Kurrë nuk e dini se çfarë do të gjeni brenda një libri të përdorur. Mund të gjeni diçka që e keni kërkuar prej vitesh, apo diçka që as e keni ditur se ekziston. Mund të gjeni një rrëfim të përsosur, por edhe historinë e pronarit që e kishte, bashkë me nënvizimet, citimet, apo fragmente jetësore të harruara mes faqesh…

Mbi të gjitha është një pasuri, që e merrni me një çmim ekonomik prandaj gjithmonë për libra të tillë mund të investoni.

Shitja e librave të përdorur është një realitet 20 vjeçar në Shqipëri, që ka krijuar edhe një profesion relativisht të ri, që para viteve ’90 tek ne nuk ekzistonte. Profesioninin e bukinistit.

Nëse në Paris, bukinistët kanë rreth 450 vite që shesin librat e përdorur buzë brigjeve të Senës, në Tiranë gjithnjë e më tepër gjatë viteve, shohim “bukinistët e rinj” që shesin në qendër, buzë Lanës, në Bllok, apo në zona të tjera, që frekuentohen më së shumti nga turistët dhe të apasionuarit pas librave.

Nëse dëshironi të gjeni libra të rrallë, të vjetër, apo që sot nuk botohen më, mjafton të shkoni në pikat ku shesin bukinistët e kryeqytetit. Dhjetra- qindra libra letrarë, shkencorë, historikë, enciklopedi, metoda mësimi gjuhësh të huaja në shqip dhe gjuhë të huaja ekspozohen para kalimtarëve.

Bukinistët, profesionin e tyre e kanë stil jetese. Ata japin e marrin me njerëzit. Mësojnë nga bashkëbisedimi me njerëzit, por edhe u mësojnë atyre. Nëse për disa zgjdhja e profesionit ka qenë nevojë për punë dhe mbijetese dhe ato janë thjesht tregtarë të librit, për bukinistët e vërtetë gjithmonë shoqërohet me pasionin. Në të gjtha rastet mbijetesa përmes librit nuk është aspak e lehtë.

Nga kalimtarët e shumtë që shkojnë dhe vijnë para librave të ekspozuar mbi trotuare, bordura, në shkalla apo parvaze, ka syresh që ndalojnë, lexojnë titujt, kërkojnë me durim dhe më në fund blejnë librin që duan, të tjerë largohen pa blerë asgjë.

Edhe pse ky biznes nuk ka qenë kurrë fitimprurës, mungesa e vizitorëve në qytet për shkak të pandemisë, si dhe pezullimi i leksioneve nga studentët nëpër auditore, i ka ulur shitjet akoma më tepër. Para pandemisë, shumica e klientëve ishin vizitorë të huaj, studentë, apo njerëz të dhënë pas leximeve. Ndërsa tani ka më shumë kalimtarë që kalojnë kohën duke parë titujt se sa blerës.

Një nga bukinistët e Tiranës, që tregton libra të përdorur buzë Lanës, tek Ura e Madhe, çdo ditë ekspozon librat mbi bordurat e larta të urës, pavarësisht motit. Në ditët me shi, ai përdor një plasmas të madh pasi marrëdhëniet mes fletëve dhe ujit nuk janë edhe aq të mira. Me këtë punë ai merret prej 20 vitesh dhe e i njeh më së miri klientët e tij.

Sinkron 1:

“Pjesa më madhe që blejnë janë mosha e mesme, por edhe të rinjtë kanë filluar të kenë interes. Të huajt më shumë interesohen për librat historikë, librat e Enverit në përgjithësi dhe albumet. Edhe me çmimet janë shumë të kënaqur se në raport me çmimet e atjeshme, këtu janë shumë më lirë”.

Vdekja, divorci apo emigracioni, janë shkaqet kryesore pse njerëzit braktisin librat, që përfundojnë në duart e bukinistëve, të cilët ua shesin të tretëve.

Një pjesë e librave janë pjesë e bibliotekave personale të intelektualëve të larguar nga jeta, të cilët trashëgimtarët e tyre ose ia shesin bukinistëve, ose edhe i flakin tej. Prandaj nuk janë të rralla rastet kur në tezgat e bukinistëve gjen libra që mbajnë firmën ose vulën e bibliotekave private të njerëzve që i zotëronin.

Sinkron 2:

“Pjesën më të madhe na e afrojnë klientët, që mund të kenë dy kopje, apo bëjnë seleksionim të bibliotekave dhe ikin jashtë dhe i sjellin me një çmim normal”, sqaron bukinisti.

Por, nuk janë të rralla rastet, kur libra me vlerë gjenden në koshat e mbeturinave, pasi nga trashëgimtarët, konisderohen si mbetje të një kohe të shkuar, që shumë njerëz duan ta neglizhojnë, ose si rudimente sentimentale që nuk përkojnë me kohën moderne dhe digjitale. Në garë me to, janë vënë mbase pa dashje bukinistët e rinj, të cilët, për hir të mbijetesës, po shpëtojnë aq shumë sa munden nga asgjësimi, libra të vjetër, të përdorur dhe të braktisur.

Neritana Kraja