Shqipëria gjendet në një terren relativisht të thyer, të përshkruar nga një sërë lumenjsh, nga jugu në veri, nga lindja në perëndim. Rrugët e shumta të ndërtuara për komunikim mes zonave, krahinave, fshatrave, janë të lidhura me një sërë urash të rënëdësishme, një pjesë e të cilave kanë shekuj që janë ndërtuar e që i kanë rezistuar çdo kohe. Sot do ju njohim me tre prej tyre. Elementi që i lidh ato, është mosha e tyre.

Ura e Mesit

Ura e Mesit, ndodhet 8 km larg qytetit të Shkodrës mbi lumin Kir, është një monument kulture me vlera të mëdha dhe simbol i qytetërimit të lashtë. E ndërtuar në vitin 1768, ura me kurriz që ndodhet mbi lumin Kir shërbente për të lidhur Drishtin me Shkodrën.

Ura e Mesit është ndërtuar nga Mehmet Pashë Bushati dhe është ura më e madhe që mbetet nga periudha Osmane në Shqipëri, e për këtë arsye gëzon dhe statusin si monument kulture i kategorisë së parë. Por ka edhe një legjendë për ndërtimin e Urës së Mesit.

Sipas gojëdhënave për ndërtimin e urës, një tregtar turk në ndihmë të disa banorëve të zonës hapi disa gropa për të shuar gëlqeren. Për gati 20 vite fshatarët e priten tregtarin për të ndërtuar urën. Më në fund ai erdhi, mblodhi banorët dhe filloi ndërtimin e urës.

Gëlqerja, që kishte qëndruar për 20 vite në gropa, kishte një fortësi të tillë sa i lidhi mjaft mirë gurët e urës. Sipas legjendës, kjo urë është ndërtuar me gur dhe gëlqere të shuar, pa çimento dhe hekur.

Duke iu kthyer realitetit, pa hezitim mund të themi se Ura e Mesit është një pikë turistike qendrore për vendasit dhe turistët. Ura është renditur e para ndër urat Shqiptare për tu parë nga Tripadvisor dhe do të prekte ndjeshmëritë e çdo piktori, poeti apo fotografi.

Në fakt, Edward Lear, gjatë udhëtimit të tij përgjatë Shqipërisë në vitin 1848 e ka përfshirë në skicat e tij tashmë të mirënjohura të vendit.

Në pranverë apo verë, shumë prej vendasve dhe turistëve zgjedhin të përshkojnë rrugën e shkurtër nga Shkodra deri në fashtin e Mesit me biçikletë. Në përfundim të rrugës, ata shpesh freskohen në ujërat e freskëta të lumit. Peizazhi natyror që shtrihet përreth Urës së Mesit, me majat e maleve të cilat rrethojnë lumin e kristaltë e kthejnë urën në një simbol të harmonisë midis natyrës, njeriut dhe historisë.

Me gjatësi 108 metër, gjërësi 3.40 metër dhe me 13 harqe josimetrike, për ndërtimin e saj janë përdorur gurë të latuar, ndërsa traseja është bërë me pllaka guri. Vlerave të rralla kulturore të kësaj ure u shtohen dhe terreni piktoresk me shkëmbinj dhe uji i pastër.

Ura e Tabakëve

Ura e Tabakëve është ndër vendet më të dashur për kryeqytetasit, të cilët e përmendin shpesh në biseda si pikë referimi. Ura ndodhet në zemër të qytetit, është e ndërtuar me gurë dhe kalldrëmi i saj është lëmuar aq shumë nga koha, sa fare lehtë mund të shkasësh, prandaj duhet kujdes. Pranë saj ndodhen lulishte, bare, dyqane dhe hotele luksoze dhe jo më kot është shndërruar edhe në një atraksion mjaft të pëlqyer nga turistët.

Ura e Tabakëve është një urë guri këmbësoresh e periudhës otomane të shekullit XVIII e ngritur me kontributin e Esnafit të Tabakëve për të kaluar mbi Lanë. Në këtë periudhë Esnafi i Tabakëve kishte një pozitë të veçantë në jetën ekonomike dhe shoqërore të Tiranës.

Kjo urë dikur ishte pjesë e rrugës së Shëngjergjit që lidhte Tiranën me malësinë lindore të saj. Deri në vitet ’30 ura lidhte dy brigjet e lumit Lana, ku ishin vendosur dyqanet e kasapëve dhe zejet e përpunimit të lëkurës. Ajo dëshmon për traditat e lashta të vendit tonë në fushën e ndërtimeve si dhe punën e madhe të mjeshtreve popullorë tiranas në këtë fushë.

Ura më pas mbeti pa funksion dhe pothuajse u rrënua, pasi Lana u devijua në 1930.

Ura e Tabakëve dallon për arkitekturën e saj harmonike, si dhe për shpërndarjen proporcionale të elementeve të saj. Ajo ka një lartësi rreth 7 metër e gjysmë dhe përbëhet nga një hark kryesor, mbi të cilin ngrihet ura në formë kurrizi. Ky hark e ka hapësirën e dritës 8 metra dhe është ndërtuar me 2 rreshta harqesh anësorë me trashësi 1 metër. Lartësia nga niveli i ujit ka qenë 3,5 metra. Kalldrëmi i urës me gjerësi 2,5 metra është i ndërtuar me gurë lumi të vendosur pa ndonjë rregull. Në të dy anët e harkut kryesor janë ndërtuar dy harqe në formë segmentesh rrethorë me hapësirë të vogël.

Më 1990 ura u restaurua dhe tani përdoret nga këmbësorët.

Në vitin 2007 punimet në infrastrukturën nëntokësore në urë përfunduan. Gjatë punës për rivendosjen e themeleve të urës u zbulua dhe një pellg artificial, i krijuar në të dyja anët e urës.

Përveç kësaj, u pastruan dhe gurët origjinal të urës. Ura tashmë klasifikohet nga Bashkia e Tiranës si një prej monumenteve të trashëgimisë kulturore më të rëndësishme të qytetit dhe është konsideruar si dëshmi e gjallë e një arkitekture të përsosur e urës në zonën e Tiranës. Ajo është e ruajtur mirë dhe është pjesë e qendrës së Tiranës. Kjo urë ndodhet në fund të rrugës George Ë. Bush.

Ura e Goricës

Një prej urave më të bukura të periudhës së perandorisë osmane në Shqipëri, e ndërtuar në shek. XVIII në qendër të Beratit, Ura e Goricës lidh qytetin me lagjen e të njëjtit emër.

Ajo harkohet në mes me një elegancë të theksuar, me këmbët e saj të cilat zbresin nga 10 metra lartësi mbi dy anët e shtratit të lumit Osum. Shtatë harqe, parmakë prej druri, e “dritare” të vogla, të cilat shpeshherë duken si fytyra njerëzish, i japin kësaj ure një pamje të rrallë, një pamje e cila reflekton vërshime të skajshme, tërbime dhe kohë të ashpra mbi të.

Unike në stilin e vet, më një gjatësi 130 metra e gjerësi mbi 5 metra, edhe kjo urë ndiqet nga lajtmotivi i urave të vjetra, e legjendave të cilat tregojnë se aty është murosur një vajzë e re për të siguruar themelet e urës. Krenarë për urën që gjendet mes tyre, vendasit tregojnë se një punim i tillë rrallë gjendet. Duke vlerësuar arkitekturën si edhe rëndësinë e saj historike, studiuesit mendojnë se kjo është ura më e bukur në Shqipëri. Udhëtarët e çdo kohe, të cilët kanë kaluar nga Berati, janë befasuar nga kjo vepër inxhinierike, dhe e kanë dokumentuar atë në gravura, foto e mjaft vizatime. Në fakt, të dhënat e para mbi Urën e Goricës i ka dhënë kronisti i famshëm osman, Evlija Çelebi, në ditarin e tij të udhëtimeve.

Në vitin 1780, ishte Pashai Ahmet Kurti i Beratit ai që financoi ndërtimin e Urës së Goricës, e cila ishte fillimisht e drunjtë. Vendasit mendojnë se ajo u ndërtua pikërisht kur lindi nevoja për të komunikuar mes dy brigjeve të Osumit, në periudhën kur filloi të ndërtohej e popullohej lagja e Goricës. Për fat të keq, më 1918, në mbarim të luftës së parë botërore, një shpërthim dinamiti shkatërroi një pjesë të saj. Por, fatmirësisht, në këtë rast ajo u rindërtua vetëm pas pak kohe në gur, duke marrë formën dhe bukurinë që zotëron sot.

Neritana Kraja/ Redaktorja Wang Lei