Për festat e fundvitit njerëzit kanë dëshirë të japin e të marrin dhuarata. Në këtë vit të vështirë për të gjithë botën, ku duhet të përballemi me probleme të shëndetit, të ekonomisë dhe të financave familjare, dhurata më e mirë që mund të marrim në konsideratë janë librat. Nuk është aspak shabllon, por është një traditë e mjaft vendeve të veriut të Evropës, që do të ishte shumë bukur, nëse do të huazohej edhe tek ne.

A mund ta kthejmë dhe ne në traditë?

Le të ndalemi në Islandë, ku ekziston ky zakon që nga Lufta e Dytë Botërore. Ishin periudha të vështira dhe në të gjithë vendin ishte kufizuar importi nga jashtë i shumë mallrave. Kështu që njerëzit duhej të mendonin mirë se çfarë t'u dhuronin miqve dhe të afërmve për Krishtlindje: librat e prodhuar dhe shtypur në Islandë u bënë dhurata e përsosur.

Ekziston një mënyrë shumë e veçantë për të festuar Krishtlindjen dhe për të kaluar pragun dhe natën më magjike të vitit. Thjesht mendoni se në këtë tokë të lashtë, ku shtëpitë e njerëzve pushojnë nën Dritat e mrekullueshme të Veriut, është tradicionale të dhurohen libra në prag të Krishtlindjes dhe pastaj njerëzit kalojnë tërë natën duke i lexuar. Kjo traditë e leximit të librave në prag të Krishtlindjes, është e lidhur me atë që fjalë për fjalë do të thotë "përmbytje librash për Krishtlindje".

Kjo traditë e bukur, tek ne do të ishte mjaft e aplikueshme, duke u nisur edhe nga fakti se vjeshta, ose më mirë nëntori, është muaji i librit, është koha ku prurjet janë më të mëdha se asnjëherë tjetër, kur ka një Panair i cili reklamon vit për vit në këtë periudhë publikimet e reja dhe publiciteti është i madh në media.

Eshtë koha kur njerëzit blejnë më shumë libra duke shfryrëzuar panairin dhe koha për t’i lexuar, janë pikërisht pushimet e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri.

Por, në morinë e librave, cilët të zgjedhim?

Ja një listë me, jo vetëm për t’i lexuar ju vetë, por edhe për t’i bërë dhuratë! Janë kryesisht libra të botuar në vitin që po lëmë pas, 2020.

“Dekalogu i një lagjeje tiranase”, shkruar nga Krymi (pseudonim), një rrëfenjë magjepsëse që vjen nga botimet Berk për një lagje, që mundet ose mund të mos jetë krijuar në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë apo në fillim të shekullit të njëzetë, për njerëzit që banuan dhe vijojnë të banojnë në këtë lagje, për jetët e tyre plot aventura, që në mënyrë të pashmangshme lidhen me ngjarjet e mëdha historike, luftëra botërore, kriza urie, perde të hekurta që ndajnë Lindjen nga Perëndimi dhe që në fund fare, këto të gjitha nuk kanë kurrfarë rëndësie. Jeta private e çdo njeriu, qoshet e fëmijërisë, oborri i shtëpisë, një pemë kumbulle apo një bravë dere, këto janë gjërat që ia vlejnë t’i kushtohet një libër.

“Bukë e krypë e zemër”, botuar nga shtëpia botuese “Fishta”, vjen me shumë përkushtim e përkujdesje nga autorja Elektra Haxhia. Libri është një antropologji e kulinarisë shkodrane. Koleksion recetash të mbledhura me shumë dashuri nga autorja, prej shkodranëve që me fanatizëm i kanë ruajtur e percjellë ndër breza.

Ky koleksion i pasur vjen në libër së bashku me histori të kulturës së të ushqyerit, me doke e zakone rreth ushqimit, në festa e ceremonit këngë, poezi, foto e fjalë të urta që lidhen me ushqimin dhë të ngrënit në këtë qytet. Një dhuratë e shkëlqyer për festat e fundvitit.

“Xhevdet beu dhe të bijtë”, shkruar nga Orhan Pamuk dhe botuar nga shtëpia botuese Skanderbeg, është romani i parë i autorit nobelist, i shkruar në vitin 1979, në formën e një kronike të gjatë familjare e me sfond të theksuar historik. Ndërsa e shkruante këtë vepër, Turqia po kalonte një nga turbullirat më të ashpra politike të historisë së saj; ishin ditët e vrullshme para grushtit të shtetit, përvoja e hidhur e të cilit e përshkon këtë libër. Rrëfimi fillon me rënien e Perandoris Osmane dhe pasojat e saj, dhe jep një imazh të mrekullueshëm të Stambollit dhe të banorëve të tij për një shekull të tërë. Libri është një dhuratë dinjitoze me rastin e festave të fundvitit.

“Një dashuri transatlantike”, nga Simone De Beauvoir dhe botuar nga Shtëpia e Librit. Libri biografik, përmbledh më shumë se 300 letra dashurie, të shkruara nga de Beauvoiri për Alegrin, duke krijuar kështu një pikëtakim unik midis kujtimeve personale dhe historisë së botës intelektuale të krahut të majtë në Parisin e pasluftës.

Kur Simone De Beauvoiri takoi Nelson Alegrin, më 1947, ishte dashuri me shikim të parë. Marrëdhëmia e tyre pasionante zgjati njëzet vjet dhe u shtri në katër kontinente.

Festat e fundvitit, krijojnë një atmosferë të përkryer për të lexuar letrat e dashurisë!

“Flush”, një biografi nga Virginia Woolf, botuar nga Shtëpia e Librit, është një tjetër dhuratë e mirëpritur sidomos për publikun femëror, i cili gjen veten tek ky libër, siç ndodh me të gjithë librat e shkrimtares.

Botuar fillimisht në 1933, autorja u frymëzua nga letrat e dashurisë së poetes britanike të shekullit të nëntëmbëdhjetë Elisabeth Barret Broëning, e cila fliste shpesh në letra për qenin e saj, me emrin Flush.

“Letra Milenës”, nga Franz Kafka, botuar nga Shtëpia Botuese Arka e Noes.

Franz Kafka e takoi Milena Jesenskà-n në vitin 1920, kur ajo ishte duke përkthyer tregimet e tij të hershme në gjuhën çeke dhe shumë shpejt marrëdhënia e tyre kaloi në një fazë më të ngushtë. Ndjenjat e Kafkës ndaj Milenës qenë aq të forta, saqë i rrëfeu asaj ditarët e tij dhe duke vepruar kësisoj, i hapi asaj zemrën dhe i rrëfeu ndërgjegjjen e vet.

Ndërkohë që “dhuntia për të jetuar” e Milenës i dha njëfarë gjallërie Kafkës, por njëkohësisht e lodhi së tepërmi Kafkën, ndaj lidhja e tyre nuk zgjati më shumë se dy vjet.

“Letrat e Milenës”, është një tjetër libër me vlera estetike, të cilin mund ta dhurojmë për festa dhe ta lexojmë poshtë dritave të bredhit. Sigurisht do të ishte një dhuratë e mirë, për njerëzit me shije të rafinuar!

“50 gratë më me ndikim të epokës sonë” nga Chiara Pasqualleti Johnson, botuar nga shtëpia botuese Albas.

Ky libër rrëfen jetët e jashtëzakonshme të pesëdhjetë grave, të cilat sfiduan me sukses shekujt e mbushur me paragjykime dhe rishkruan rregullat e shoqërisë. Ato ecën përpara me një forcë revolucionare, duke hyrë gjithë hijeshi e krenari në një botë që ishte privilegj i burrave.

Këto gra ikona dhe shembulli që ato dhanë, u hapën udhën shumë grave të tjerave që i pasuan, duke u lënë trashëgimi frytin e njohurisë, të eksperiencës dhe të imagjinatës së tyre.

“Jeta e gënjeshtërt e të rriturve”, nga Elena Ferrante dhe botuar nga shtëpia botuese Pegi. Nga autorja e shumëshitur e serisë së romaneve napoletane vjen romani më i ri, një rrëfenjë që sfidon mitin e familjes së lumur.

Për të përballuar jetën dhe përditshmërinë, nejrëzit gënjejnë, mbi të gjitha gënjejnë veten.

“Valsi i lamtumirës”, shkruar nga Milan Kundera dhe botuar nga shtëpia botuese Dituria, është libër që të trondit. Ne ua propozojmë si një tjetër mundësi për t’ia bërë dikujt dhuratë.

Humor i zi. Egërsi e pacipë. Portrete grash të admirueshme dhe delikat.

Kundera është një mjeshtër i letërsisë bashkëkohore. Romani “Valsi i lamtumirës” është njëherësh një model i virtuozitetit dhe i zvetënimit të shpirtit njerëzor.

Ky libër është ideal për mbylljen e një viti, ku ia vlen tia bësh vetes pyetje të tilla.

“Vanilje dhe çokollatë”, nga Sveva Casati Modignani, një roman që vjen nga shtëpia botuese Dudaj. Vanilja e çokollata: dy shije të ndryshme, por që lidhen shumë mirë bashkë. Ashtu siç ndodh ngandonjëherë në dashuri. Ky roman përcjell një romancë të bukur, që ëmbëlton shpirtin në ditët festive.

Neritana Kraja/ redaktorja Wang Lei