Vizitat në shpella në mbarë botën, janë kthyer në një dukuri tepër atraktive për vizitorët kurioz të natyrës dhe historisë, por është parë edhe si një vlerë ekonomike. Shqipëria është e pasur me një larmi të madhe shpellash të cilat po shfrytëzohen si burim turistik dhe ekonomik.
Sot do të ndalojmë në tre destinacione atraktive, që gjatë viteve të fundit kanë shënuar rritje të vëmendjes së turistëve vendas dhe të huaj. Janë Shpella e Pëllumbasit, Shpella e Piratëve dhe ato që njiihen si Shpellat e Pukës.
Shpella e Pëllumbasit
Rreth 25 kilometra nga kryeqyteti në të majtë të luginës së Erzenit, gjendet Shpella e Pëllumbasit, një ndër pikat turistike më të frekuentuara nga vendasit e të huajt. Shpella në fakt është një nga atraksionet kryesore të turistëve që zgjedhin të eksplorojnë fshatin me të njëjtin emër, i cili shtrihet në luginë dhe që rrethohet nga kodra të larta me pamje fantastike.
Për të shkuar te Shpella e Pëllumbasit, nga qendra e fshatit me 100 shtëpi, duhen rreth 60 minuta.
Terreni është malor dhe mund të cilësohet një sfidë e këndshme.
Aty mund të gjeni hartat e nevojshme, të blini suvenire por edhe të merrni me qera një elektrik dore apo një kapele që do ju duhen për në brendësi të shpellës. Këpucet sportive, apo atletet janë të domosdoshme.
Hyrja e shpellës është madhështore. Mos harroni të bëni aty një foto. Në brendësi do të shihni formacione të ndryshme stalaktitesh e stalagmitesh, në forma njeriu e kafshësh të krijuara në shekuj. Gjithë shpella ka një gjatësi 360 metra dhe gjerësi 10-15 m. Ju e përshkoni atë të gjithën për 15-30 minuta.
Shpella që njihet edhe me emrin “Shpella e Zezë”, ka disa dhoma dhe cilësohet si gjashtë nga shpellat karstike më të bukura në Europë. Ajo ka qenë pjesë edhe e gërmimeve arkeologjike.
Në muzeun e Institutit të Arkeologjisë, gjenden fosilet e një ariu, i gjetur në shpellën e Pëllumbasit, specie që është zhdukur 20 mijë vjet më parë.
Vetë fshati Pëllumbas, është përfshirë në listën e 100 fshatrave turistik të Shqipërisë. Prodhimet bio, natyra dhe vetë Shpella e Pëllumbasit si atraksion fantastik, përbëjnë një kombinim perfekt të natyrës dhe investimeve private.
Shpella e Piratëve
Në veri të Himarës anës detit ndodhet një shpellë e madhe në të cilën mund të hysh vetëm nga deti.
Legjenda flet se kjo shpellë dikur ishte strehë e piratëve. “Shpella e Piratëve”, ka nxitur fantazinë e shumë njerëzve. Shkrimtari Petro Marko, ka shkruar një roman për fëmijë që fokusohet tek aventurat tek kjo shpellë, i cili më vonë është bërë edhe film.
Për të shkuar në këtë shpellë, mënyra më e mirë dhe e vetme është deti. Mjaftojnë 10-15 minuta lundrim, me një motobarkë vogël dhe mund të gjendesh në këtë objekt që evokon natyrshëm Mesjetën Shqiptare. Deti i thellë, në një ngjyrë të errët dhe bregu me formacione shkëmbore që bien thikë mbi sipërfaqen ujore, të paralajmërojnë për një surprizë të këndshme.
Shpella është një guvë e lartë gjysëm rrethore që kulmon në majën e saj me një të çarë tjetër, si oxhak nga hyn drita e diellit. Tavani i hapur i shpellës ajros muret e brendshme dhe krijon tjetër atmosferë që shijohet nga guximtarët, që duan të provojnë kredhjet në këtë hapësirë detare të fshehtë.
Vera është koha ideale për ta vizituar sepse deti është i qetë dhe lundrohet lehtë.
Shpella ngjall fantazitë e gjithkujt që e viziton duke ta bërë të lehtë udhëtimin që nga kohërat e lashta kur piratët e detit strehoheshin poshtë shkëmbinjve për tu shpëtuar erërave të Jonit, ose për të pushuar pas lundrimeve të gjata.
Shpellat e Pukës
Asnjë destinacion si Puka, nuk ka një numër kaq të madh shpellash, të cilat janë përfshirë në guidat turistike që agjencitë e ndryshme turistike ofrojnë për turistët eksplorues dhe aventurierë. Deri tani janë evidentuara mbi 50. Një pjesë e tyre gjenden pranë zonave të banuara, si vendburime lashtësie, apo vendstrehime e vende të sigurta. Do të veçonim: Shpella e Zanave, Shpella e Pëllumbave, Shpella e Kaurrit, Shpella e Kolikes, dy Shpellat e Shqipes, Shpella e Ujkut, Shpella e Kacisë, etj.
Gjatësia dhe madhësia e tyre është e ndryshme, po ajo e Kaurrit arrin deri në 110m. Si atraksion turistik ato unifikohen si Shpellat e Pukës. Më e rëndësishmja ndër to është Shpella e Kaurrit.
E pozicionuar vetëm 40 km larg qytetit të Pukës, kjo shpellë është një monument natyror i denjë për t’u vizituar nga afër. Dallohet si një shpellë tipike karstike me stalaktite dhe stalagmite që i japin më tepër bukuri. Gjatësia e saj shkon në 110 m. Shpella e Kaurit ka qenë e banuar që në lashtësinë e hershme. Por edhe më pas, gjatë periudhës bizantine ka gjurmë jete. Kjo shpellë ka qenë një vend ideal për murgjit, të cilët më të qetë dhe më të vetmuar se aty nuk kishin ku të gjenin vend tjetër. Sot ajo tërheq shumë turistë për karakteristikat e saj, si edhe për natyrën që e rrethon.
Neritana Kraja