Wang Yan-i, që ia ka kushtuar rininë çështjes së arsimit të posaçëm, është një motër e madhe në sytë e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe gjithashtu mbrojtësja e tyre.

Në vitin 2018, Wang Yan u diplomua në Institutin Profesional të Higjienës e të Shëndetit të provincës Jiangsu dhe filloi punën si mësuese e arsimit të posaçëm në Shtëpinë e Mirëqenies së Fëmijëve në kontenë Gaoyou të provincës Jiangsu të Kinës Lindore.

Dashuria është parakushti i të gjithë arsimit. Wang Yan-i i ka falur dashuri të pakursyer çdo fëmije në klasë. Ajo i mëson të lajnë fytyrës dhe dhëmbët, të vishen dhe të përdorin tualetin. Ajo i ka ndihmar me durim të madh të zotërojnë mjeshtrinë e përkujdesit për veten, si rregullimi i rrobave, pastrimi i dhomave etj.

Por kur Wang qëndroi për herë të parë në katedër dhe dha mësim përpara këtyre fëmijëve të veçantë, ajo zbuloi se gjithçka ishin ndryshe nga sa priste. Fëmijët nuk kuptuan çfarë tha ajo, le më pastaj të reagonin.

Në Shtëpinë e Mirëqenies së Fëmijëve të Gaoyou-t ka mbi dhjetë fëmijë, të cilët ndahen në dy klasa. Ndër ta, më i vogli është vetëm 4 vjeç, ndërsa më i madhi mbi njëzet vjeç. Duke e përsëritur një mësim disa herë, por pa asnjë përparim, Wang Yan-i, që sapo kishte nisur punën, filloi të dyshonte në aftësinë e vet për detyrën e arsimit të posaçëm.

Një herë, Wang Yan-it i ishte tharë goja pas dhënies së një mësimi. Një fëmijë i dha asaj një gotë dhe lëvizi duart duke bërë gjestin e pirjes së ujit. Duke parë fytyrën e sinqertë të fëmijës, Wang Yan-i u ndje e lumtur dhe vendosi të vazhdonte punën e vet.

Dashuria është e ndërsjellë. Fëmijët e duan mësuesen dhe aspirojnë për njohuri, ndërsa Wang Yan-i e dashuron arsimin e posaçëm dhe e do çdo nxënës të shkollës. Qysh nga ajo kohë, Wang-u është përpjekur të studiojë me më shumë zell njohuritë e rehabilitimit, të komunikojë më shumë brenda mundësive me nxënësit, t’i përqafojë dhe të luajë me ta, që të pakësojë shqetësimet e tyre. Ajo dëgjon shpesh edhe mësimet e mësuesve të tjerë, që të thithë përvojën e tyre.

Në një fletore shënimesh, Wang Yan-i ka regjistuar detajet e mësimit dhe të jetës së çdo nxënësi në klasë, përfshirë moshën, pasionet, karakterin, zakonet e jetës, gjendjen e mësimit, si dhe strategjitë për përballimin e emocioneve të jashtëzakonshme. Kundrejt gjendjes së ndryshme fizike dhe psikologjike të çdo nxënësi, Wang-u harton një program të veçantë për secilin prej tyre dhe shfrytëzon çdo rast në mësim e në jetë për arsimim. Në syrin e saj, çdo fëmijë në klasë është engjëll dhe ka një pikë të ndritshme.

13-vjeçarja Shanshan quhet "kukulla e xhamit", sepse vuan nga brishtësia e kockave dhe vetëm nga një përplasje e lehtë, kockat e saj mund të thyhen si xham. Kështu mësuesit tregojnë për të më shumë vëmendje. Për shkak të kësaj sëmundjeje, Shanshan-i nuk mund të marrë pjesë në shumë aktivitete jashtë së bashku me shoqet e klasës. Wang Yan-i është përpjekur të gjejë kohë të lirë ta shoqërojë Shanshan-in për të bërë punime zejtarie apo vizatime, ose të bisedojë me të si një shoqe. Nën shoqërimin e kujdesshëm të Wang Yan-it, Shanshan-i është bërë më e hapur dhe më e qeshur dhe punimet e saj të zejtarisë janë bërë më të bukura.

Gjatë viteve me radhë, zemra e Wang Yan-it është lidhur ngushtë me fëmijët, ditë e natë. Në botën e saj si mësuese ekzistojnë vetëm inkurajimi e lavdërimi dhe jo kritikat e akuzat. Edhe një figurë të thjeshtë a një përshëndetje të zakonshme, Wang ua shpjegon fëmijëve zakonisht dhjetëra, e madje qindra herë. Kur fëmijët i thonë “Përshëndetje, mësuese!”, “Mirupafshim, mësuese!” ose ngrenë duart për të treguar se topi është i rrumbullakët, ndërsa dërrasa e zezë katrore, ajo ndien lumturinë më të madhe.

Wang Yan-i thotë se rëndësia e arsimit të posaçëm është ndihma ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara që të bëhen pjesëmarrës të barabartë në jetën shoqërore, të integrohen në shoqëri dhe të jetojnë me dinjitet. Kjo është synimi i përpjekjeve të saj dhe të të gjithë mësuesve të arsimit të posaçëm. (Wang Lei)