E ndërtuar në pjesën jugore të bregdetit shqiptar, qyteza e Himarës ka qenë gjithmonë qendër e një zone që ka përfshirë jo vetëm fshatrat e jugut, por edhe Labërinë e Kurveleshin. Ajo përmendet që në kohët e lashta ku paraardhësit ishin fisi Ilir i Kaonëve, por historia moderne duket se fillon në 1199, kur në qytet u vendos sundimi i Venedikasve. Fqinjet veriorë nuk mundën ta mbanin për shumë kohë dhe në shekullin e XIII zona e Himarës u përfshi nga Karli i Anzhuinëve në atë që ai e quajti Mbretëria e Arbërisë. Zona ka qenë gjithmonë me një popullsi autoktone shqiptare, kryesisht me origjinë nga ajo që sot njihet si zona e Labërisë dhe duke filluar që nga shekulli i XV edhe me të ardhur nga zonat e Mirditës dhe e Krujës pas vdekjes së Skënderbeut.

Më 1431 Himara u përfshi nga Perandoria Turke si një krahinë e Sanxhakut të Shqipërisë. Në 1482 disa familje u larguan nga qyteti për në Siçili, dhe atje u është dhënë tokë në afërsi të qytetit të Palermos. Këtij vendbanimi apo fshati më pas ju dha emri Hora e Arbëreshëve (Qyteti i Shqiptarëve), banorët e të cilit flasin edhe sot gjuhën shqipe (arbërisht) dhe ruajnë n zakonat, veshjet popullore dhe besimin ortodoks.

Duke filluar nga shekulli i XVI, si pasojë e disa kryengritjeve, Himara, ashtu si edhe Mirdita, siguroi një sërë privilegjesh dhe një lloj autonomie, që e lejoi të ruante fenë dhe flamurin Shqiptar. Fatkeqësisht, mungesa e rrugëve dhe zona malore krijoi vështirësi në komunikimin e saj me zonat e brendshme të vendit. Perveç gjuhës amtare shqipe, duke shfrytëzuar detin banorët e këtyre anëve vendosën lidhje tregtare me Greqinë dhe Venedikun e kryesisht me Korfuzin dhe si pasojë e këtyre lidhjeve, filloi të përdorej edhe gjuha greke e italiane për qëllime tregtare. Më 1912 Himara ngriti flamurin e pavarësisë dhe dërgoi përfaqësinë e saj në Vlorë.

Emri Himarë e ka origjinën nga fjala Greke "Χείμαρρος" që do të thotë Përrua dhe përkon me vendosjen gjeografike të Himarës mbi Përrua që zbret nga vargmalet e Acrocherauneve, ose siç quhet sot, (Malet e Vetëtimës). Etimologjia popullore e shkoqit si Hi+Marë, pra "Eja Marë", ku Marë përbën një trajtë vendase e emrit Maria.

Kultura

Himara ka një kulturë të lashtë shqiptare dhe një popullsi autoktone Shqiptare që ruan traditat dhe doket e kësaj anë që nga kohët e hershme. Dallohet sidomos për këngët me shumë zëra (polifonike), për vallet e shtruara dhe veshjet tradicionale në raste gëzimesh. Po ashtu vajet e Himarës janë të dëgjuara në tërë Shqipërinë e Jugut. Zhvillim në Himarë ka edhe letërsia dhe artet. Petro Marko, një nga mjeshtrat e gjuhës dhe letërsisë shqipe ishte nga Dhërmiu i Himarës.

Himara ka hapur një nga shkollat e para shqipe rreth vitit 1160-1161 dhe më pas duke vijuar më 1660-1661nga Onufër Kostandini, shqiptar i shquhar i asaj kohe, megjithë kushtet e rënda të pushtimit osman.

Përpjekjet për vazhdimësinë e shkollës shqipe u bartën edhe më tutje nga të tjerë, si është Zef Sciro, prift ortodoks dhe Vikar Apostolik në mision tek Himara, Arbëres i shquar i kohës së tij. Kjo e bëri Himarën një nga nismëtaret e para të Rilindjes Shqiptare. Banorët e krahinës së Himarës janë të besimit të krishterë ortodoks, një besim fetar i cili ka bashkërenduar dhe ka formësuar shumë prej kulturës dhe traditave të trevës së Himarës. Faktet historike dëshmojnë se krishtërimi bizantin i hodhi rrënjët në Himarë që në shekujt e parë të përhapjes së fesë së krishterë.

Turizmi

Himara është një nga destinacionet kryesore turistike të vendit dhe udhëtim i këshilluar nga revistat më prestigjoze të Evropës për ata që kërkojnë detin pa kursim. Këtu, turizmi i diellit nis nga plazhi i “Rrugëve të Bardha”, sapo zbret Llogaranë, e deri poshtë në horizontin jugor. Në hapësirën e shtrirë mbi një reliev të thyer mes malit e detit Jon trashëgohet historia mijëravjeçare që zbulohet nga kishat e manastiret e stilit bizantin.

Trashëgimia historike, kulturore e fetare është e pakursyer. Mund ta nisësh njohjen e zonës me Kalanë e Himarës ndërtuar në shek.IV-III para lindjes së Krishtit. Ndërsa mes ullishtave që kanë lëshuar rrënjët në krahët e fshatrave të Himarës gjen Kishën e Ipapandisë, Kishën e Shën Stefanit, Kishën e Shën Spiridhonit, të gjitha monumente prioritare të aseteve kombëtare. Listës së vendeve që ia vlen të vizitohen mund t’i shtosh monumentet e natyrës me Shpellën e Spilesë dhe Shpellën e Plazhit të Pëllumbave në fshatin Ilias.

Himara të befason edhe me bukurinë e saj arkitektonike e kulturore të cilën e gjen në të gjithë fshatrat e monumentet e ndërtimet historike, kulturore e fetare por edhe në banesat 2-3 katëshe, si ato të Dhërmiut, të ndërtuara me gurë të skalitur.Ndërkohë në Jug të Himarës, në një gadishull të vogël, brenda gjirit të sigurtë me të njëjtin emër, ndodhet kështjella e Bukur, e ndërtuar në fillim të shekullit 19-të nga Ali Pashai i Janinës, mbetet një nga atraksionet më të vizituara.

Një tjetër histori misterioze që tërheq turistë të shumtë, gjëndet në veri të Himarës. Anës detit ndodhet një shpellë e madhe, në të cilën mund të hysh vetëm nga deti. Mjedisi është interesant dhe bregu ideal për të bërë plazhe në grupe të vogla familjare ose shoqërore.Legjenda flet se kjo shpellë dikur ishte strëhe e piratëve.Mbrëmjet në Himarë janë sharmante me lokalet buzë detitë ku mund të shijosh gatimet e shijshme me produktet e detit, ku nuk mungojnë dhe ato tradicionalete.

Plazhi i Himarës është një tjetër pikë ku mund të shijosh diellin dhe ujin e pastërt, apo edhe shëtitjet me varka. Lumenjtë e rrëmbyer që zbresin nga malet e Labërisë gjatë shekujve kanë krijuar në derdhje gjire të shumta me rërë e guralecë. Plazhi i Palasës, Spilesë, Livadhit vitet e fundit janë bërë më të frekuentuarit nga turistët, por nuk mbeten pas ujërat e Potamit dhe të Llamanit. Ndërkohë për ata që kërkojnë pushime aktive, në Himarë mund të praktikojnë sportet e ujit, ku mund të ngjiten në gjurmët e përrenjve të maleve, të zhyten në thellësitë e Jonitpër të parë faunën nënujore, mund të provojne ekuilibrin duke bërë sërf mbi dallgë, apo të ngrene adrenalinën nga hedhja me parashutë.

Elida Lazi