Wu Ni bën një vaksinë eksperimentale në Wuhan të provincës Hubei, gjatë periudhës së shpërthimit të COVID-19 në marsin e vjetshëm. Ajo ishte ndër vullnetarët e parë në një provë klinike për një vaksinë të COVID-19 në Kinë.

Si një nga vullnetarët e parë të provave klinike për një vaksinë të COVID-19 në Kinë, Wu Ni tha se u gëzua kur mori vesh se do të zhvillohet një program kombëtar i vaksinimit të grupeve me rrezik të madh, për mbrojtjen e tyre nga infektimi.

“Mendoj se kjo është një nisje e mirë. Nëse të gjitha vendet në Kinë janë të sigurta, do të kemi mundësi të udhëtojmë kudo që dëshirojmë,” tha 29 vjeçarja, duke shtuar se ajo nuk shqetësohet se mund të infektohet nga COVID-19, sepse është vaksinuar.

Në marsin e vitit të kaluar, Wu, që jeton në qytetin Wuhan të provincës Hubei, u përfshi vullnetarisht në fazën e parë të provës klinike të një vaksine kundër koronavirusit të ri, të krijuar nga një ekip i drejtuar nga Chen Wei, eksperte biomjekësore në Institutin e Mjekësisë Ushtarake pranë Akademisë së Shkencave Ushtarake të Kinës.

Ajo ishte e para vaksinë që u fut në fazën e parë të provave klinike në Kinë. Rezultati i eksperimentit tregoi se vaksina nxiti përgjigjen imunitare në të 108 vullnetarët, bëri të ditur ekipi në një raport të publikuar në majin e vjetshëm në revistën mjekësore britanike “The Lancet”.

Në prill, edhe prindërit e Wu Ni-së, 60-vjeçari Wu Nianfang dhe 52-vjeçarja Fang Xinghua, morën pjesë si vullnetarë në fazën e dytë të provave klinike. Ekipi raportoi në korrik se 99.5 për qind e 508 vullnetarëve prodhuan antitrupa të posaçëm 28 ditë pas injektimit.

Në shtator Wu Ni u vaksinua përsëri. Vajza tha se mori një dozë të lartë vaksine për herë të parë dhe temperatura iu ngrit në 38 gradë po atë natë, por u kthye në nivelin normal në mesditën e ditës së dytë dhe nuk kishte ndonjë reagim të padëshirueshëm më vonë. Po në shtator ajo bëri edhe një dozë të ulët dhe nuk pati ndonjë reagim negativ.

Wu tha se edhe prindërit e saj nuk raportuan asnjë efekt anësor gjatë dhe pas periudhës së vëzhgimit mjekësor.

Në Wuhan shumë familje si ajo e Wu Ni-së, morën pjesë aktivisht në studimin dhe krijimin e vaksinave. Gjatë një fjalimi në një forum në shtator, Chen Wei, që është edhe anëtare e Akademisë së Inxhinierisë të Kinës, tha se 5 346 qytetarë në Wuhan paraqitën kërkesë gjatë vetëm dy ditëve për të marrë pjesë në fazën e parë të provës klinike të zhvilluar prej ekipit të saj dhe ata ofruan të dhënat e para klinike në botë mbi një vaksinë kundër COVID-19.

“Shumë vullnetarë të fazës së dytë të provës janë anëtarë të familjeve të vullnetarëve të fazës së parë,” tha ajo. “Banorët e Wuhan-it janë heronj të vërtetë.”

Wu Ni dhe prindërit e saj

Në mes të marsit, Wuhan-i, kryeqendra e provincës Hubei, ishte ende i mbyllur për të parandaluar përhapjen e virusit. Wu Ni mori lajmin e rekrutimit të vullnetarëve nga një mesazh në grupin e “WeChat”-it të lagjes së saj.

“Në fillim nuk isha e sigurt nëse lajmi ishte i vërtetë, pastaj kërkova në internet dhe zbulova se akademikja Chen Wei, idhulli im, e bëri e para këtë vaksinë. Atëherë, dyshimet e mia u zhdukën,” thotë ajo.

Ekipi i kërkimit dërgoi një ambulancë për ta çuar në bazën e eksperimentit. Kur Wu Ni po bënte gati çantën, nëna i tha se nuk donte që ajo të shkonte.

“U thashë prindërve se kam besim te shkenca dhe vendi,” tregon Wu Ni. “Nëse eksperimenti lejohet nga qeveria, ai duhet të jetë i sigurt.”

Pas një ekzaminimi të hollësishëm fizik, Wu Ni u vaksinua dhe u vëzhgua për 30 minuta. Pastaj e shpunë në një dhomë individuale për vëzhgimin mjekësor 14-ditor.

Wu Ni u tregonte prindërve fotografitë e tre vakteve të saj çdo ditë. Ajo u largua më 7 prill, pas një ekzaminimi që nxori se të gjithë treguesit fizikë të saj ishin normalë. Ajo tregon se kërkuesit i thanë se duhej të bënte analizat e gjakut në ditën e 7-të, të 14-të, të 21-të, tre muaj dhe gjashtë muaj pas largimit.

Wu Ni, e mbajtur certifikatën e mirënjohjes, së bashku me idhullin e saj, akademiken Chen Wei

Në ditën kur u kthye në shtëpi, i ati e priti në hyrjen e lagjes. E ëma kishte gatuar për të dhe kur po sillte supën nga kuzhina në dhomën e ngrënies, ajo pa se e bija po qante duke parë një certifikatë mirënjohjeje për të nga ekipi i kërkimit.

Wu Ni shprehet se kjo përvojë ishte kuptimplotë dhe i dha një ndjenjë vetëvlerësimi. Ajo ishte e papunë atë kohë, por tani ka një punë të re në marketing.

Prindërit e saj u vaksinuan më 12 prill.

“Nuk pendohemi. Si një familje e zakonshme në Wuhan, dhamë një kontribut të vogël për përballimin e pandemisë”, thotë nëna e së resë.

Wu Ni është e mendimit se COVID-19 “ndoshta do të bëhet një sëmundje e zakonshme si gripi”.

“Ndoshta mbajtja e maskës së fytyrës do të bëhet gjithashtu një pjesë normale e jetës sonë,” tha ajo. “Por shpresoj prapëseprapë se pandemia do të zhduket sa më parë dhe nuk do të kemi nevojë për distancimin social.”(Wang Lei/ Artani)