Në bibliotekën e secilit që admiron librat, është e pamundur të mos gjesh të paktën një nga librat e Kadaresë.
Ismail Kadare është shkrimtari më i njohur i gjuhës shqipe, vepra e të cilit i ka kapërcyer kufinjtë amtarë dhe ka njohur dimesionin e lirisë, para se Shqipëria të hapte kufinjtë e saj.
Sot është shkrimtari më i vlerësuar dhe më i përkthyer në gjuhë të huaj. Sapo ka mbushur 85 vjeç dhe për të 20-ën here, Akademia jonë e shkencave e ka nominuar për çmimin Nobel.
Gjithashtu në ditën e tij të lindjes, një libër i ri, ku zbulohet jeta dhe raporti i shkrimtarit me kohën dhe letërsinë, vjen si dhuratë për lexuesin e Kadaresë.
Libri, që është shkruar nga studiuesja Alda Bardhyli dhe titullohet “Kohë për rrëfim”, zbulon të pathënat e jetës së shkrimtarit.
Kadareja është një shkrimtar që gjithmonë ngjall kureshtjen e lexuesit. Ky libër është një profil ndryshe i shkrimtarit shqiptar, të cilin studiuesja ka mundur ta finalizojë, pas bisedash të gjata e të shtrira në kohë, me shkrimtarin e madh.
“Eshtë një zakon i bukur që ne kemi, që për ditëlindje bëjmë ndonjë dhuratë. Por më shumë se dhuratë për shkrimtarin, ky libër është një dhuratë për lexuesit shqiptar, që pas kaq kohësh do të kenë një rrëfim ndryshe, për të njohur ndryshe një nga shkrimtarët më të mëdhenj të këtij shekulli, të cilin ne kemi fat ta kemi tonin. Ka qenë një libër që e ka dashur, ka qenë dashamirës për këtë lloj krijimi, i cili në një farë mënyre, e sjell atë ndryshe tek lexuesi.
Këto rrëfime Kadareja i ka bërë herë pas here. I ka bërë tek “Koha e shkrimeve”, tek “Pesha e kryqit”, tek “Ftesë në studio”, ku hapi për herë të parë dritat e abazhurit të studios së një shkrimtari, duke na treguar anën tjetër të procesit të shkrimit, por edhe duke dhënë pikëpamjet e tij për letërsinë shqipe, për shumë personazhe… Edhe “Kafe Rostand” në një farë mënyre është një lloj rrëfimi i tij për jetën në Paris, për personazhe të tjerë, apo mënyrën se si ai e perceptonte politikën dhe kohën e disa viteve më përpara, kur u shkrua libri”, thotë Bardhyli.
Shkrimtari, vepra e të cilit gjithmonë është shoqëruar me reaksion në shoqërinë shqiptare, si para viteve ’90, ashtu edhe pas këtyre viteve, ka ngjallur dhe vazhdon të ngjallë polemika. I vlerësuar, i censuruar, i kritikuar, i lavdëruar, të gjitha kanë ndodhur në harkun kohor të viteve të tij të krijimtarisë, që shtrihen nga viti 1964 kur botoi verpën e tij të parë të rëndësishme “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, e cila konfirmoi talentin dhe forcën e tij të jashtëzakonshme si shkrimtar.
Romanet e tij, para viteve ’90, zhdukeshin nga vitrina vetëm pak orë pas publikimit, ndonëse tirazhi i tyre shkonte deri në 10 mijë kopje. Kadare është përkthyer në frëngjisht që në vitin 1965.
Vepra e tij letrare e bëri të njohur letërsinë shqiptare në botë.
Autorja e librit biografik “Kohë për rrëfim”, Alda Bardhyli thotë se megjithatë, Kadareja për publikun, rrëfehet më së miri përmes librave të tij.
“Fat për një vend dhe një gjuhë si e jona që ka një shkrimtar të përmasave të Kadaresë. Ismail Kadareja tregohet më së mirë me librat e tij. Ky libër është një fragment për të njohur pikëpamjet e tij mbi letërsinë, jetën, por edhe disa momente vanitoze që ngjallin gjithmonë kureshtjen e lexuesit”.
Ndërkohë Akademia e Shkencave, ka bërë të ditur vendimin e saj, për nominimin e shkrimtarit si pretendent për Nobel, dëshirë që shqiptarët e ushqejnë prej vitesh. Nënkryetari i Akademisë, Vasil Tole, renditi argumentet që mbështesin këtë vendim.
“Së pari, vepra e Kadaresë është një vepër që pasurohet me tituj të rinj çdo vit; së dyti, vepra e Kadaresë pothuajse çdo vit merr vlerësime dhe çmime të rëndësishme në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar; së treti, vepra e Kadaresë, nga viti në vit shtrin gjeografinë e territorit në të cilën ajo shkel për herë të parë në të gjithë botën”, u shpreh Tole.
Në kumtesën e mbajtur, për nder të tij, nga kjo Akademi, edhe pse shkrmitari nuk ishte fizikisht, u ekspozuan dy vellime të studiuesit Bashkim Kuçuku, “ Kadare në kritiken franceze” dhe një ekspozitë me fotografi të shkrimtart, nga Roland Tasho.
Gjithashtu Akademia e Shkencave ka bërë gati për botim edhe përmbledhje në tre vëllime, të kritikës botërore ndaj veprës së shkrimtarit. Janë 2500 shkrime e studime të llojeve të ndryshme, që i përkasin viteve nga 1971-2000, vjelur në gazeta e revista. Dy vëllimet e para, në frëngjisht, afërsisht 1500 faqe, sapo kanë dalë. Vëllimi i tretë, në përgatitje, është në gjermanisht, italisht, spanjisht, anglisht, portugalisht, suedisht, etj.
Kadare lindi në Gjirokastër, më 1936. Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, e më pas edhe prozë.
Në vitin 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës, për të vazhduar më pas studimet për dy vjet në Moskë, në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” (1958-1960). Vepra poetike e Ismail Kadaresë shquhet për idetë e thella dhe për figuracionin e pasur e origjinal; rol me rëndësi për pasurimin e gjuhës shqipe.
Ai është ndër të paktët shqiptarë që nga ngritur lart vlerat e gjuhës dhe krijimtarisë letrare në botë, përmes 67 veprave, të përkthyera në 47 gjuhë të huaja. Krijmtaria e Ismail Kadaresë është vlersuar dhe nderuar me dhjetëra çmime ndërkombëtare nga organizma të rëndësishmë të letërsisë. Ndër veprat më të rëndësishme të shkrimtarit përmendim “Kronikë në gur”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kush e solli Doruntinën”, “Kështjella”, “Pashallarët e kuq”, “Prilli i thyer”, “Pallati i ëndrrave”, “Dimri i fundit”, “Dosja H”, “Darka e gabuar”, etj.
Viteve të fundit, ai e ndan kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë.
Neritana Kraja