Komiteti Organizator i Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit 2022 (BOCOG) publikoi kohët e fundit në televizion 30 piktograme për Lojërat Olimpike dhe Paralimpike Dimërore, të cilat janë frymëzuar nga kaligrafia tradicionale kineze dhe gdhendja e vulave.

Piktogramet do të kenë gjithashtu një formë kinetike për të tërhequr brezin e ri në “Pekin 2022”, ndërsa mjeshtëria mijëvjeçare përdoret për herë të parë në Lojërat Olimpike Dimërore.

"Shpresa jonë e sinqertë është të paraqesim sistemin kulturor të Kinës nëpërmjet këtyre logove të vogla sportive. Olimpiada është një platformë që Kina të shprehë vetveten dhe këto piktograme përfshijnë traditën dhe modernitetin e saj," tha Lin Cunzhen-i, kryedizenjuese e piktogrameve.

Kur gdhendësi thadron në sipërfaqen e një vule, ciflat duket si stërkala akulli dhe dëbore kur “sportistët” lëvizin në piktogramet e animuara.

Zhang Mingguan, skalitës dhe profesor në Akademinë Qendrore të Arteve të Bukura të Kinës, që ishte përgjegjës për gdhendjen e modeleve, beson se piktogramet kinetike i shtojnë energji artit tradicional.

"Një pjesë e të rinjve ndoshta mendojnë se kaligrafia dhe gdhendja janë të largëta për ta, kështu që duam të dekonstruktojmë formën e artit dhe të krijojmë mundësi që ata ta njohin dhe kuptojnë mjeshtëritë tradicionale," tha ai.

Ky stil i piktogrameve na kujton edhe Lojërat Olimpike Verore 2008 në kryeqytetin kinez. Stema për olimpiadën e parë të zhvilluara në Pekin ishte një vulë e kuqe kineze me një figurë të gjallë vallëzimi në qendër, që i ngjan hieroglifit kinez "Jing", që do të thotë kryeqytet.

Sipas Lin Cunzhen-it, stili i gdhendjes në vulë demonstron shpejtësinë dhe forcën e sporteve dimërore dhe i bën jehonë OIimpiadës së 2008-s. Dizenjimi i tanishëm shfrytëzon stilin e dinastisë Han rreth 2000 vjet më parë, e cila ishte një epokë e artë për artin kinez të vulëgdhendjes. Megjithëse piktogramet sportive u ngjajnë hieroglifeve kineze, ato nuk lidhen me ndonjë prej tyre në mënyrë të veçantë.

"Këto dy modele do të lënë në historinë olimpike shenjën kulturore të Pekinit, i cili është qyteti i parë që organizon si olimpiadën verore, ashtu edhe atë dimërore, dhe shërbëjnë si një shembull i gjallë se si përcillet trashëgimia olimpike," tha Lin, e cila është gjithashtu kryeprojektuese për emblemat e “Pekin 2022”.

Baiwen

30 piktogramet, 24 për Olimpiadën Dimërore dhe gjashtë për Paralimpiadën, u përfunduan falë gjysmë viti përpjekjesh para vlerësimit përfundimtar prej Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar dhe çdo federate ndërkombëtare të sporteve dimërore.

“Është e pamundur të kapësh shpirtin e një sporti pa krijuar njëqind skica dhe për disa prej tyre madje një mijë,” kujton Lin, e cila u konsultua vazhdimisht me ekspertët e çdo sporti.

Çdo piktogram ka dy variante, zhuwen dhe baiwen. Zhuwen, që do të thotë “hieroglife të kuqe”, stampohen nga vulat me gdhendje të ngritura (cameo), ndërsa baiwen, ose “hieroglife të bardha”, formohen nga vulat me gdhendje të futura (intaglio).

Zhuwen

Për më tepër, ngjyra e kuqe është “e kuqja e ndezur” nga sistemi i ngjyrave të Lojërave Olimpike, e cila shkon me vulat, në përputhje me pamjen dhe duke u shtuar një atmosferë festive Lojërave, që do të zhvillohen në kuadrin e Vitit të Ri Kinez 2022.

"Ky është një shembull tjetër i pasqyrimit të artit të lashtë kinez në një mënyrë moderne, ndërsa integron thelbin e kulturës kineze në paraqitjen e sporteve në arenën olimpike," tha Gao Tian, zv.drejtorja e departamentit të kulturës dhe ceremonive të BOCOG-ut.

Sipas organizatorëve, piktogramet do të paraqiten në forma të ndryshme, duke përfshirë shenjat, reklamat, lajmërimet, transmetimet televizive dhe dizenjimin e suvenireve lidhur me Lojërat. (Wang Lei)