Në trevat e Malësisë së Madhe dhe Dukagjinit, në raste kremtimesh dhe festash, të bie në sy një mozaik impresiv i veshjeve nga vajzat dhe gratë e reja, të cilat i janë kthyer traditës së trashëguar nga gjyshet e tyre.

Bëhet fjalë për xhubletën, që konsiderohet si veshja më e vjetër, me një pasaportë më se 4 mijë vjeçare. Deri në fundin e viteve 60 të shekullit të kaluar, xhubleta ishte veshja e përdorimit të përditshëm në malësitë e Alpeve Shqiptare.

Këto veshje prej shekujsh kanë zgjuar interesim të madh tek studiuesit. Sot njëherazi janë të mendimit se kjo veshje popullore, është një nga manifestimet më të fuqishme të kulturës tradicionale.

Xhubleta me shekuj, është veshur nga gratë dhe vajzat në dasma e morte, ka hijeshuar trupin e malësoreve të veriut, ka zënë vend në vargjet e kreshnikëve, në përshkrimin e studiuesve të huaj dashamirës ndaj vendit tonë, ka frymëzuar penelatat e piktorëve dhe imagjinatën e meshkujve malësorë.

Është pikërisht veshja, për të cilën vendi ynë, me të drejtë krenohet, duke e konsideruar pasuri, e pikërisht për vlerat që ka, po përgatitet edhe një dosje dinjitoze prezantimi për ta paraqitur në UNESCO, që kjo e fundit ta njohë xhubletën si pjesë e trashëgimisë botërore.

Studiuesja e etnografisë, Silvana Nino, tregon se kjo veshje është specifike për kulturën e vendit tonë dhe sot e kësaj dite konsiderohet si një nga kostumet monumentale, tipar i malësorëve të veriut, që e kanë marrë me vete kudo ku kanë shkuar.

“Veshja me xhubletë tregon një harmoni të plotë me terrenin ku ajo është përdorur, është zhvilluar, me mënyrën e jetesës dhe pikërisht këtë mënyrë jetese ajo e tregon përmes teknologjisë, pasi e tërë xhubleta është e ndërtuar me materialin vendas. Jo më kot, për karakteristikat e veçanta që ka, përbën një nga tipet e veshjeve.

Është karakteristikë e Malësisë së Madhe, në veri të Shkodrës, por e gjejmë në fushën e Ulqinit, në Hot, madje kudo ku kanë zbritur malësorët, e kanë marrë atë me vete deri në Milot,” thotë studiuesja Silvana Nini.

Historia e përdorimit të xhubletës është mjaft impresionuese. Tradita e kërkonte që xhubletat të prodhoheshin në shtëpi nga vajzat e fejuara në prag martese, madje në përfundim bënin garë mes tyre, kush e kishte realizuar më mirë atë.

Studiuesja Nini, tregon për variantet kryesore të xhubletës dhe specifikat e përdorimit të saj:

“Xhubleta paraqitet më tre variante, ose më mirë të themi në dy variante kryesore, në xhubletën e Malësisë së Madhe, që është edhe xhubleta më madhështore, sa i përket formës së saj, ka edhe shenjën dalluese të shiritit të bardhë në fund dhe në xhubletën pultake që i përket zonës së Pukës dhe shtrihet deri në kufinjtë e Tropojës. Pastaj është xhubleta e vajzërisë një veshje shumë interesante, të cilën vajzat e vishnin pas moshës 10 vjeçare. Eshtë një xhubletë totalisht bardh e zi, me shirita, që vajzat e ndërronin dhe vishnin xhubletën e gruas së martuar në ndërrimin e statusit të tyre”.

Ajo vajzë, xhubleta e së cilës qëndronte në këmbë si skulpturë, ishte absolutisht më e përkryera. Xhubletat që nuset merrnin me vete në pajë ishin: Xhubleta e martesës dhe e vitit të parë të nusërisë, e cila ruhej për ditën e vdekjes, xhubleta të tjera të kategorizuara për të përditshmen dhe për ditët e meshës në kishë, apo daljet e tjera publike.

Luljeta Dano, shkrimtare me profesion, prej vitesh i është kushtuar pasionit si koleksioniste e xhubletave. Ajo është një njohëse e mirë e tyre, ndaj arrin të sqarojë në detaje të gjithë pjesët përbërëse të saj:

“Pjesa kryesore monumetale e xhubletës është kambana, me shirit kordoni në fund dhe shpinorja e saj. Mbi të vendosen shumë pjesë të tjera, përfshirë dhe stolitë që përbëjnë gjysmën e peshës së xhubletës. Nën xhubletë vishet një punim që ka qenë i ekonomisë shtëpiake, pëlhurë e bardhë me ato qendisjet e saj dhe mbi trupin e xhubletës vendosej grykashka, që ka sumbullat e argjenda, ka qendisje me rruaza, ku viheshin apo qepeshin filigramat e stolive. Ka hangore, ka krahol, ka përparësen, çorape dhe shputat, që visheshin mbi çorape. Ajo luante rolin e një shapke.. Kemi shaminë – në etnografinë shqiptare, shamitë gratë nuk i lidhin, i lënë të lëshuara. Në kapicë është hëna, ylli dhe dielli”, tregon koleksionistja Dano, duke shtuar se gruaja që mbante brez kishte status shoqëror më të lartë.

Xhubleta karakterizohet nga kombinimi i materialit të kadifes me meshinin, te dyja në ngjyrë të zezë, të qëndisura gjithashtu me të zezë dhe elementë të tjera dekorativ që e hijeshojnë më shumë xhubletën, me ngjyra, rruaza, punime sermi, etj. Hëna, diellin, shqiponja, janë disa nga elementët mitologjikë që i gjejmë të qëndisura në veshjen e hershme.

Në vitet ’70 – të, xhubleta përfundoi dhe ciklin e saj, kur gratë malësore nuk e veshën më, sepse prodhimi kishte stopuar kohë më parë, që nga viti 1950.

Sot, me rikthimin e traditës së Logut të Bjeshkëve, vajzat i veshin ato në konkursin e bukurisë, festat e ndryshme të fshatit, apo rituale të ndryshme dhe përdorin kryesisht xhubletat e trashëguara nga gjyshet e tyre, për të cilat ndihen krenare.

Kjo është një mënyrë shumë impresionuese për të ruajtur traditën e mrekullueshme të xhubletës së maleve.

Dy nga Xhubletat më të vjetra Shqiptare sot ndodhen në dy muze të rëndësishme të Evropë. E para ndodhet në Muzeun e Njeriut në Paris, i përket shek të XVIII dhe quhet: Xhubleta Shumëngjyrëshe.

Xhubleta e dytë ndodhet në Vjenë dhe quhet Xhubleta e Kuqe. Muzeu Metropolitan në New York ka një koleksion të zgjedhur të kostumeve popullore shqiptare, mes tyre ndodhet edhe xhubleta kelmendase me stolitë dhe elementët e saj.

Nisur nga vlerat trashëgimore dhe unike të xhubletës, si dhe nga vjetërsia e saj, që nga muaji korrik i vitit 2020, një grup pune është ngritur nga Ministria e Kulturës për të paraqitur propozimin, për regjistrimin e Xhubletës në “Listën Përfaqësuese të dukurive të Trashëgimisë Jomateriale të Njerëzimit të UNESCO-s”.

“Xhubleta do hyjë në UNESCO si një pasuri e rëndësishme e trashëgimisë jomateriale. Gjithashtu është spallur edhe si kryevepër e Trashëgimisë Jomateraile nga shteti shqiptar, sepse teknikat e veçanta e veçojnë nga veshjet e tjera”, thotë Silvana Nini.

Çdo Monument i Trashëgimisë Kulturore është e rrethuar me një mjegullnajë mitologjike. Xhubleta nuk është asgjë tjetër vetëm se një veshje katër mijëvjeçare që ka jetuar në Ballkan dhe është ruajtur më së miri rrëzë Alpeve të Veriut duke shpalosur madhështi, prezencë, elegancë, simbolikë, autencitet dhe krenari.

Xhubleta është një Monument i Kulturës sonë për të cilën duhet të jemi të ndërgjegjshëm, se si ta ruajmë dhe ta mbrojmë nga e ardhmja.

Neritana Kraja