“Przewalski” është e vetmja racë e kalit të egër në botë që ka mbijetuar deri më sot dhe tani kanë mbetur vetëm pak më shumë se 2 000 kuaj të tillë. Zhang Hefan është eksperte e Qendrës së Mbarështimit të Kuajve “Przewalski” dhe është gjithashtu autore dhe poete. Pas fillimit të punës në vitin 1995 në këtë qendër, ajo nuk ka pushuar së shkruari historinë e kuajve “Przewalski”.

Gazetari i CMG-së Oliver e vizitoi posaçërisht Qendrën e Mbarështimit të Kuajve “Przewalski”. I shoqëruar prej Zhang Hefan-it, ai pa nga afër këta kuaj të egër dhe “komunikoi” me ta.

Në veri të malit Tianshan, në shkretëtirë, vraponin dikur kuajt e egër të vetëm në Tokë, kuajt “Przewalski”.

Zhang Hefan është eksperte në Qendrën e Mbarështimit të Kuajve të Racës “Przewalski” në Xinjiang. Ajo është gjithashtu autore librash e poete, që ndjek muzën e ëndrrës së saj tërë jetën.

Zhang Hefan thotë: “Këtu kushtet janë shumë të vështira. Qyteti është larg. Për të hequr vetminë, nisa të mbaj ditar. Këto shënime u botuan në një libër me titullin “Kali i egër rikthehet në Karamaila”. Pas kësaj unë vazhdoj të shkruaj historinë e kuajve të egër dhe poezi.

Kali i egër është më i vogël se kali shtëpiak. Ai ka zakonisht vetëm një ngjyrë kaki. Kokën e ka të madhe, ndërsa jelet të shkurtra dhe të drejta.

Pas fillimit në vitin 2001 të planit të lëshimit të kuajve të egër, 16 kontingjente prej 110 kuajsh të egër të qendrës së mbarështimit janë lëshuar në rezervatin “Karamaila”.

Duke iu përgjigjur pyetjes nëse vendoset çip mbi kuajt e lëshuar për t’i gjurmuar, Zhang Hefan tha: “Disa kuajve u vihet qafore satelitore me radiovalë. Unë shpesh u bëj fotografi këtyre kuajve të egër. Por a do të takohem përsëri me ta? Kjo varet nga fati.”

Zhang Hefan-i nuk pushon së shkruari. Ajo shpreson që më shumë njerëz ta njohin e ta pëlqejnë kalin e egër “Przewalski”. “Besoj se një ditë, ashtu si paraardhësit tanë, edhe ne do të shohim përsëri tufa kuajsh të egër që vrapojnë rrëzë malit Tianshan. Në zanafillë ata ishin zotër të kësaj toke.”(Fani)