Festa e Pranverës ose Viti i Ri sipas kalendarit hënor kinez po afron. Si festa më e rëndësishme e kombit kinez, banorët e krahinave të Kinës kanë zakone të ndryshme për festimin e Vitit të Ri Kinez dhe ushqime të ndryshme tradicionale me rastin e festës.

Darka e bashkimit familjar në vigjilje të Festës së Pranverës është simboli i bashkimit familjar të kinezëve dhe është zakonisht darka më e kushtueshme e tërë vitit. Në krahinat e ndryshme kineze, në tryezën e darkës mund të shijohen shumë ushqime tradicionale me karakteristika vendorë.

Jiaozi

Në veri të Kinës, jiaozi është ushqimi i domosdoshëm me rastin e Festës së Pranverës. Në gjuhën kineze, jiaozi ka kuptimin “ndryshimi i kohës”, ndërsa forma e tyre është e njëjtë me trajtën e monedhës së lashtë kineze “yuanbao”, prandaj ngrënia e jiaozi-ve do të thotë pasurim në vitin e ri.

Niangao

Niangao ose torta prej orizi, është një ushqim tjetër i domosdoshëm me rastin e Festës së Pranverës, veçanërisht në jug të Kinës. Në gjuhën kineze, niangao shqiptohet njësoj me “përmirësim nga viti në vit”, prandaj ngrënia e niangao-s simbolizon një vit të ri më të bukur.

“Orizi me tetë thesare”

“Orizi me tetë thesare” përgatitet me tetë përbërës, si fasule, farë lotusi, rrush të thatë etj. dhe është ushqimi tradicional në darkën në vigjilje të Festës së Pranverës në Shangai. “Orizi me tetë thesare” simbolizon bashkimin, fatmirësinë dhe sigurinë.

Mish i pulës

Në provincën Guangdong dhe në Hong-Kong të Kinës Jugore, banorët hanë mish pule me rastin e Festës së Pranverës, sepse shqiptimi i fjalës me kuptimin “pulë” në gjuhën kineze është i afërt me atë që shënon fatin e mirë. Në provincën Hubei në Kinën Qendrore, banorët hanë supë pule me rastin e festës. Kjo simbolizon sigurinë në vitin e ri.

Peshku

Peshku është ushqimi tjetër i rëndësishëm në darkën e Vitit të Ri Kinez. Në shumë krahina kineze, peshku nuk hahet në këtë darkë, por vetëm vendoset në tryezë, sepse simbolizon bollëk.

Edhe krahinat e tjera kineze kanë shumë ushqime të tjera tradicionale me rastin e Festës së Pranverës. Të gjitha këto ushqime përmbajnë urimet e kinezëve për një vit të ri sa më të mirë. (Fani)