janë si ”magnet” sidomos për turistët e huaj, sepse kanë brenda tyre histori dhe kulture, që ngjallin jo pak kuriozitet tek vizitorët.

Por mungesa në investime, duke nisur që nga gjërat thelbësore, siç është ndriçimi dhe bërja të aksesueshme edhe gjatë mbrëmjeve, po konsiderohej si problem në zhvillimin normal të aktivitetit turistik nëpër këto kala. Të pozicionuar secila prej tyre në pika strategjike, gjatë orëve të mbrëmjes ato e humbasin totalisht funksionin e tyre, të zhytura në errësirën e shekujve.

Kalaja e Beratit e rivitalizuar

15 kala do të ndriçohen, duke i kthyer atyre krenarinë e harruar.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila shprehet se kalatë do të ndriçohet për të nxjerrë në pah vlerat e tyre.

Por do të jetë prioritet i Ministrisë së Kulturës për vitin 2021, riaktivizimi i kalave në vend, përmes një projekti të rëndësishëm.

Kalaj e Lezhës, pjese e projektit te rivitalizimit

Gjithsesi në katër kala procesi ka filluar. E para që ka përfituar nga projekti është kalaja e Lezhës. Ky monument i rrallë, që i ka mbijetuar shekujve, falë projektit të ndrçimit, ka nxjerrë më në në pah bukurinë dhe hijeshinë e saj. Duke iu afruar Lezhës, në mbrëmje, udhëtarët e kanë të mundur të shohin një kodër të ndriçuar, ku spikasin mure të mbështjellë me histori e mister. E nëse hyjnë brenda, nuk ka asgjë më pak, nga simotrat e saj në Europë.

Kalaja e Lezhës ngrihet në majë të një kodre me lartësi 186 metra, në lindje të qytetit. Kalaja ka origjinë ilire. Në kala mund të shikohen gjurmë të arkitekturave ilire, romake, bizantine dhe osmane. Mund të shihen rrënojat e ndërtesave, xhamia, kullat, të gjitha nën dritën e prozhektorëve, të cilët ia ka kanë shtuar bukurinë.

Kalaja e Shkodrës

Kalaja e Shkodrës, është një tjetër kala e cila është ndriçuar përmes lojës së dritave. Falë këtij projekti janë ndriçuar ambientet e brendshme dhe të jashtme të kalasë së Shkodrës. Përgjegjësi i parkut arkeologjik, Shkodrës-Lezhë, arkeologu Helidon Sokoli tregon detajet e këtij projekti.

“Prej disa ditësh ka nisur zbatimi i këtij projekti për ndriçimin e 14 kalave në të gjithë vendin. Të parat që kanë përfituar nga ky projekt janë 4 kalatë më të vizitueshme në vend, e Shkodrës, Krujës dhe e Beratit edhe paralelisht edhe e Gjirokastrës. Aktualisht po punohet në kalanë e Shkodrës. Projekti parashikon ndriçimin e të gjitha mureve rrethuese të jashtme por edhe të mjediseve dhe oborreve të kalasë brenda saj. Është për t’u vlerësuar teknika që po ndiqet kësaj here, ndriçimi do të jetë nga lart, i vendosur në shtylla dhe të instaluara në dhe, pa dëmtuar arkeologjinë e zonës. Do të ketë një teknologji më bashkëkohore dhe ekonomike”.

Vendosja e ndriçimit në kalanë e Shkodrës do t’i rikthejë krenarinë simbolit të qytetit si për qytetarët shkodranë, po ashtu dhe për vizitorët të cilët kalanë e Rozafës e kanë pjesë të itinerareve të tyre turistike.

Ajo gjë që do të dukej normale si kërksesë për çdo atraksion monumental kudo në Europë, për shkak të mungesës, ka ngjallur gëzim tek banorët e qytetit, të cilët e shohin riaktivizimin e kalasë si lidhje të jetës së sotme me historinë e shkuar.

Kështjella Rozafa po i kthehet qytetit, si një piknisje për rijetëzimin e kulturës dhe sinergjisë.

Kalaja e Rozafës është monumenti historik më antik, i ndërtuar gjatë Mbretërisë Ilire.

Kalaja e Beratit

Edhe Kalaja e Beratit, një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, është ndriçuar së fundmi, duke rifituar madhështinë që ka ky monument nën mbrojtjen e UNESCO-s.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka publikuar disa fotografi me pamje nga kalaja e Beratit, nën efektin e ndriçimit të ri që nxjerrin më në pah madhështinë e saj në orët e mbrëmjes.

“Kalaja e Beratit e ndriçuar si kurrë më parë, ka rifituar madhështinë që ka ky monument nën mbrojtjen e UNESCO-s. Falë projektit të ndriçimit, “qyteti i një mbi një dritareve”, sot duket edhe më i bukur dhe në pritje të më shumë vizitorëve”, shkruan Margariti.

Kalaja e Gjirokastrës

Kalaja e Gjirokastrës, i është nënshtruar gjithahstu procesit të ndriçimit, sikundër shoqet e saj. Falë projektit të ndriçimit, Kalaja e Argjirosë duket si kurrë më parë.

Gjirokastritët do të kenë më tepër arsye të jenë krenarë për këtë monument, i cili tashmë nxjerr edhe më tepër në pah vlerat e vërteta, që bart.

Ekspertët tregojnë se tonalitet e ndryshme të ndriçimit, mes atij të ngrohtë dhe të ftohtë në procesin e riaktivizimit, do t’i theksojnë më tepër linjat e kalave, të cilat do të kenë pak a shumë të njëjtin parim dhe kriter të ndriçmit, por duke ruajtur edhe specifikat individuale.

Ky projekt është një nismë shumë e mirë pasi i jep një dimension tjetër dhe jetës në qytet duke zhvilluar dhe turizmin kulturor.

Epike, dekorative, mbi maje kodrash të thepisura, të paprekura apo rrënoja,..të gjitha kanë një emërues të përbashkët: rrëfejnë historinë.

Për cilindo që do të dëshironte të njihte historinë, kulturën, të kaluarën e shekujve, do të ishte zgjedhja më e mirë që të prekte trashëgiminë kombëtare permes kështjellave, dëshmitareve të gurta të histories, të cilat tashmë kanë fituar ndriçimin që është i nevojshëm, për tu vizituar edhe natën, pasi dritat e tyre do të rrijnë ndezur, si dikur pishtarët në muret e tyre.