Viti i Ri është afër dhe të gjithë po mendojmë për dhuratat që do bëjmë dhe pse jo edhe për ato që do të na bëjnë. E ku ka dhuratë më të bukur për tu bërë fëmijëve sesa libri!

Domethënia e tyre, magjia që shkaktojnë tek të vegjëlit, pikërisht kjo ka qenë arsyeja që na nxiti për të bërë një listë me rekomandime për festat.

Kult Mix ju sjell disa nga rekomandimet me titujt e librave për fëmijët!

“Përrallat e Krishtlindjeve” nga Maria Mañeru, botuar nga shtëpia botuese “Bota Shqiptare”

Ky libër përmban 41 përralla fantastike dhe 7 aktivitete argëtuese për vogëlushët në këtë prag festash. Me këtë përzgjedhje përrallash, fëmijët do të gjejnë një çast meditimi për fëmijët mbi çështje aq të rëndësishme siç janë tradita, dashuria familjare, puna në ekip, solidariteti dhe optimizmi. Personazhet e përrallava janë shumë të veçanta, si xhuxhë, dragonj, njerëz prej bore që janë të gjallë, bredha magjikë që bëjnë bohçe prej ari dhe deri tek një Kësulëkuqe, e cila rrëfen një histori shumë të ndryshme. Të gjitha shërbejnë si një kornizë e këndshme për t’iu kujtuar fëmijëve se përse festat e fundvitit pushtohen nga mrekullia, dashuria dhe shpresa.

“Djemtë e rrugës Pal” nga Ferenc Molnar dhe publikuar nga shtëpia botuese Zenit.

Nëse fëmijës tuaj i pëlqejnë vrapimet sa të mbeten pa frymë, miqësia e vërtetë, lojërat në rrugë, atëherë ky libër është një dhuratë për të! Një libër klasik që nuk duhet t’i mungojë bibliotekës së fëmijëve.

Ndodhitë dhe ngjarjet e këtij libri zhvillohen në lagjen e djemve të rrugës “Pal”, ku ka selinë një grup djemsh të thjeshtë, të cilët përballen me një grup tjetër fëmijësh të pasur. Jeta e çdo fëmije është e mbushur me imagjinatë dhe fantazi të cilat janë një thesar shumë i madh.

Përrallat e Vëllezërve Grim, shkruar nga Jakob & Wilhem Grimm dhe botuar ngaAlbas, është një ide shumë e mirë për dhuratën e festës.

Nuk e teprojmë aspak, nëse themi se përrallat e Vëllezërve Grim nuk janë të bukura vetëm për fëmijët, por edhe për të rriturit, që duan të përjetojnë botën e përrallave kur ishin fëmijë dhe filozofinë e tyre.

Përrallat e Vëllezërve Grim, një trashëgimi e vyer e letërsisë për fëmijë, shërben si simbol i të gjitha përrallave botërore dhe si burim i pashtershëm i përrallave të shkrimtarëve bashkëkohorë. Me veprën e tyre ata shpalosin përpara lexuesit figura mitologjike, popullore, figura kafshësh, pyje misterioze etj., duke i stolisur me një shpirt romantik, plot fantazi, me fjalë të urta, epitete e figura të bukura letrare, që do i bëjnë edhe më magjike ditët festive.

Në vitin 2005 ky libër me mbi dyqind përralla të Jakob dhe Vilhelm Grimit hyri në listën e trashëgimisë kulturore botërore të UNESCO-s.

“Përrallat e Andersenit”, shkruar nga Hans Christian Andersen dhe botuar ngaAlbas, janë një trashëgimi e mrekullueshme e letërsisë për fëmijë, por edhe për të rritur. Përralla e tij shpalosin mençurinë dhe filozofinë e vendit të tij dhe popujve që njohu dhe vizitoi. Këto përralla janë një visar i çmuar, që duhen vlerësuar e ruajtur me kujdes, sepse në pjesën më të madhe të tyre ato përshkruajnë ngadhënjimin e së mirës ndaj së keqes, fuqive të mira ndaj atyre të këqija. Ato përmbajnë tablo magjepsëse të natyrës, figura njerëzish që vuajnë, figura princash e princeshash që kanë të njëjtat ndjenja si njerëzit e zakonshëm.

Pas përkthimit në 153 gjuhë të botës, më në fund përrallat e Andersenit vijnë në shqip të përmbledhura në këtë vëllim.

“Një dëshirë për Krishtlindje”, shkruar nga Katherine Rundell dhe botuar nga frondacioni Henrietta Leavitt, sjell magjinë e Krishtlindjes nëpërmjet një historie ku ndërthurret klasikja me modernen. E shkruar me shumë ngrohtësi dhe mbushur me nota humori, "Një dëshirë për Krishtlindje" na sjell në vëmendje vlerat dhe njerëzit që vërtet kanë rëndësi për ne.

“Ç'natë e mrekullueshme”, me autor Pierdomenico Baccalario dhe publikuar nga Albas.

Përmes tetë rrëfimeve, të cilat i bashkon tema e Krishtlindjes, tetë nga autorët italianë më në zë të letërsisë për fëmijë tregojnë për personazhe dhe situata shumë të ndryshme mes tyre. Në këto rrëfime për këtë festë kaq të dashur në të gjithë botën përmblidhen aspekte të ndryshme të saj.

“Një këngë Krishtlindjesh”, shkruar nga Charles Dickens dhe botuar nga botimet Dritan.

Ky është një nga libër më të bukur për festën e Krishtlindjeve, i referuar përherë si botim për lexuesit e vegjël në një ditë të tillë.

Plaku gërnjar Ibenezer Skruxh nuk besonte tek shpirti i Krishtlindjeve, nuk besonte as tek fjalët e nipit të tij zemërmirë Fredit, se “Krishtlindjet janë kohë e shenjtë dhe e hareshme, që duhet festuar patjetër me njerëzit e dashur”, derisa fantazmat e Krishtlindjeve të Shkuara, të Tashme dhe të Ardhme, i tregojnë sa shumë kishte humbur duke mos gëzuar me familjen e tij. Ditën Krishtlindjeve ndodh një mrekulli: Ibenezer Skruxh bëhet i dashur dhe i mirë.

“Udhëtimi i mrekullueshëm i Nils Holgersonit” me autore Selma Lagerlof, publikuar nga Albas është një libër shumë impresionues, që flet për një djalë të vogël të quajtur Nils Holgersson.

Ai fillimisht, është një djalosh mizor. Rastësisht nis një udhëtim mbi shpinën e një patoku që i mëson gjëra të tjera për jetën. Hipur mbi shpinën e patokut të tij ai tashmë fillon ta shikojë botën me një sy tjetër. Udhëtimi i Nilsit nuk është vetëm një udhëtim fizik, por edhe një udhëtim brenda vetes së tij. Nilsi e përfundon udhëtimin si një djalë i fortë, që di të dojë dhe të respektojë veten dhe të tjerët.

“Janë Krishtlindjet, Stilton!” nga Jeronim Stilton dhe botuar nga shtëpia botuese Pegi. Nga historitë gazmore të familjes së miushëve Stilton, kjo është më e bukura për ta lexuar gjatë ditëve festive për fëmijët tuaj. Ndodhi festash në një familje miushësh.

Librat e Jeronim Stilton janë përkthyer në 40 gjuhë, janë shitur në më shumë se 25 milionë kopje.

“Harry Potter dhe guri filozofik”, shkruar nga J. K. Rowling dhe botuar nga Dituria, është një ide shumë e mirë si dhuratë. Në fakt, çdo seri e magjistarit Harry Potter është e mbushur me magji Krishtlindjesh! Lexoni për krishtlindjet e para të djaloshit Potter në Hoguarst. Do t’ju habitë pamasë salla e madhe e shkollës e zbukuruar si jo më mirë për festë dhe tryeza plot me ushqime magjike të lloj-llojshme. 12 pemët gjigande janë të hijeshuara me heje akulli dhe qirinj vezullues që ndizen me magji, s’do mend. Magjisë që duket në ajër, shtojini edhe një grimcë magjie, nga ajo e vërteta.

Të gjithë këto libra mund t’i vendosni në këndin e bibliotekës së fëmijës suaj, duke u bërë atyre dhuratën më të bukur dhe të vlefshme.

Neritana Kraja