Çdo vit në vjeshtë, pylli i plepave të Eufratit në kontenë Bugur të Rajonit Autonom të Xinjiang-Ujgurit shfaq peizazhin e ngjyrave të mrekullueshme. Pylli i ngjan një pengese të fortë, që i qëndron sulmit të shkretëtirës ndaj oazave. Wang Xiangbao u bë rojtar i pyllit të plepave të Eufratit që në moshën 24-vjeçare dhe quhet “harta e gjallë” e pyllit. Tani Wang Xiangbao i moshuar shpreson t’u japë nxënësve të tij njohuritë dhe përvojën e tij për mbrojtjen e pyllit të plepave të Eufratit, me qëllim që ata të mbajnë në vijim këtë përgjegjësi.

Në gjuhën ujgure, plepi i Eufratit quhet "tuokelake", që ka kuptimin “pema e bukur”. Shumica e plepave të Eufratit të botës rriten në Kinë, dhe 90% e plepave të Eufratit të Kinës janë në Xinjiang. Në pellgun e lumit Tarim, pylli i plepave të Eufratit zë një sipërfaqe mbi 3 800 kilometra katrorë.

Wang Xiangbao është rojtar pylli i kontesë Bugur të Xinjiang-ut. Ai thotë: "Rrënjët e plepit të Eufratit janë shumë të thella. Ato mund të thithin ujë 20 - 30 metra thellë nën tokë. Plepi i Eufratit i reziston shumë kripës dhe mund të nxjerrë jashtë kripën e nëntokës. Pylli i plepave të Eufratit mund të pengojë erën, të ngjeshë rërën dhe të përmirësojë tokën, duke mbrojtur oazat e këtushme. U bëra rojtar i pyllit të plepave të Eufratit në vitin 1984. Ne jemi grupi i parë i rojtarëve të pyllit. Në të kaluarën unë kam patrulluar i vetëm nëpër pyllin me sipërfaqe mbi 20 mijë hektarë për rreth 16 vjet. Nga 365 ditët e vitit, bëja rojë në këtë pyll për 250 ditë. Kam qëndruar me këta drurë më gjatë se me familjen time. Pylli i plepave të Eufratit është miku im."

Në fillim Wang Xiangbao patrulloi nëpër pyll me gomar, më pas me biçikletë. Në vitin 2004 ai filloi të përdorë motoçikletë. Tani rojtarët patrullojnë me makinë. Në pyll janë instaluar kamera sigurie, që mbulojnë një rreze afro 15 km duke forcuar shumë aftësinë e mbrojtjes së pyllit.

Në pyllin e plepave të Eufratit diferenca e temperaturës midis ditës e natës është shumë e madhe. Në dimër temperatura mund të ulet nën 20 gradë, dhe në verë mund të arrijë mbi 40 gradë.

Gjatë patrullimit rojtarët i njohin blegtorët me Ligjin e Pyllit, Ligjin e Mbrojtjes së Kafshëve të Egra dhe Rregulloren e Mbrojtjes nga Zjarri në Pyll. Ata inspektojnë nëse ka prerje pa kriter të pemëve, nëse dhitë kanë ngrënë lëvoren e drurëve, nëse ka rrezik nga zjarri apo ndonjë dëmtues.

Nëpërmjet patrullimit dhe punës propaganduese, blegtorët e kanë kuptuar rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit ekologjik.

Wang Xiangbao do të dalë në pension këtë vit, tani ai shpreson të përgatis nxënës për t’ua kaluar atyre detyrën e mbrojtjes së pyllit të plepave të Eufratit.