I njohur më shumë si “Qyteti i Gurtë”, i vendosur në jug të vendit, Gjirokastra është sot një qendër me rëndësi në zhvillim e turizmit të trashëgimisë kulturore në Shqipëri. Gjirokastra është përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 2005, si një nga shembujt e mbijetuar në Ballkan të qyteteve tregtare të stilit osman. Kjo përfshirje i ka bërë tashmë vlerat historike dhe kulturore të jenë pjesë e trashëgimisë botërore dhe që interesi të shtohet edhe jashtë kufijve.
Historia
Prejardhja e emrit të Gjirokastrës ka një shpjegim mitik dhe dy të tjerë me natyrë më historike. Sipas legjendës, Princesha Argjiro, motra e dominuesit të qytetit, për të mos rënë në duart e turqve u hodh nga muret e kalasë bashkë me djalin e saj. Nga këtu rrodhi dhe emri “Kalaja e Argjiros”. Sipas një shpjegimi tjetër, qyteti e ka mar emrin sipas fjalës greke, “argyrokastron”, që lidhet me ngjyrën e përhimtë të mureve, rrugëve dhe çative, të cilat vezullojnë si argjend kur lagen nga shiu. Shpjegimi tjetër lidhet me emrin e një fisi vendas që jeton pranë Gjirokastrës, Argjirët.
Historia e hershme e qytetit është relativisht e panjohur. Është menduar shpesh që vendbanimi më i hershëm në Gjirokastër është kalaja mesjetare, për shkak të afërsisë me qendrat klasike dhe helenistike: Jerma (Antigona) dhe qyteti romak Adrianopolos. Por zbulimet brenda në kala kanë nxjerrë në dritë qeramikë në 4 faza të ndryshme banimi përpara periudhës osmane, të cilat datojnë të periudhës para romake në këtë anë të luginës së lumit Drino(para vitit 168 p.e.s).
Historianët thonë se ky qytet u ndërtua rreth viteve 297-296 p.e.s, duke zbatuar skemën e një arkitekti të famshëm që i jep qytetit pamjen e një fushe shahu. Për herë të parë burimet historike e përmendin qytetin në vitin 1336, kur kronisti bizantin Johan Kantakuzeni shkruan për Argyrokastron. Nën Despotatin e Epirit, qyteti dhe rrethinat ishin nën sundimin e familjes feudale Zenebishi. Ndërsa perandoria Osmane zgjerohej në Evropë në fundin e shekullit të XIV, Gjirokastra ra nën ndikimin e sulltanëve dhe sundimtarët e saj u bënë vasalët e tij.
Qyteti i sotëm i Gjirokastrës përfshin Qytetin e Vjetër me kalanë dhe lagjet e tipit osman, ndërtuar mbi kreshta, që vijnë duke u larguar nga kalaja deri në tabanin e luginës ku ndodhen ndërtimet bashkëkohore dhe kompleksi universitar. Gjatë Mesjetës, qyteti u zhvillua jashtë mureve të tij. Në shekujt XVI dhe XVII qyteti ishte si qendër kryesore e Sanxhakut të Shqipërisë.
Gjirokastra mbeti një qendër administrative si seli e Kadiut dhe shumë banesa e xhami që mbijetuan deri në ditët tona datojnë në këtë periudhë. Në shek XX Gjirokastra u bë e rëndësishme, ndërkohë që përcaktoheshin kufijtë e Shqipërisë së sotme.
Kulturë dhe traditë
Gjirokastra karakterizohet nga një pasuri e madhe kostumesh, traditash muzikore dhe zakonesh popullore. Ajo është e famshme për përpunimin e drurit dhe të gurit, për prodhimet blegtorale dhe rakinë. Gratë gjirokastrite janë të njohura për aftësitë që kanë për punimet e dorës, të cilat janë të trashëguara bres pas brezi. Kostumet vendase janë tradicionale të zbukuruara me qëndisma të komplikuara. Po ashtu prodhohen në mënyrë artizanale qilima e velenxa, triko, çorape e doreza që prodhohen me lesh natyral.
Të famshme në të gjitha vendin janë dantellat e Gjirokastrës, punimet me grep dhe qëndismat. Burrat përpunojnë drurin dhe gurin.
Gjirokastra njihet si vendlindja e tre personaliteteve me peshë në historinë e Shqipërisë: ish-diktatorit komunist Enver Hoxha, gjuhëtarit dhe albanologut Eqerem Çabej dhe shkrimtarit të madh Ismail Kadare. E kthyer në muze etnografik, shtëpia e diktatorit Hoxha është ndër objektet e para të guidave turistike, duke u vizituar nga pothuajse çdo turist që vjen në Gjirokastër. Në këtë qytet janë më shumë se 50 ndërtesat e shpallura monumente kulture, muze të vegjël në një qytet muze, ku çdo gjë është prej guri dhe shtëpitë, rrugët, rrugicat, trotuaret, urat e stilit venecian dhe vargjet e shkallareve që ngjiten drejt kështjellës së mrekullueshme.
Turizmi
Gjirokastra vijon ende të mbetet një destinacion i rëndësishëm i turistëve vendas e të huaj, ndërsa vitet e fundit numri i atyre që e vizitojnë qytetin muze ka shënuar rritje. Kalaja e Gjirokastrës ofron për vizitorët një ndërthurje epokash, historish e ngjarjesh. Kulmin e historisë së vet, kjo kështjellë e pati gjatë pashallëkut të Janinës kur Ali Pashë Tepelena realizoi një sërë ndërtimesh e ndërhyrjesh, që i dhanë Kalasë së Gjirokastrës fizionominë arkitektonike e ndërtimore që ka sot. Në hyrje të saj janë topat e luftës së dytë botërore. Avioni amerikan, e vetmja relikte e Luftës së Ftohtë është një tjetër objekt që tërheq vëmendjen e vizitorëve. Kulla e sahatit, objektet e kultit, kullat e princeshës, burgu i 7 penxhereve apo Muzeu Kombëtar i Armëve janë disa prej objekteve që vizitohen në kalanë e Argjiros.
Turizmi po tregon se është një nga shpresat më të mëdha për zhvillimin ekonomik të qytetit të Gjirokastrës, duke u bazuar në trashëgiminë unikale kulturore historike dhe arkitekturore.
Shtëpitë karakteristike i dhanë Gjirokastres statusin “qytet muze”. Banesat karakteristike të kthyera në bujtina tërheqin gjithnjë e më shumë vëmendjen e vizitorëve, që kalojnë më shumë se një ditë në qytetin e gurtë. Vizitorët e tyre janë të shumtë edhe për faktin se mes këtyre shtëpive ndodhen edhe shtëpia e lindjes së diktatorit Enver Hoxha dhe shkrimtarit Ismail Kadare. Të vizitosh Gjirokastrën nuk do të duhej të mjaftoheshe vetëm me ato që qyteti të ofron, pasi zona e Gjirokastrës është e pasur me monumente të shumta historike dhe pika arkeologjike. Qyteti antik i Antigonesë, i cili prej vitesh mban statusin e Parkut Kombëtar Arkeologjik, ndodhet 16 km larg qytetit të Gjirokastrës dhe vijon te mbetet një nga resurset më të njohura e të preferuara në jug të vendit.
Parku i Viroit është një tjetër pikë turistike që nuk mund të mbetet pa vizituar nëse shkon në Gjirokastër. Ai është kthyer në një pikë atraksioni jo vetëm për vendasit, por edhe të huajt. Zhytës nga vende të ndryshme të Evropës kanë depërtuar në thellësitë e mistershme të Burimit të Mëmës, aty ku vendasit hedhin monedha në ujin e thellë për të realizuar dëshirat e tyre.
Gatimet tradicionale gjirokastrite janë shumë të pëlqyera nga turistët, prandaj në qytet restorantet ofrojnë gatime tradicionale të cilat në fakt i gjen edhe në restorantet luksoze të gërshetuara nga menutë me receta kryesisht italiane. Qifqitë, sarmatë, lakrori janë disa prej recetave tradicionale gjirokastrite.
Elida Lazi